Me normën tatimore më të lartë në rajon

Shqipëria u rendit në vendet me normën më të lartë tatimore në rajon sipas një studimi të Al-Tax, por vendi gjithashtu paguan më pak taksa se çdo shtet tjetër i rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2016. Studimi tregon se edhe për vitin 2016, Shqipëria dhe Serbia janë vendet me normën më të lartë tatimore në vendet e rajonit të zgjerimit. Në të kundërt, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia kanë normën më të ulët tatimore në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Norma e taksave në Shqipëri është 36.5%, duke u rritur me gati 6 pikë përqindje në krahasim me 2014, kjo normë në Maqedoni është 13%, në Kosovë 15%, në Kroaci 20.9%, në Malin i Zi 22.2%, në Bosnjë 22.6% dhe Bullgari 27,0%. Por edhe pse formalisht Shqipëria ka normën më të lartë tatimore në rajon, paguan më pak taksa nga të gjitha vendet e rajonit. Sipas Al-Tax në vitin 2016, Shqipëria bashkë me Kosovën u renditën në vendet që paguajnë më pak taksa, me një barrë tatimore përkatësisht 24,4% dhe 23.5%. AL-Tax, me barrë tatimore mat pagesën e taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe në renditjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore Shqipëria paguan taksa në raport me PBB më pak se në të gjitha vendet e rajonit. Të ardhurat tatimore në Shqipëri që janë pjesa kryesore e buxhetit për vitin 2016 dhe 2015, ishin respektivisht sa 24,4% dhe 24.1% e PBB-së.

Artikulli paraprakBorxhi tatimor rritje rekord me 330 milionë euro më 2016
Artikulli tjetërShqipëria, me pagat më të ulëta në rajon, por me taksat më të larta