Bozdo: Gati koncesioni i radhes edhe për ujin

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, në një reagim në lidhje me rritjen e çmimit të ujit ka akuzuar ERRU, e cila sipas tij “çuditërisht vendos të rrisë çmimin e ujit në Tiranë”. Sipas Bozdos nëse UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%, do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. “Pavarësisht se UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%, do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. Por ERRU i bën fresk politikës së ditës, jo qytetarëve. Në qoftë se UKT do të kishte një plan biznesi serioz, çdo bankë do ta financonte, pa patur nevojë të rritet aspak çmimi i ujit. P.S. Ndërkaq Veliaj ka dy vjet që mburret se e ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e UKT. Por qartazi gënjen! Mesa duket, do ta japin me koncesion. Por më parë po e kthejnë në fitimprurëse….sigurisht me lekët tona”, e përfundon Bozdo reagimin. Ndërkohë “Rilindja Demokratike” ka raportuar më parë duke iu referuar dhe ekspertëve të fushës se me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë. Plani i biznesit i firmosur nga drejtori i UKT, Redi Molla, nuk bën parashikime se sa do të rriten të ardhurat nga rritja e tarifave në mënyrë kaq të lartë. Aty flitet vetëm për “të ardhura të dëshirueshme”, të cilat për vitin 2018 janë 4 miliardë lekë ose 17 për qind më shumë se sa të ardhurat e pritshme 2017 ose 29 për qind më shumë se sa të ardhurat e vitit 2016.

Artikulli paraprakLSI: Rama po tenton pastrimin e parave të drogës përmes buxhetit
Artikulli tjetërBanka thotë se plakja e popullsisë është një rrezik për ekonominë