Bilanc tragjik, 22 pushues të mbytur në këtë sezon turistik

Ky sezon turistik është kthyer në një rrezik vdekje për pushuesit në të gjitha plazhet e vendit. Sipas statistikave, gjatë këtyre dy muajve të sezonit turistik përfshi edhe të miturin që u mbyt dje në lumin Shkumbin, kanë humbur jetën 22 pushues në brigjet tona, një shifër tepër e lartë kjo po ta krahasosh me vendet e Europës. Janë jetë njerëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri. Qeveria harxhon miliona lekë me broshurat e promovimit, ndërsa nuk investon asnjë lek dhe nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve.
Ish-kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, në Shqipëri, këtë sezon turistik u mbytën pushues 4 herë më shumë se në mbarë Europën! Mbytja e një pushuesi në Velipojë ditën e hënë, sipas Berishës është e treta në 5 ditët e fundit në brigjet e vendit. Berisha numëron 21 viktima në këtë sezon turistik në ujërat e brigjeve të bregdetit tonë, sikur të ishin brigjet e askujt”.
“Me viktimën e sotme numri i pushuesve që u mbytën vetëm në ujërat e brigjeve të bregdetit të vendit këtë sezon turistik, kalon me mbi katër herë numrin e pushuesve të mbytur në të gjitha brigjet e deteve të Europës. Kjo shifër e paregjistruar kurrë më parë në Shqipëri, dëshmon kështu se brigjet tona janë brigje të një vendi pa shtet, brigje në të cilat, pavarësisht nga taksat që paguajnë pushuesit, jeta e tyre nuk kushton asgjë dhe, kundër rrezikut që paraqet uji, nuk investohet qoftë dhe një qindarkë nga qeveria apo bashkitë për shpëtimin e njerëzve në rrezik mbytje”, shkruan Berisha.
Berisha u shpreh ngushëllime familjarëve të atyre që humbën jetën këtë verë pa pasur asnjë lloj ndihmë të shpejtë shpëtimi. “Duke shprehur ngushëllimet familjes së viktimës së radhës dhe familjeve të të gjitha viktimave që u mbytën këtë verë pa patur asnjë lloj ndihme të shpejtë shpëtimi, dënoj si të papërgjegjshme dhe kriminale qëndrimet e qeverisë dhe vetë Noriegës për mungesën e plotë të ndihmës ndaj rrezikut të njohur që ekziston për jetën e pushuesve që lahen në ujërat e brigjeve tona!”, përfundon Berisha.
Dy pushues humbën jetën ditën e djeshme në plazhin e Divjakës dhe Velipojës. Një 12-vjeçare humbi jetën teksa u fut në det në plazhin e Divjakës, ku kishte shkuar bashkë me familjen për pushime. Burime nga policia bëjnë me dije se e mitura kishte hyrë në det bashkë me kushërirën 11-vjeçare, kur një dallgë i ka rrëmbyer të dyja.
12 vjeçarja, banuese në fshatin Krykuq, Divjakë, ishte duke u larë në det bashkë me kushërirën e vet, shtetasen M.L, 11 vjeçe, por është marrë nga rryma. Ajo u nxorr e vdekur në breg, kurse kushërira arriti të shpëtonte. Bëhet e ditur se, vajzave i erdhi në ndihmë një djalë 15-vjeçar, duke rrezikuar jetën e tij. Ndonëse për t’i nxjerrë në breg, i erdhën në ndihmë edhe të tjerë pushues, 15-vjeçari arriti i pari tek to.
Pasi ka nxjerrë vajzat në breg, edhe djali 15-vjeçar është transportuar në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk ishte mjaft e mirë. Burime policore thonë se, djali kishte pirë shumë ujë gjatë momenteve që përpiqej të shpëtonte dy kushërirat.
Po ditën e djeshme, një tjetër pushues nga Kosova u mbyt në Velipojë. Policia bëri të ditur se është mbytur në det një 76-vjeçar nga Prishtina. Ndërsa katër ditë më parë, humbi jetën një pushues në Vlorë. Gjatë këtij sezoni turistik janë mbytur në det edhe dy turistë të huaj. Një vajzë 15 vjeçe nga Rusia humbi jetën në det në Ksamil, ndërsa një turist çek u mbyt në Golem të Kavajës.
R.POLISI

Artikulli paraprakMerret peng për 4 mijë euro borxh një person në Velipojë
Artikulli tjetërAfera e IMSI Catcher, Gjykata kundër Prokurorisë për Çakon