Ish-ministri Demiraj: bandat në mbështetje të hapur të PS

Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka reaguar për ngjarjet e fundit kriminale në Elbasan, Vlorë e disa qytete të tjera të vendit. Në një intervistë ekskluzive për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza të forta, duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë. Dritan Demiraj gjatë 4 muajve që qëndroi si ministër i Brendshëm arriti të kuptojë të gjithë skemën, sesi mbijetojnë grupet kriminale në vendin tonë.
“Prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE-ODHIR, i cili doli 4 ditë përpara. Në këtë kontekst kemi pasur disa mbledhje të Tass-Forcës unë i kam raportuar zv/kryeministres dhe pjesëtarëve të tjerë të Task-Forcës për përfshirjen e tyre në afera politike. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste”, u shpreh Demiraj për Tpz.al.
Demiraj evidenton edhe katër komisariatet më problematike në vend, aty ku krimi ka dorë të lirë dhe është mbi forcën e ligjit. Ish-ministri pohon gjithashtu se, ai ka marrë rolin e efektivit të policisë, duke arrestuar në flagrancë, persona me armë. “E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, ministri i Brendshëm zoti Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagojë. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, e Shkodrës, Lezhës, e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit”, deklaron ish-ministri i Brendshëm.
“Madje në disa raste kam qenë i detyruar vetë, me pjesëtarët e sigurimit eskortës që të bëjnë ndalimin e personave me armë”, shton ai më tej.
Aksioni “Vjeshtë 2017” u pompua me sukses nga Policia e Shtetit, ku u sekuestruan 84 makina luksoze në gjithë Shqipërinë, por sipas ish-ministrit të Brendshëm, vetëm në qytetin bregdetar të Durrësit, 64 persona mbajnë makina të blinduara. Ndërkohë, në qytetin më të madh në Veri, Shkodër, fenomeni i gjobëvënies është i dukshëm.
“Kemi situatë problematike në rrethin e Durrësit, kemi rreth 64 persona me makina të blinduara. Kemi situatë problematike në qytetin e Shkodrës, ku disa klane të caktuara, vendosin gjoba tregtarëve dhe një pjesë e mirë e tregtarëve, nuk guxojnë të mos paguajnë haraçe”, thekson Demiraj.
Duke folur për ngjarjet e fundit në Elbasan, ish-ministri i Brendshëm, deklaron grupet kriminale në këtë qytet kanë pasur gjithmon mbështetje politike. Kjo është parë tek kryeministri, thotë Demiraj, i cili nuk ka urdhëruar asnjëherë kontrollin e territorit.
“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dalë mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkretë. Kjo është e pafalshme”, shprehet Demiraj. Sipas tij, të gjitha grupet kriminale në Elbasan, kanë qenë gjithë kohës në vëzhgim, por problemet kanë filluar të dalin këto tre javët e fundit.

Artikulli paraprakBllokohet në Otranto gomonia me 7 kuintalë drogë nga Vlora
Artikulli tjetërVasili: Kryebanditi ka emër, ai që nuk i lufton bandat