“ÇEKA”, sa krime në emër të komunizmit

Më 8 shkurt 1940, në një pasdite të hershme e të ftohtë, në urën e Brest-Litovsk që kalon mbi lumin Bug, një grup oficerësh të NKVD-së, policisë sekrete sovjetike, avancojnë drejt një grupi të ngjashëm SS-ësh nazistë. Në qoftë se do të ndaleshim në këtë pikë të përshkrimit, shumë mund të mendonin se po përshkruanim një përplasje me zjarr. Atë ditë dhe në shumë ditë të tjera si ajo për shumë kohë pas nënshkrimit të paktit Ribbentrop–Molotov, të dy grupet e oficerëve sovjetikë dhe gjermanë shtrëngonin duart dhe vazhdonin me planin rutinë: shkëmbimin e të burgosurve, të destinuar për kampet e përqendrimit respektiv. Komunistë gjermanë, shumë shpesh hebrenj, që kishin luftuar nazizmin apo që qenë arritur nga Gjermania e re nga njëra anë, antikomunistë dhe politikanë jo të pëlqyeshëm për regjimin sovjetik nga ana tjetër. Pastaj, atë 8 shkurt, midis 28 burrave e 2 grave që nga duart e agjentëve të NKVD-së kalonin në ato SS-e, ndodhet Margarete Buber-Neumann, e ardhur prej një kohe të gjatë qëndrimi në ferrin e gulagëve dhe tani e destinuar që të kalonte në një ferr tjetër.
Gruaja do ta tregonte më pas përvojën e saj ngjethëse në një libër të hidhur dhe të “heshtur” nga komunistë, e djathta dhe për disa kohë, edhe amerikanë, që nuk donin t’i nxirrnin në dritë të keqe aleatët e rinj të Moskës, të titulluar “E burgosura e Stalinit dhe e Hitlerit”. Në atë përshëndetje në të ftohtin polak, në agimin e një konflikti botëror me përmasa biblike, ishte e vërteta e historisë: afërsia midis dy totalitarizmave. Si ishte e mundur që policia sekrete sovjetike, arma e pagabueshme e partisë, që do të duhej ta mbronte me çdo kusht, kishte arritur në pikën që t’ua dorëzonte aktivistet e saj Hitlerit, njeriut që pak muaj më pas do të organizonte sulmin më vdekjeprirës në zemrën e Rusisë dhe që kishte arritur pushtetin duke u paraqitur si mbrojtësi i vetëm i mundshëm kundër bolshevizmit të përhapur në Europë? Shpjegimet duhen kërkuar në origjinën e këtij organizmi policor, që duke i lyer duart me gjak qysh nga mëngjesi i marrjes së pushtetit bolshevik, kishte kontribuar në tradhtimin e iluzioneve që shumë kishin krijuar lidhur me “fatin madhështor dhe progresiv” të atdheut të socializmit. “Nuk ka dyshim se policia sekrete ka qenë dhe është mjeti kryesor, të cilin përdor partia për ta garantuar këtë primat. Ja pse historia e saj është edhe historia e Partisë Bolshevike dhe për pasojë, ajo e Bashkimit Sovjetik”.
Menjëherë pas ngjitjes në pushtet të bolshevikëve të udhëhequr nga Lenini, Rusia paraqitet në gjendje katastrofike, pre e një anarkie të tmerrshme. Vendi ka dalë i mbaruar nga lufta: njerëzit e Leninit, megjithëse në zgjedhje kanë rezultuar të jenë një pakicë, fusin në dorë të gjitha levat e pushtetit. Por ky sigurisht që nuk është i qëndrueshëm mirë në duart e tyre, mund t’u shpëtojë nga një çast në tjetrin: socialistët revolucionarë janë shokë të paqëndrueshëm udhëtimi, anarkistët, jashtëzakonisht idealistë, nuk u nënshtrohen sigurisht prozaicitetit të menaxhimit qeveritar.
