Bizneset e arsimit dhe shëndetit nuk kthejnë dot kreditë

Sektorët e ndërtimit, shërbimeve, tregtisë, arsimit dhe shëndetësisë ishin kredimarrësit më të këqij për vitin 2015, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë në raportin vjetor të Mbikëqyrjes.
Gjatë vitit të kaluar pothuajse të gjithë sektorët ulën peshën e kredisë me probleme për shkak se, bankat u përfshinë në një proces masiv të fshirjes së kredive të këqija të nxitura nga rregulloret e reja të Bankës së Shqipërisë.
Sektori i ndërtimit mbeti me përqindjen më të lartë të kredive me probleme. Kompanitë e sektorit nuk kanë kthyer 38 për qind të totalit të huave që kanë marrë nga bankat. Kjo peshë në vitin 2014 ishte më e lartë (42%), por procesi i fshirjes së tyre nga bilancet e ka ulur artificialisht peshën, pasi arkëtimi i huave vijon të ndiqet nga bankat. Sektori i ndërtimit zotëron 9.2 për qind të totalit të kredisë.
Biznesi i “Hoteleve dhe restoranteve” është kredimarrësi i dytë më problematik në ekonominë e vendit. Bizneset e sektorit nuk e kanë kthyer 29% të kredisë bankare nga 36% që ishte vitin e kaluar. Sektori ka peshë të ulët në totalin e kredisë për ekonominë me vetëm 2.7%.
Tregtia gjithashtu është kredimarrës problematik, duke moskthyer 29% të kredisë së marrë në banka. Pesha e sektorit në totalin e kredisë është e lartë duke zënë 24.7%.
Në mesin e bizneseve problematike në shlyerjen e huave bankare gjenden edhe disa biznese të ndjeshme që ofrojnë shërbimet sensitive për shoqërinë si arsimi dhe shëndetësia. Bizneset private në këto sektorë kanë një histori të vonë dhe tani kur tregjet e arsimit dhe shëndetësisë janë liberalizuar ndjeshëm, bizneset e sektorit janë në ngërç financiar.
Institucionet e arsimit privat nuk kanë kthyer 24.2% të kredisë që kanë marrë ndaj bankave, ndonëse pesha specifike e tyre ndaj totalit të kredisë është 1.1%.
Spitalet dhe klinikat private të shëndetit gjithashtu nuk kanë kthyer 27% të huave të marra në banka, teksa pesha e sektorit ndaj totalit të huasë është 0.7 për qind.
Sektori i pasurive të patundshme ka parë uljen më të madhe të huasë me probleme në vetëm 9% më 2015, nga 45% me 2015, por sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, procesi i fshirjes së kredisë së keqe nga bilancet e ka ndikuar më shumë këtë sektor.

Artikulli paraprak100% e bizneseve për taksat: Do mbyllim aktivitetin
Artikulli tjetërPse Shqipëria nuk i tërheq dot turistët rusë