Bllokohet në Otranto gomonia me 7 kuintalë drogë nga Vlora

Guardia di Finanza italiane bllokoi dje në Otranto një gomone me 7 kuintalë drogë të nisur nga brigjet shqiptare. Mediat italiane shkruajnë se, gomonia është ndjekur në det nga Guarda di Finanza italiane, ndërsa tre trafikantët nga Vlora, kur kanë para që po ndiqeshin nga Guardia di Finanza e hodhën drogën në det për arsye që t’i shpëtonin ndjekjes.
Guardia di Finanza e Puglias, ka bërë të mundur që në orët e para të mëngjesit në afërsi të Otrantos të ndalojë mjetin lundrues tip gomone me tre shtetas shqiptarë në bord konkretisht: L.B, 38 vjeç, H.M, 23 vjeç dhe Xh.H 24 vjeç. Guardia di Finanza ka gjetur e sekuestruar në bordin e gomones 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Mediat italiane shkruajnë se, gomonia 8 metra e gjatë me dy motorë të fuqishëm u braktis nga trafikantët dhe u sekuestrua nga financierët e Guarda di Finanza. Droga ishte e ndarë në 31 koli me dimensione të ndryshme me peshën totale 712 kg, e cila nëse do të hidhej në treg do të kishte vlerën e 7 milionë eurove. Të tre skafistët nga Vlora u arrestuan për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Po vijon shkëmbimi intensiv i informacionit mes policive për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Ministri Xhafaj flet për masa, për strategji, por trafikantët e drogës vijojnë punën e tyre. Guarda di Finanza italiane sekuestroi ditën e djeshme në Otranto një gomone me 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Mediat italiane shkruajnë se droga është nisur nga brigjet e Vlorës.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon pa ndërprerje, ndonëse policia thotë se janë marrë masa për goditjen e trafikut. Policia shqiptare reagon vetëm në ato raste kur droga bllokohet në Adriatik nga Guarda di Finanza, duke mashtruar se gjoja operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim me policinë shqiptare. Nëse policia shqiptare do ta kishte seriozisht luftën kundër trafikut të drogës, atëherë duhet ta godasë atë që në nisje nga brigjet shqiptare dhe të mos mburret me operacionet e Guarda di Fanaza italiane.
Ata që drejtojnë trafikun e drogës nga Shqipëria janë njerëz të fuqishëm që kanë lidhje me qeverinë, ndërsa deri tani janë arrestuar vetëm transportuesit e drogës dhe jo krerët e bandës që trafikonin drogë drejt Italisë.
Para dy javësh, policia italiane sekuestroi 2.3 ton drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.
Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa. Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit. Brenda tij janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujërave territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen.
Nga janari i 2017 e deri në shtator në rajonin e Puglias janë sekuestruar rreth 28 tonë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria përmes detit kundrejt 22 tonë marijuanë të sekuestruar përgjatë gjithë vitit 2016.

R.POLISI

Artikulli paraprakVëllai i ministrit Xhafa me kallash në spitalin e Vlorës për të mbrojtur të plagosurin
Artikulli tjetërIsh-ministri Demiraj: bandat në mbështetje të hapur të PS