Në këto ditë frenetike dhe të tmerrshme në Petrograd, Lenini, kreu i asamblesë së sovjetëve, strehohet në Institutin Smolny, një ish-shkollë për aristokratët pinjollë të fisnikërisë cariste. Midis korridoreve të tij u vendos fati i një vendi të pamatë, në konfuzionin më absolut. Me rënien e qeverisë së përkohshme, në rrugë ligji nuk menaxhohet akoma nga bolshevikët dhe atë e bëjnë të zakonshmit, domethënë njerëz që dinë të përdorin armët: të dhunshmit, keqbërësit e zakonshëm, dezertorët e ushtrisë cariste dhe natyrisht, anarkistët e sipërpërmendur. Nuk ekziston as edhe një polici minimale, aq më pak gjykata të njohura. Afër Leninit dikush guxon të pohojë se “kjo çmenduri nuk mund të vazhdojë gjatë. Do të bëjmë akoma ndonjë budallallëk dhe poshtërsi, pastaj do t’ia mbathim jashtë vendit për të rilexuar Marksin, pasi nuk e kemi kuptuar”. Nga ana e tij, Lenini e kupton se për të vendosur rregull ka një rrugë efikase mbi të gjitha: “Duhet të rivendosim rendin – thotë ato ditë lideri – të kushtojë sa të dojë, edhe sikur një gjë e tillë të nënkuptonte terror”.
Terrori erdhi dhe do të kishte fytyrën e policisë politike, ÇEKA-s. Pak përpara se të vdiste, Lenini do të rrëfente: “Terrori qe rruga jonë e vetme e shpëtimit”. Në Rusinë që u zhyt në totalitarizëm nuk mund të mos mungonin legjendat, thuajse për të justifikuar një ndryshim kaq radikal të jetës krahasuar me të kaluarën. Njëra prej tyre tregon se lindja e ÇEKA-s, policisë së parë politike, e pa dritën pas një ngjarjeje që kishte kaluar Lenini: teksa po hynte në Institutin Smolny, makina e tij ishte bllokuar nga një grup delinkuentësh, të cilët e kishin plaçkitur, por duke e lënë gjallë. Dukshëm që gjesti i kësaj bande do të shënonte nëntëqindën. Prej atij episodi, Lenini vendosi se krijimi i një policie efikase dhe sidomos pa shumë skrupuj do të imponohej në një Rusi që po shkonte për dreq. Kështu, në një mbledhje të Komisarëve të Popullit në dhomën Nr.75, lindi më 20 dhjetor 1917 një komision special, i quajtur Cereswytiainaja Komissija, familjarisht i shkurtuar në ÇEKA.
Qysh nga fillimi, ÇEKA-s do t’i duhej ta kufizonte veprimin e saj tek hetimet, ndërsa ana procesuale do t’u takonte “gjykatave revolucionare”, të lindur më 24 nëntor. Kjo zgjidhje nuk u pranua kurrë: shumë shpejt policia politike do të zhvillonte gjithçka, hetime, procese (masive, kuptohet) dhe ekzekutime të vendimeve (patjetër kapitale, edhe kjo kuptohet). Detyrat janë të menjëhershme e mjaft të larmishme dhe në këtë papërcaktueshmëri ÇEKA do të ndërtojë pushtetin e vet tentakular: luftë kundër banditizmit, kapje dezertorësh, riarnim të ekonomisë e të administratës, spiunazh ndaj gjermanëve në kufi, konsolidim të pushtetit politik, shtypjen e kundërrevolucionit. Shumë shpejt burgjet e improvizuara në Institutin Smolny nisin të mbushen: për të drejtuar operacionet zgjidhet një njeri që do të rezultojë thelbësor për rritjen e aparatit policor, Feliks Xherxhinski. “Aparati represiv – shkruan vetë Xherxhinski – duhet të jetë i përbërë nga gjykatës revolucionarë me një pastërti kristalore dhe çekistët duhet të jenë të zgjedhur me kujdes në radhët e partisë, të jenë njerëz të pastër, të përkushtuar ndaj kauzës dhe me një të kaluar të panjollë”. Njollat, ato të pashlyeshme, qenë rezervuar me sa duket për të tashmen dhe për të ardhmen.

