Bllokimi i llogarive ka përkeqësuar marrëdhëniet e bankave me klientët

Urdhrat e bllokimit të llogarive nga Drejtoritë Tatimore janë të pakoordinuara dhe krijojnë konflikt me klientët, të cilët në shumë raste nuk njoftohen paraprakisht nga organet tatimore për ekzekutimin vullnetar të detyrimeve tatimore. Shqetësimi është përcjellë nga bankat në Këshillin e Investimeve, në kuadër të një hulumtimi për vështirësitë në procesin e apelimit.
Këshilli i Investimeve ka vërejtur se, zhvendosja e përparësisë së pagesave që rrjedhin nga detyrimet tatimore, si përparësia absolute mbi çdo kredi tjetër, tashmë në konkurrencë me kreditë e tjera sipas nenit 605 të Kodit Civil, ka sjellë nevojën e përgatitjes së një procedure të munguar të përbashkët ekzekutimi me subjektet e tjera të posaçme (përmbarues, autoritete doganore etj.) pasi “përplasja” e urdhërpagesave nga këto subjekte, secila sipas procedurës së saj, shkakton probleme dhe pamundësi në menaxhimin e situatës nga banka.
Bankat kanë rol të kufizuar dhe duhet t’u binden urdhrave të subjekteve të posaçme të autorizuara nga ligji, duke kryer veprimet e bllokimeve dhe/ose ekzekutimeve. Në rrethanat kur afatet e kryerjes së këtyre veprimeve janë të ndryshme për çdo subjekt, si dhe shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën, krijohet një situatë e vështirë për bankën, e cila nuk mund të “përzgjedhë” kreditorin e preferuar.
Këshilli i Investimeve ka arritur në përfundimin se banka vendoset në një situatë absurde pasi çfarëdo veprimi të kryejë do të penalizohet nga subjekt/et i/e pakënaqur. Duke pasur parasysh sa më sipër në lidhje me institucionin tatimor, por edhe me përmbaruesit gjyqësorë, banka është e detyruar t’i nënshtrohet një procesi përpunimi informacioni sipas kërkesave të këtyre subjekteve, fakt i cili reflektohet në nevojën e madhe të burimeve njerëzore, orëve të punës, materialeve të konsumit etj.
Sipas bankave, vendimet e gjykatave administrative janë dukshëm në favor të institucioneve shtetërore. Gjyqtarët e gjykatave administrative priren t’u japin përparësi institucioneve shtetërore, sidomos atyre qendrore dhe që janë pjesë e administratës fiskale. Është e dukshme që në rastin kur në një mosmarrëveshje administrative, palë në gjykim, është një bankë e nivelit të dytë, vendimet e gjykatave shkojnë kryesisht në favor të institucioneve shtetërore.
Nëse përballë bankës është një komunë ose bashki, atëherë gjykata e ka më të lehtë të zbatojë ligjin dhe të njohë të drejtën në favor të bankave.

Artikulli paraprakKu shkojnë 120 milionë eurot e taksës së qarkullimit?
Artikulli tjetërBankat kufizojnë blerjen e borxhit të qeverisë