Budina: Teatri nuk do të shembet, do ta mbrojmë me të gjitha mënyrat

Regjisori Robert Budina shprehet se do ta mbrojnë teatrin deri në fund, dhe se “Turbina” do të lërë pa punë edhe ata që firmosën për shembjen, pasi nuk plotëson kushtet minimale. Sipas tij, vetëm një mendje e sëmurë mund ta vendosë veten mbi historinë e një kombi, shprehet ai në një intervistë për “Shekullin”.
-Zoti Budina, shtatori po afron, së shpejti projektligji që shemb teatrin do të kalojë përsëri në Parlament, çfarë mendoni se do të ndodhë?
Ne do të vazhdojmë të protestojmë. Do ta mbrojmë Teatrin deri në fund, me të gjitha mënyrat. Nuk jemi vetëm ne, është gjithë shoqëria civile, njerëz të thjeshtë sigurisht ka edhe anëtarë të politikës. Kur erdhën në pushtet, ata që janë në pozitë nuk thanë se do ta shembin teatrin, kështu që tani që po bëjnë një veprim që bie kundër atyre që premtuan për të marrë votat, do të thotë se votat nuk i kanë më. Ne kemi të drejtën legjitime për ta mbrojtur atë godinë dhe do ta mbrojmë nga ky antiligj!
-Sipas jush deputetët do të votojnë po njësoj, apo mund të ndryshojë diçka?
Unë them se ata do të votojnë po njësoj, kjo edhe prej kodit zgjedhor që bën të mundur zgjedhjen e deputetëve nga kryetari. Ata, në një situatë si kjo janë thjeshtë numra që nuk përfaqësojnë popullin, por përfaqësojnë kryetarin. Edhe kodi zgjedhor është bërë për kryetarët, për “mbretërit”, nuk është bërë për popullin. Pra, kështu minimizohen shanset që ata të veprojnë ndryshe. Ne gjithsesi do të shkojmë deri në fund!

-Keni tentuar të vijoni komunikimin me palën e huaj?
Sigurisht që po. Ne presim përgjigjet e tyre, që duhet të vijnë gjatë shtatorit. Edhe pse qeveria ende nuk u është përgjigjur 15 pyetjeve që ata ngritën, ne do të vijojmë komunikimin pasi europarlamentarët të kthehen në zyrë. Mendoj se përgjigja e tyre do të jetë pozitive, do të jetë kundër qeverisë, madje jam i bindur për këtë. Kjo vihet re edhe tek mënyra sesi i kanë bërë pyetjet. Ato nuk janë pyetje, por janë akuza, sepse qeveria “e ka shkelë me të gjitha këmbët”.
-Ndërkohë që ende nuk ka asnjë njoftim publik, por flitet se dy skenat (Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”) do të transferohen tek “Turbina”. Ju mendoni se ajo skenë mund ta përballojë një kapacitet të tillë?
Sipas burimeve tona, atje nuk ka vende për gardërobën, nuk ka dhoma ndërrimi, kabina për aktorët si dhe ka shumë mungesa të tjera. Tani po e kuptojnë të gjithë, edhe ata që kanë votuar pro shembjes se kur të shkojnë tek “Turbina” do të detyrohen të rrinë pa punë. Thuhet që është teatri aty, por kushtet nuk janë. Pra sipas burimeve, ai teatër nuk është absolutisht i përshtatshëm. Aty nuk janë kushtet më minimale për të bërë një shfaqje normale. Unë se kam parë, u takon atyre që kërkojnë të shkojnë aty ta shohin. Qeveria thotë s’ka lekë, por ka harxhuar 3,5 milionë euro për ta bërë atë. Edhe kjo është një hipokrizi e rëndë. Kur thotë se skam lekë, dhe lekët për të spostuar trupën nga teatri i ka, kurse për të rregulluar teatrin jo.