ÇEKA organizohet

Me pak mjete, ÇEKA organizohet në Rrugën Gorokovaia Nr. 2, në zyrat e ish-Guvernatorit të Petrogradit dhe pas pak muajsh spostohet në Moskë, në ish-selinë e një kompanie sigurimesh, me emrin Lubianka. Paradoksalisht, mund të quhet si një sigurim mbi vdekjen në Rusi. “Zyra, drejtues, makina, të arrestuar, gardianë, nëpunës: nuk mungon asgjë. Ajo që mungon është vetëm një moral. Për këtë mendojnë teoricienët dhe intelektualët që jetojnë në enturazhin e Leninit. Shkruan Shpata e Kuqe”, revista e partisë: “Ne posedojmë një moral të ri. Gjithçka është e lejueshme, pasi ne kemi qenë të parët në të gjithë botën që kemi ngritur shpatën, jo me qëllim nënshtrimi apo shtypjeje, por në emër të lirisë universale. Sigurisht, një moral i ngjashëm supozonte një metodë pune. Ja: ne, shkruan gazeta ‘Terrori i Kuq’, nuk u shpallim luftë individëve të izoluar. Ne shfarosim borgjezinë si klasë. Dhe u rekomandon agjentëve dhe gjykatësve hetues: Gjatë një represioni, mos humbisni kohë duke kërkuar dokumente dhe prova dëshmuese. Pyetja e parë që duhet t’i bëni të akuzuarit duhet të ketë të bëjë me klasës sociale, të cilës i përket, origjinës së tij, arsimit dhe profesionit të tij: janë përgjigjet tuaja ato që vendosin fatin e të arrestuarit”.
Është kjo atmosfera në të cilën fillon të veprojë Feliks Xherxhinski. Me origjinë polake, kishte gjak fisniku nga ana e familjes së nënës. I rritur në Lituani, qysh i ri dehet nga ide nacionaliste polake në urrejtje ndaj Rusisë dominuese. Policia cariste e kap dhe e rras në burg: është këtu brenda që vihet në kontakt me idetë revolucionare dhe ku do të shkruajë, ende adoleshent: “Unë nuk di të urrej përgjysmë. Nuk mund të jap gjysmën e shpirtit tim. Di vetëm ta jap të gjithin ose aspak”. Bolsheviku i përkryer rritej i fortë e i qëndrueshëm, i destinuar që të meritojë nofkën “Torquemada”. Kur, në vendin e duhur në momentin e duhur do të dojë të kapë besimin e Leninit – që tek ai njeri i ftohtë, llogaritës, pa asnjë jetë të trazuar dhe aq më pak dashuri, pothuajse asket, shikon të mishëruar si mos më mirë natyrën e inkuizitorit – Xhexhinski do ta pranojë postin e drejtuesit të ÇEKA-s, kur askush nuk donte ta merrte, duke e konsideruar gabimisht sikur nuk kishte kurrfarë rëndësie. Me të, represioni bëhet burokraci: njeriu nënshkruan mijëra dënime me vdekje me të njëjtën qasje me të cilën do të nënshkruante një qarkore normale. “I çmendur? Thjesht i shpëtonte ana çnjerëzore e terrorizmit. Ai e konsideronte veten një delegat të partisë në vendin më të avancuar të luftës së tmerrshme të klasave”. Agjentët e ÇEKA-s – uniforma e të cilave me xhup lëkure bojëkafe me rrip dhe Mauser e beretë do të rezultojë një element terrori në vetvete në fshatrat ruse – patën provën e vërtetë të pjekurisë, nëse mund të quhet kështu, në ditët e luftës civile.
Në kulmin e luftës midis të kuqve e të bardhëve, i takon ÇEKA-s që të ruajë sigurinë e brendshme, të gjejë spiunët e bardhë, “pastrojë” territoret e zhvatura armikut dhe në fund, të kontrollojë ushtrinë. Nevojat në këtë periudhë – nga 1918 më 1921 – qenë të tilla që çekistët kaluan nga disa qindra në atë të 30000 njësive. Nuhatja e Xhexhinskit qe ai i bërjes së ÇEKA-s aktive edhe midis radhëve të Ushtrisë së Kuqe: çdo njësi ushtarake kishte një “komisar politik” çekist, me detyrën që të vigjëlonte mbi besnikërinë e ushtarakëve, të kontrollonte gjendjen morale të trupave dhe natyrisht, të ndiqte në sulme ushtarët, me detyrën e qartë që të qëllonte në shpinë këdo që do të dyzonte. “Kompetenca e komisarit politik shtrihej deri në kontrollin e urdhrave të operacionit të komandantit”. Kështu, ÇEKA përfundoi duke u bërë veshi i partisë në ushtri dhe një formë dekurajimi ndaj tundimeve bonapartiste të ndonjë oficeri.
