Bankat kufizojnë blerjen e borxhit të qeverisë

Në katër muajt e fundit gusht, shtator, tetor dhe nëntor, bankat kanë kufizuar blerjen e borxhit qeveritar në pritje të rritjes së normave të interesit. Ministria e Financave, duke analizuar ecurinë e menaxhimit të borxhit të brendshëm për nëntëmujorin, thotë se ulja e ofertës së bankave lidhet me pritshmëritë e investitorëve për rritjen e normave të interesit në muajt e ardhshëm.
Gjatë nëntëmujorit 2016, kërkesa për tituj shtetërorë ka qenë 356.2 miliardë lekë, relativisht më e lartë se sa oferta e qeverisë që ka qenë rreth 289.4 miliardë lekë. Kërkesa ka tejkaluar ofertën e qeverisë me rreth 23%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kërkesa ka qenë vetëm 11% më e lartë se oferta.
Por gjatë muajve të fundit, raportet kanë ndryshuar, bankat kanë limituar ofertën për bono dhe obligacione më poshtë kërkesave të qeverisë, duke bërë që interesi i borxhit qeveritar të rritet me ritme të shpejta.
Ndërkoha baza e investitorëve, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë ndër vite në kuadër të diversifikimit dhe zgjerimit të saj, vazhdon të dominohet nga sektori bankar.
Oferta e qeverisë gjatë nëntëmujorit 2016 është organizuar në 57 ankande titujsh qeveritarë, përkatësisht 32 ankande për bono thesari dhe 25 ankande për obligacione.
Krahasuar me vitin e kaluar, numri i ankandeve të zhvilluara është relativisht më i ulët, duke qenë në përputhje me objektivat strategjike për përmirësimin e tregut primar dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e tregut sekondar.
Menaxhimi i borxhit ka ulur frekuencën e emetimit me qëllim që të krijojë tituj me vlera të larta, të cilat mund të stimulojnë edhe tregtimin në tregun sekondar. Ministria e Financave sqaron se gjatë vitit 2016, janë ndërmarrë aktivitete në kuadër të shmangies së segmentimit të kërkesës, nëpërmjet tërheqjes graduale të obligacionit 3-vjeçar dhe tërheqjes së obligacionit 7-vjeçar me norma interesi të ndryshueshme.
Por teksa rritja e interesave të letrave me vlerë të qeverisë po shkon në drejtimin e kundërt të politikës monetare, disa arsye qëndrojnë në sfond.
Ekspertë të sektorit bankar shpjegojnë se, interesi në rritje i bonove reflekton edhe një perceptim për rritjen e riskut, por sakaq oferta në ulje e bankave për bono thesari është përballë një plani të qeverisë për të rritur financimin e borxhit nga tregu i brendshëm.
Ministria e Financave parashikon se, gjatë vitit 2017, niveli i rritjes së normave pritet të jetë gradual dhe nën nivelin mesatar të 3 viteve të fundit. Nivel më të lartë rritjeje pritet që të ketë në segmentin e titujve afatshkurtër (bonove të thesarit) si edhe në segmentin e titujve me norma të lëvizshme, spread-i i të cilave është subjekt i ndryshimit në normat e bonove të thesarit 12-mujore. Gjithashtu, edhe huazimi në tregjet e huaja pritet që të shtrenjtohet, pasi parashikimet flasin për një rritje të mundshme të Euribor dhe Libor, rritje e cila do të reflektohet gjatë vitit 2017 në riçmimin e borxhit të jashtëm me norma interesi të ndryshueshme dhe në huatë e reja. Efektet e rritjes së normave mbi shërbimin e borxhit të huaj priten të jenë të moderuara pasi rreth gjysma e borxhit të huaj është huazuar me norma interesi fikse dhe koncesionale.
Efektet e rritjes së normave gjatë vitit 2017 priten të reflektohen kryesisht në dy vitet pasardhëse (2018-2019), parashikon Ministria e Financave.

Artikulli paraprakBllokimi i llogarive ka përkeqësuar marrëdhëniet e bankave me klientët
Artikulli tjetërFundi i Ramës