700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro nga Shqipëria kapen në Greqi

700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro e nisur me skaf nga Shqipëria është sekuestruar dje në Patra të Greqisë. Bëhet e ditur se droga e llojit kanabis sativa, u kap në brigjet ishulli Zakynthos, në Greqi. Operacioni i vlerësuar si ndër më të mëdhenjtë në Patra, u finalizua pas gjurmimit që efektivët bënë, pas informacioneve të mbledhura. Policia greke bëri të ditur se droga vinte nga Shqipëria.
Sipas policisë, 15 persona u arrestuan, shtatë prej të cilëve shqiptarë si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar të trafikut të drogës. “Ata dyshohet se i përkasin një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës”,¬ njofton policia greke, por pa dhënë identitetin e të ndaluarve.
5 prej tyre ishin në skaf, duke bërë transportin e drogës nga Patra në Zakyntho, kurse dy personat e tjerë u kapën në vendngjarje, duke pritur me kamion kanabisin për ta transportuar. Mediat greke raportojnë se, autoritetet greke ishin në dijeni dhe kishin informacion për këtë ngarkesë të madhe droge nga Shqipëria dhe me destinacion ishullin në shtetin fqinj. Pesë prej tyre dyshohet se ishin si “shoqërues” të mallit nga Patras në Zakynthos.
Departamenti grek i Antidrogës ka shkatërruar një nga grupet më të mëdha të trafikimit të lëndëve narkotike në Europë, pjesë e të cilit janë edhe shtetas shqiptarë. Operacioni është zhvilluar në Greqinë e Veriut, në ishujt e detit Jon, veçanërisht në Zakyntho. Sipas informacioneve të deritanishme, kreu i grupit ishte një shtetas grek, por shumë anëtarë të këtij grupi janë shtetas shqiptarë dhe, siç theksojnë burimet policore, ata i merrnin lëndët narkotike, kryesisht hashash dhe kokainë nga Shqipëria, i sillnin në Greqi, e më pas me anë të pjesëtarëve të tjerë të grupit i çonin në vendet e Europës Perëndimore.
Fitimet e grupit përllogariten në miliona euro. Dje u sekuesterua 700 kg hashash, me vlerë mbi 1.5 milionë euro, dhe janë arrestuar të paktën 15 persona, të cilët janë çuar në Athinë për t’u marrë në pyetje nga prokurori. Shumicën e lëndëve narkotike, siç transmeton edhe televizioni shtetëror i Greqisë, grupi e transportonte me motoskafe të shpejta ose me kamionë të transportit ndërkombëtar.
Prokurorët grekë, sipas mediave helene, kanë thënë se ngarkesa e drogës ishte nisur nga Shqipëria me një gomone dhe fillimisht u shkarkua nga trafikantët në Portin e Patras. Policia greke thotë se gjatë lundrimit në det, gomonia me rreth 700 kilogram u shoqërua nga 5 persona, 3 prej të cilëve emra të njohur të botës së trafikut. Më pas, ata e transportuan lëndën narkotike në rrugë detare drejt Zakynthos. Autoritetet e vendit fqinj kishin marrë sinjalizime për këtë grup trafikantësh dhe që prej së shtunës në mbrëmje kishte dërguar përforcime në ishullin e Zakynthos. Gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakynthos, janë bllokuar 700 kg kanabis që vinte nga Shqipëria. Destinacioni përfundimtar i drogës ishte Italia.

Artikulli paraprakAvionët me drogë fluturojnë mbi Vlorë dhe Kavajë
Artikulli tjetërBylykbashi: Votim elektronik për ti dhënë fund krimit zgjedhor