Njerëzit e Xherxhinskit që drejtojnë operacionet e ÇEKA-s gjatë luftës civile janë pak, por “të mirë”: është Latzis, çekist i orëve të para, i quajtur nga vetë Lenini “një qen që rrezikonte të kafshonte revolucionin” dhe të cilit i duhej “vënë mbrojtëse në gojë”, është Mikail S. Kedrov, një neuropatik që jeton me mitin e masakrave të Revolucionit francez dhe që organizon masakra me ndihmën burokratike të së shoqes: i mbyt të gjithë armiqtë meshkuj nga 8 vjeç e lart, shpik tortura gjithnjë e më të rafinuara, hedh bazat e rrëfimeve me kujtesë të poshtër. I pështirosur nga metodat e tij, Lenini do ta mbyllë në çmendinë, nga i cili do të dalë vite më vonë me dëshirën e Stalinit: “arti” i tij i shërben partisë dhe GPU-së së ardhshme të Jagoda. Midis çekistëve në zemër të luftës civile dallohet edhe armeni Ataberkov, romantik dhe i dhunshëm i veshur me xhup të zi. Për të ilustruar këtë njeri, mjaftojnë dy episode: në një qytezë kaukaziane çekistët vrasin gabimisht një prej bashkëpunëtorëve të tij, ai mbyllet në tendën e tij, qan me lot të hidhur, pastaj del, hip në një aeroplan, arrin vendin e incidentit, vendos aty një tufë me lule. Pastaj shkon drejt zyrës vendore të ÇEKA-s, hap derën me shkelm dhe duke ulëritur “Pse vratë mikun e Ataberkov?”, nxjerr pistoletën dhe me qetësi e shënjestër të shkëlqyer, i vret të gjithë. Episodi i dytë: popullsisë kirgize i qenë vjedhur të gjitha delet e saj, mishi i të cilave ishte prerë dhe më pas qe lënë të qelbej. Me ta mësuar, kirgizët fillojnë të ankohen dhe të rebelohen nëpër fshatra. Ataberkov shkoi në vend, duke marrë me vete 20 çekistë të zgjedhur apostafat. Pasi arrin te kirgizët u kufizua vetëm në pranimin e padrejtësisë të pësuar prej tyre dhe u tha se faji ishte… i 20 individëve që ishin me të. Mund të bënin me ta çfarë të donin: natyrisht, 20 çekistët u copëtuan para syve të Ataberkov, i adhuruar pambarim.
Çekisti i fundit që meriton përmendje në vitet e luftës civile është Maga, xhelati i madh: ky njeri vrau me dorën e tij të paktën 11000 viktima. Kur arriti në atë që duhej të ishte e fundit e tij, u çmend. Gjatë një pushkatimi të urdhëruar prej tij, nisi të qëllojë ndaj çekistëve të tij, duke iu ulëritur si i çartur. U kap, u lidh dhe u pushkatua. Legjenda thotë se e priti vdekjen me një leckë në gojë, duke ulëritur: “Mjaft! Mjaft! Mjaft!”. Kur në fillim të 1920 vatrat e fundit të zjarrit të luftës civile nisin e shuhen, Xherxhinski shkon tek Lenini, me një raport për “punën” e ÇEKA-s. Të dhënat janë ndarë në kategori sociale dhe profesione. Është shifra në fund të listës që ia mban për një çast frymën Leninit: 1761165 viktima. Më 2 shkurt 1920, përpara Komitetit Qendror, Lenini do të thotë: “Jemi detyruar që të përdorim terrorin. Nuk do të kishim rezistuar as dy ditë sikur të mos u ishim përgjigjur pa mëshirë tentativave të oficerëve dhe gardistëve të bardhë”.

Represion i brendshëm
Padyshim që aktivitet jetik i ÇEKA-s qe ai i represionit të brendshëm. Nuk duhet harruar sesi precipitoi situata në Rusi pasi Lenini pranoi për vendin e vet paqen poshtëruese të Brest-Litovskit. Në fillim të 1918, pushteti i ri i kishte eliminuar pothuajse të gjitha partitë, fillimisht atë liberale të kadetëve që kish drejtuar qeverinë e përkohshme të Kerenskijt. Formacionet e vetme politike që nuk qenë shpallur të jashtëligjshme, përveç bolshevikëve, qenë menshevikët, social–revolucionarët dhe social–revolucionarët e majtë. Prishja midis bolshevikëve dhe këtyre (akoma edhe për pak) shokëve të armëve u konkretizua pikërisht lidhur me çështjen e paqes poshtëruese të nënshkruar me gjermanët. Në Kongresin V Panrus të Sovjetëve, tensionet kishin shpërthyer me dhunë: ata që udhëhoqën revoltën kundër nënshkrimit të traktatit të paqes qenë social–revolucionarët, të vendosur që të vazhdonin luftimet dhe të krijoheshin premisat e një ndeshjeje të re me gjermanët. Mundësia erdhi me komplotin për të vrarë ambasadorin gjerman Myrbach. Në vetë radhët e ÇEKA-s, social–revolucionarët kishin pozicione prestigji përkrah bolshevikëve: Për shembull, kryetari Xherxhinski kishte si zëvendës të tij social-revolucionarin Aleksandroviç. Të dy kontrollonin njëri-tjetrin dhe natyrisht, qenë ekzekutues besnikë të direktivave të ardhura nga partitë respektive. Komploti për të vrarë Myrbach lindi pikërisht në radhët çekiste të social–revolucionarëve, nga drejtimi personal i Aleksandroviç. Një i ri idealist revolucionar i rritur në një seminar dhe i “konvertuar” nga Aleksandroviç, njëfarë Blumkin, rekrutohet për një mision pa shpresë: t’i afrohet Myrbach dhe ta vrasë. Do t’ia arrijë, duke u paraqitur bile në zyrën e tij dhe duke “shmangur” survejimin e çekistëve. Natyrisht, Blumkin lihet të kalohet (janë për t’u diskutuar modalitetet e lirimit të një oficeri gjerman, kushëri i Myrbach, që shumë herë i kishte kërkuar Leninit një ndërhyrje) dhe e realizoi objektivin e tij.
