Brenda janarit taksa 10 euro në rrugën e “Kombit”

Për një rrugë vajtje ardhje në rrugën e “Kombit” tarifa do të jetë 10 euro. Shqiptarët do të nisin ta paguajnë brenda muajit janar. Agjencia e Prokurimit Publik zhbllokoi sot koncesionin për rrugën e “Kombit” ku makinat e vogla do të tarifohen me 5 euro. Në një njoftim të publikuar në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst ku thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë.
Catalyst brenda 7 ditëve duhet të dorëzojë në Ministrinë e Transportit, pranimin e njoftimit të ofertuesit të zgjedhur, duke rënë dakord të pajtohet me kushtet e përcaktuara dhe të ekzekutojë marrëveshjen e koncesionit. Nëse Catalyst  refuzon koncesionin brenda 30 ditëve nga data e sotshme duhet të paguajë tarifën 20,000 euro.
Më 30 maj 2016 Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit hapi ofertat për dhënien me koncesion të rrugës së “Kombit”.
Ofertuesit ishin, Catalyst në pjesë të së cilës ishin kompanitë shqiptare, Salillari dhe Kastrati dhe kompania turke Vendeka.
Më 29 gusht Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të skualifikojë konsorciumin Vendeta dhe të parakualifikojë Catalyst si dhe ta përcaktojë atë si ofertuesin e preferuar. Duke ju referuar kësaj procedure, Ministria e Transportit, njoftoi konsorciumin Catalyst se oferta në lidhjen me koncesionin e rrugës së “Kombit” është pranuar.
Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot-Morinë.
Kushti i pazbardhur tërësisht nga Ministria e Transporteve është pjesë e ofertës së koncesionit. Për shkak se rruga e “Kombit” nuk përcakton kriterin e trafikut, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim, periudhë në të cilën pritet që trafiku të arrijë nivelin e maturimit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë ndërmjet 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese.
Kur Ministria e Transporteve shpalli fituesin e koncesionit, koncorciumin e përfaqësuar nga kompania turke Vendeka, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do të paguhej ky subvencion. (Transportet shpallin turqit të preferuar për koncesionin e rrugës së “Kombit”).
Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues, duke lënë fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë Catalyst, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e “Kombit”, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen-Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-paseve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Tarifa 35% më e lartë se ka propozuar konsulenti

Tarifa e kalimit prej 5 eurosh për automjet që do të paguajnë qytetarët është 35 për qind më e lartë nga niveli maksimal që ka propozuar konsulenti.
Konsulenti ndërkombëtar që qeveria pajtoi për të hartuar strategjinë e taksimit të rrugëve ka propozuar si nivel të përshtatshëm tarife për rrugët shqiptare intervalin nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për kilometër. Por në rrugën Durrës-Kukës, tarifa do të jetë 4.4 cent të euros për kilometër.
Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy By-Pass-ve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Sherr me Bankën Botërore për fituesin

Tenderi për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës përbën një rast të paprecedentë në historinë e prokurimeve publike në Shqipëri, ku qeveria ndryshoi fituesin në tavolinë në kundërshtim me sugjerimet e Bankës Botërore, duke ngritur dyshime të forta për korrupsion.
Përmes një shkresë zyrtare, e cila mban datën 18 korrik 2016, Korporata Financiare Ndërkombëtare, pjesë e Bankës Botërore, këshillon Ministrinë e Transporteve që të skualifikojë konsorciumin Catalyst të përbërë nga Kastrati dhe Salillari dhe të shpallë fituese Vendeka Bilgi.
“Në bazë të analizave dhe pas vlerësimit të ofertave, ne i rekomandojmë Ministrisë së Transporteve që të shkualifikojë Catalyst dhe të shpallë fitues konsorciumin Vendeka Bilgi”, thuhet në shkresën zyrtare të IFC.
Në dokument Banka Botërore, sqaron se Catalyst nuk i plotëson kriteret e tenderit, pasi nuk ka eksperiencë në mirëmbajtjen dhe operimin e rrugëve me pagesë, që ishte dhe kriteri më i rëndësishëm. Ndaj qeveria duhet të shpallte fitues konsorciumin turk Vendeka Bilgi, i cili përmbushte të gjitha kriteret.
Mbi bazën e këtij rekomandimi zyrtar, Ministria e Transporteve shpalli fitues konsorciumin turk të kryesuar nga Vendeka Bilgi, i cili kishte ofruar të investonte 110 milionë euro më shumë për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrugës. Por ky vendim u përmbys në Komisionin e Prokurimit Publik.

Artikulli paraprakKoncesioni 86 milionë USD i hemodializës shitet për 30 milionë lekë!
Artikulli tjetër1.5 miliardë USD taksa në tre vite