Borxhi tatimor rritje rekord me 330 milionë euro më 2016

Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet borxhi ndaj institucionit arriti në fund të vitit 2016 në më shumë se 147 miliardë lekë (1.07 miliardë euro). Kjo shumë zotërohet nga mbi 780 mijë biznese dhe individë në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare stoku i borxhit, deri në fund të 2016 përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 34% të totalit të borxhit. Mundësi potencialisht më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale, është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit, referojnë tatimet. Nga të dhënat rezulton se edhe në 12 muajt e fundit (deri më 31 dhjetor 2016) është shënuar rekord përsa i përket krijimit të borxhit tatimor, që në total për periudhën në fjalë arrin në 45 miliardë lekë (330 milionë euro) apo gati 31% e stokut të borxhit tatimor të krijuar në vite. (4.2% borxhi deri në 3 muaj; 3.8% deri në 6 muaj dhe 22.65 borxhi i moshës nga 6 në 12 muaj). Në fund të vitit 2016, referuar ndarjes sipas llojit të tatimit, vërehen detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në masën 35% e stokut të borxhit.
Në ndarjen e borxhit sipas llojit të tatimit, TVSH-ja zë peshën më të madhe të totalit të stokut të borxhit, ndjekur nga zëri “Të tjera” me 29% dhe më pas nga tatim fitimi, sigurime shoqërore shëndetësore dhe TAP. Gjatë vitit 2016 Drejtorisë së Mbledhjes me Forcë i është ofruar asistencë teknike nga FMN pranë DPT-së, e fokusuar në aspektin organizativ menaxherial. Drejtoria e Mbledhjes me Forcë në vijim të rekomandimeve të Misionit të FMN-së ka hartuar një plan veprimi në fund të vitit 2016 se do të grumbullohen këto detyrime. Viti 2016 ka qenë një vit intensiv bashkëpunimi i DPT me strukturat e saj në rajone për menaxhimin e borxhit duke maksimizuar përdorimin e instrumenteve që ndikojnë në uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve, duke sjellë një efekt pozitiv në pagesa të detyrimeve të prapambetura, objekt i mbledhjes me forcë. Të dhënat tregojnë se sensibilizimi i subjekteve për të paguar edhe vetëm nëpërmjet njoftimit dhe kërkesës për të paguar pati rezultat edhe pse rezultati më i lartë i pagesave ka rezultuar pas urdhër bllokimeve të llogarive bankare në masën 47%, referojnë tatimet.

Artikulli paraprakTahiri në trafikun e 8 ton droge në Itali, Prokuroria nis hetimet
Artikulli tjetërMe normën tatimore më të lartë në rajon