Sapo mëson për atentatin, Xherxhinski lëshohet drejt ambasadës gjermane dhe më pas drejt selisë qendrore të social–revolucionarëve për të marrë shpjegime. Presidenti i ÇEKA-s pyet nëse është dorëzuar tashmë atentatori, social–revolucionarët e mohojnë dhe i thonë se nuk e dinë se ku ndodhet, por se marrin çdo përgjegjësi të atentatit. Janë orë me tension të jashtëzakonshëm: nuk dihet se nga cila anë do të rreshtohet ÇEKA. Lajmi i atentatit dhe e krizës në radhët e ÇEKA-s ishte përhapur nëpër Moskë dhe menjëherë pati kryengritje: një grup marinarësh kishte zënë zyrën e Latyis, drejtues i lartë çekist, krah i djathtë i Xherxhinskit dhe e kishte arrestuar, turma mëshonte jashtë Lubiankës me qëllim që ta linçonte bashkë me ndonjë polic bolshevik. Gjithmonë nëpër rrugë, social–revolucionarët, në marrëveshje me anarkistët, mbillnin kaos, ushtria ndahej në fraksione, disa ushtarë kishin si shënjestër Kremlinin. Është në këtë moment që bolshevikët vepruan me vendosmëri, procedojnë me arrestime masive të çdo eksponenti social–revolucionar. “Anëtarësimi në partinë social–revolucionare ishte titull i mjaftueshëm për arrestimin dhe për ekzekutimin kapital pasues, në shumicën e rasteve”, shkruan Lucini.
Xherxhinski e realizoi hakmarrjen e tij pa pikë mëshire; ÇEKA u spastrua nga të gjithë social–revolucionarët, që nuk qenë pak”. Domethënë, rebelimi ishte shtypur në Moskë në harkun e 24 orëve dhe me pak më shumë vështirësi, në rrethinat moskovite: kishte qenë kjo një bankoprovë për ÇEKA-n dhe për bolshevikët, që tani e zotëronin pushtetin më shumë se kurrë. Në këto orë, midis bolshevikëve më të zellshëm e më të pamëshirshëm ishte pikërisht Stalini, që i thotë Leninit: “Sa u përket histerikëve, rri rehat se dora jonë nuk do të hezitojë. Do t’i trajtojmë armiqtë siç duhen trajtuar”. Represioni shërbeu për t’i forcuar bolshevikët në pushtet dhe të nxjerrë jashtë ligjit social–revolucionarët: por këta vazhduan në klandestinitet dhe u bënë protagonistë të disa operacioneve. I bujshëm qe ai i 20 gushtit 1918: një poet i ri revolucionar, me emrin Leonid Kenigiesser, arriti të qëllojë Moissei S. Uritzki, kreun e ÇEKA-s së Petrogradit. Po atë mbrëmje, 3 të shtëna pistolete u bënë drejt Leninit në dalje nga Ofiçina Michelson, pas një mitingu të tij: lideri u godit në gjoks, por mbijetoi. Ajo që e qëlloi qe një grua, Fania Kaplan, u transferua menjëherë në bodrumet e Lubiankës. Gruaja, shumë kurajoze, mori përsipër përgjegjësinë totale të aksionit, por ishte e qartë se prapa qëndronin social–revolucionarët. Lenini do të ketë më shumë se një konfrontim personal me të dhe do të mbesë i magjepsur. Aq sa të urdhërojë që t’i kursehet jeta. Drejtësia revolucionare, e mëshirshme me Kaplan, nuk rezulton e tillë me zëvendëskryetarin e ÇEKA-s, Alexandroviç: në natën midis 15 dhe 16 korrikut, drejtuesi i lartë çekist, bashkë me 23 shokë të tij, del përpara një gjykate revolucionare dhe brenda pak orësh, përpara agimit, pushkatohen në oborrin e Lubiankës. Thuhet se 