Brazil, kombëtarja olimpike nis punën

Kombëtarja e Brazilit të 23-vjeçarëve ka nisur punën për Olimpiadën Rio 2016, ku shpreson të arrijë në finalen e madhe për të festuar medaljen e artë në shtëpi. Emri më i lakuar në radhët e Selecaos është padyshim sulmuesi i Barcelonës, Neymar, i cili synon t’i shtojë palmaresit të tij një medalje të artë që në Brazil mungon. Të rrethuar nga forca të shumta sigurie, të besuarit e trajnerit Tite, janë shfaqur në humor, por edhe të fokusuar ku një vëmendje të madhe tërhoqën edhe dy talentet e së ardhmes, Gabriel Barbosa dhe Gabriel Jesus.
Sulmuesi i Santosit, Gabriel Barbosa, që është vënë në shënjestrën e Juventusit, e pranon se objektivi kryesor është vendi i parë, por ai shton se gara do të jetë shumë e vështirë. Sulmuesi i njohur gjithashtu edhe si Gabigol, e pranon se agjenti i tij vazhdon të jetë në bisedime me Zonjën e Vjetër dhe shumë shpejt do të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Në krahun tjetër, Gabriel Jesus që mbetet në mes të një gare mes City dhe United, thekson se ai e ka zgjedhur skuadrën e tij edhe pse nuk publikon emrin. “E ardhmja ime është përcaktuar dhe këtë e dinë shokët, familja dhe skuadra e Palmeiras. Gjithsesi, tani jam i fokusuar te Kombëtarja, sepse kërkojmë me çdo kusht medaljen e artë”, tha ai.
Interes për mediat lokale në Rio ka shfaqur edhe Neymar, i cili ka veshur petkun e liderit, duke dhënë udhëzime për shokët e skuadrës gjatë seancave stërvitore. Ylli i Barcelonës zgjodhi të merrte pjesë në Olimpiadë dhe jo në Kupën e Amerikës, për ta ndihmuar ekipin të fitojë medaljen e parë të artë në histori.

Artikulli paraprakAtletico Madrid ia beson sulmin francezëve
Artikulli tjetërÇfarë po ndodh mes Turqisë dhe Europës