Cash-i që transportohet nga bankat, sa paguan kompanitë e sigurimit në 2015

Kompanitë shqiptare të sigurimit kanë paguar një nivel rekord dëmesh prej 30 milionë lekë për “cash-in” në tranzit në vitin 2015 (dëmet nga transportimi i pareve cash), sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Ky është niveli më i lartë i paguar deri tani, teksa në 2014 shifra është zero dhe në 2012-2013-ën u paguan përkatësisht 580 mijë lekë dhe rreth 1.5 milionë lekë. Janë kryesisht bankat ato që sigurojne cash-in në tranzit, që nga momenti që paratë fillojnë të transportohen deri kur dorëzohen në destinacion. Transporti kryhet nga zyrat qendrore në degë, nga dega në degë, nga banka qendore në degë dhe Tiranë-Rinës e Rinas-Tiranë. Teksa në 18 muajt e fundit janë regjistruar 3 vjedhje të parave të bankave, që transportoheshin nga kompanitë e sigurisë fizike (security), më  fundit në Rinas, kompanitë e sigurimit duket se kanë filluar të zgjidhin qeset. Megjithatë, shuma e paguar aktualisht është shumë më e ulët se vjedhjet (vlerësohet që shuma në të tre vjedhjet i kalon 5 milionë euro), për dy arsye. Së pari procedurat zgjasin me vite (dy vjedhjet e para ende nuk janë paguar fizikisht, ndonëse është bërë njohja e dëmit) dhe së dyti, ky produkt është kryesisht i risiguruar, çka nënkupton që është risiguruesi ai që paguan një pjesë të dëmit (skema e pagesës kompani-risigurues varet nga marreveshja). Kompania e sigurimeve duhet të paguajë dëmshpërblim në momentin që çertifikohet humbja, në baze të raporteve të autoriteteve dhe njohjen e dëmit nga kompanitë. Në vitin 2015, dëmet e paguara kanë qenë më të larta se primet që kompanitë e sigurimit kanë marrë nga klientët. Vjedhjet gjatë transportit të vlerave monetare, që nisën 18 muaj më parë duket se kanë rritur interesin e bankave e kompanive të tjera që mund të bëjnë transport parash për t’u siguruar. Sipas të dhënave nga AMF-ja, të ardhurat nga produkti cash në transport për kompanitë e sigurimit janë trefishuar për 5-mujorin 2016, duke arritur në gati 30 milionë lekë, aq sa ka qenë shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2015.

Artikulli paraprakÇmimet e konsumit pësuan rënie në një mesatare prej 0.1%
Artikulli tjetërBabëzia me tenderat, FZHR, 1 milion dollarë për një palestër shkolle