1 orë përpara ekzekutimit, vetë Xherxhinskij ka shkuar në qelinë e zëvendësit për të përqafuar, me lotë në sy. Synon që t’i lërë në qeli një revole, duke i kërkuar një vetëvrasje përpara se të përfundojë përpara skuadrës së pushkatimit. Përgjigjja e Aleksandroviçit është e prerë: “Kam dështuar në jetë, më lejo që të mos dështoj në vdekje”. Aleksandroviç do të bjerë në këmbë: afrohet drejt oborrit numër 1 ku duhet të ekzekutohet, bie në gjunjë, shikon drejt qiellit dhe ulëret me sa ka në kokë “Rroftë revolucioni! Rroftë Lenini!”. Dhe është grirë nga plumbat. Tamam në këtë moment, disa kate më sipër, Lenini po dekoron disa agjentë çekistë që kishin zbuluar komplotin. Zhurma e të shtënave nuk e ngadalësoi ceremoninë.
Për partinë dhe për ÇEKA-n, që deri në atë moment, ishte një instrument efikas me besnikëri absolute, mbetej një armik: anarkistët. Rastin ua jep atentati i 25 shtatorit 1919: gjatë një mbledhjeje të Komitetit Qendror të Partisë në Moskë, një shpërthim shkakton panik. Autorë të atentatit janë anarkistët Donato Çerepanov dhe Casimir Kovaleviç, të kërkuar prej kohësh nga ÇEKA. Raprezalja është e menjëhershme: pushkatimet janë me mijëra, midis anarkistëve, ashtu si edhe midis të mbijetuarve të paktë midis simpatizantëve të partisë së kadetëve.
Pak më shumë se një vit më pas, në shkurt të 1921, regjimi nënshtron revoltën e marinarëve të Kronshtadit, pikërisht të marinarëve heroikë të Revolucionit të Tetorit: marinarët kërkojnë respektimin e premtimeve të 1917, domethënë rizgjedhjen e sovjetëve me votë të fshehtë, liri fjale e shtypi, liri sindikale dhe sidomos mbylljen e ÇEKA-s. Me marinarët e Kronshtadit komunizmi sovjetik arkivon një pjesë të vetes: shpirti libertar bie nën represion. Do të jetë legjendari Gjeneral Tukaçevski ai që do ta nënshtrojë revoltën në muajin maj. Nuk pati robër.
Me represionin e Kronshtadit nis një kapitull i ri për Rusinë: regjimi konsolidohet, emergjenca e luftës ka mbaruar. Me regjimin duhet të ndryshojë edhe politika dhe ÇEKA do të transformohet në GPU. Ndërkohë, Xherxhinski e lë postin e Presidentit të ÇEKA-s për t’u bërë Komisar i Transporteve. Por influenca e tij mbi policinë do të mbesë e paprekur deri në vdekjen e tij, më 14 korrik 1926. Nga vdekja e Leninit, më 21 janar 1924, Xherxhinski kishte nuhatur potencialitetet e Stalinit dhe e kishte rreshtuar përkrah tij policinë politike, e cila tani duhej të ndryshonte strategji: hiqeshin xhupat e mëdhenj të lëkurës me Mauser dhe visheshin xhaketa me kollare. Ama terrori nuk ndryshonte. “Ah, sa e papritur, e pakuptimtë, jooportune është vdekja e Feliks Xherxhinskit. Të çmendesh nga zemërimi!”. Vargjet e poetit Maksim Gorkij, mik i regjimit, tingëllojnë sot ngjethëse, ashtu si fjalët e Trockit: “Përsosmëria e personalitetit të tij të kujton një vepër arti”.

Artikulli paraprakBasha: Rama provokoi shqiptarët me Ruçin, vota jonë kundër. Largim i së keqes
Artikulli tjetërE vërteta e “dy votave të PD”, si u manipulua procesi i administruar nga PS