-Në këto rrethana çfarë i pret aktorët nëse Teatri shembet?
Teatri nuk do të shembet, sepse është një krim jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por në të gjithë botën. Nuk mund të bëhet ajo sepse do të shënonte rënien e çdo vlere në Shqipëri, duke nisur që nga mënyra sesi u bë ky ligj. Pastaj për mënyrën se si u votua, pasi është shkelë Kushtetuta, MSA-ja dhe këto nuk janë gjëra që mund të kalohen pa u vënë re, sepse tregojnë se demokracia nuk ekziston më. Pra ca oligarkë kapin politikën, qoftë majtas dhe djathtas dhe bëjnë ligjin në parlament ndërsa të tjerët i kthejnë në skllevër. Por nuk mund të jetë kështu! Nuk është kjo demokracia!
Në kushte të tilla ne do të vazhdojmë rezistencën tonë, pastaj ata aktorë që kanë vendosur për ta shembur, le t’i ruajnë metrat. Le t’i gjejnë ku janë! Por ata e kanë filluar manipulimin që tani në deklarimet që bëjnë për sipërfaqen e Teatrit.
Kanë zhdukur metra katrorë nëpër hipoteka dhe askush nuk të jep përgjigje për projektin, lekët që do të investohen, pjesën që ka blerë privati dhe sa do të mbetet e shtetit. Në qoftë se njerëzit nuk e kuptojnë që në këtë formë do të vidhet i gjithë vendi po ua lejuan, atëherë le të rrinë duarkryq, është puna e tyre, derisa tu futen në shtëpi. Derisa politikanët të fusin dorën në xhepat e tyre dhe në shtëpi, edhe pse kanë filluar ta bëjnë.

-Jeni që prej fillimit në këtë protestë, bashkë me ju ka qenë edhe bashkëshortja, Sabina. A ndien ndonjë lloj presioni apo frike që jeni bërë pjesë e kësaj rezistence?
Jo, nuk kemi asnjë lloj presioni, përveç një lajmi të rremë që ata përhapën për të na denigruar si figura. Madje edhe pjesa tjetër e respekton këtë që ne po bëjmë pavarësisht se shumë prej tyre kanë frikë të prononcohen. Njerëzit e kuptojnë se ne nuk kemi asnjë lloj interesi. Për ne do të ishte shumë më mirë të bënim filma, e “t’i bënim qejfin” shtetit që të na ndihmonte me projekte apo të na jepte ndonjë film të huaj, se ka në dorë shumë qeveria.
Po ne nuk zgjodhëm këtë rrugë, por zgjodhëm punën tonë dhe dinjitetin. Do të ishte shumë e lehtë të vepronim ndryshe dhe të mund të përfitonim kollaj projekte, por ne kemi zgjedhur këtë rrugë sepse mendoj se vendi duhet të bëhet tamam, nuk mund të bëhet ky vend sepse mori Berti dhe Sabina një projekt. Ky do të ishte interes i pastër! Ne nuk kemi frikë ,sepse nuk ka arsye. Madje mund të them se ne me rezistencën tonë po ndihmojmë dhe ata që po abuzojnë.
Po i ndihmojmë që të shpëtojnë nga hakmarrja e popullit sepse, nëqoftëse e bëjnë ata këtë do ta kenë shumë piks punën! Rrezik Partia Socialiste për 30 vjet nuk do të mund të vijë më në pushtet. Pra, duke mos i lënë ta shembin, ne shpëtojmë edhe vetë ata. Ose më mirë, pjesën më të madhe të tyre, sepse ne nuk shpëtojmë Edi Ramën, pasi ai do vetëm të marrë lekët edhe të iki. Po shpëtojmë të tjerët, pjesën pozitive. Pra, mund t’ju them se edhe kjo pjesë tjetër, ka shumë respekt për këtë që ne bëjmë, dhe nuk kemi asnjë lloj presioni apo kërcënimi.

“Shekulli”

Artikulli paraprakReagimi i fortë i Berishës për Ramën
Artikulli tjetërMiliardat e abuzimeve me tenderat e lavanderisë në spitale