Bylykbashi: Votim elektronik për ti dhënë fund krimit zgjedhor

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e cilëson votimin elektronik si mjetin për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë fenomenit të shitblerjes së votës. Ai vlerëson se një mekanizëm i tillë do të garantojë eliminimine vjedhjes së votës, nxjerrjen e shpejtë të rezultatit si dhe fundin e kriminelëve zgjedhorë. Ai foli dje në lidhje me kërkesat e PD-së për reformën zgjedhore. I ftuar në rubrikën “Opinion”, Bylykbashi tha se demokratët kërkojnë futjen e teknologjisë në votim, në mënyrë që siç tha ai, tu hiqet çdo mundësi kriminelëve zgjedhorë.
“Ne kërkojmë futjen e teknologjisë në votim, identifikimin biometrik të zgjedhësve. Nuk do ketë njerëz që të votojnë për të tjerë. Votimi do të jetë absolutisht i pandikueshëm në aspektin e rezultatit dhe mbi të gjitha për të nxjerrë një rezultat na duhen një javë -10 ditë, kështu rezultati del brenda ditës. Votimi elektronik do të jetë një ndryshues loje aq i madh sa do tu heqë çdo mundësi kriminelëve zgjedhore”- deklaroi Bylykbashi. Sipas deputetit demokrat, reforma zgjedhore duhet të prodhojë një parlament që të përfaqësojë denjësisht shqiptarët. Një pjesë e sistemit të drejtësisë në të ardhmen vjen nga parlamenti. Parlamenti duhet të jetë i pahapur nga krimi siç është sot për fat të keq. A do të ishte më mirë që një reformë zgjedhore të na prodhonte një parlament që të përfaqësonte denjësisht shqiptarët. Zgjedhjet janë për pak më shumë se një vit.
Nuk është çështje e ndryshimit të kodit zgjedhor. Eshtë çështje veprimi që duhet të bëjnë institucionet e tjera. Ministria e Brendshme nuk bën regjistrin e adresave, që është themelor për saktësinë e listave të zgjedhësve” tha Bylykbashi. Lidhur me vendimin e Kushtetueses për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, Bylykbashi tha: “E rëndësishme është që sot në Ditën e Europës dhamë një model të fitores së kushtetueses mbi kusarinë e kësaj maxhorance”. Votimi elektronik u cilësua nga kreu i PD si një propozimet që opozita do ti parashtrojë komisionit për Reformën Zgjedhore. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritet mbi prioritetet për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë, tha zoti Basha në një takim me anëtarë të FRPD-së në Gjirokastër, do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e një prej problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që është shitblerja masive e votës. “Çfarë do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme?! Votimi elektronik, pra me gishtërinj që të mos mbledhin kartat një natë para, të mos kërkojnë fotografi të votës. Çështjen e financimit: kemi një model i cili po të vihet në funksion ligjërisht gjurmon në çdo bankë të Shqipërisë lëvizjen e “cash”-it. Se ju e dini që tre-katër ditë përpara shkojnë e nxjerrin “cash”-in për të blerë vota” është shprehur Basha.

Artikulli paraprak700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro nga Shqipëria kapen në Greqi
Artikulli tjetërPD, forca në të cilën mund të besosh