Bie ndjeshëm këtë vit prodhimi i ullirit, dyfishohet çmimi i vajit

Prodhimi i ullirit këtë vit shënon rënie në Shqipëri dhe kjo po shoqërohet edhe me dyfishimin e çmimit të vajit të ullirit.

Në vend nuk ka më sasi vaji të viteve të shkuar pasi sipërmarrjet dhe fermerët i shitën ato tek sipërmarrjet e huaja në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Eksportet e vajit të ullirit këtë vit shkuan në rreth 7500 tonë me një rritje të ndjeshme drejt vendeve fqinje Italisë dhe Greqisë.

Masivet me ullinj në Shqipëri kanë këtë vit një prodhim më të pakët se viti i shkuar kur prodhimi i ullirit shkoi në rreth 160 mijë tonë.

Në Vlorë, një zonë e njohur për kultivimin e ullirit, fabrikat e prodhimit të vajit kanë nisur të punojnë me ritme të ulta.

Drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë Meno Besimaj thotë se në një vlerësim të përgjithshëm të kësaj qendre, e cila mbulon në nivel kombëtar problematikat e ullirit dhe vajit, ka një prodhim më të ulët të ullirit, por një çmim më të rritur të vajit.

“Në përgjithësi situata e prodhimit të ullirit sivjet është në nivele më të ulta krahasuar me vitin e shkuar pasi viti 2022 ishte një vit me prodhimtari të lartë të ullirit, rreth 160.000 tonë në shkallë vendi. Ka një gjë pozitive këtë vit për fermerët pasi çmimi do të jetë gati dyfish krahasuar me një vit më parë”.

Edhe Enerik Xhaferaj, një prodhues i vajit të ullirit, thotë se këtë vit çmimi i vajit të ullirit është dyfishuar.

Çmimi i vajit këtë vit është pothuajse dyfishuar. Nga 4 mijë lekë që ishte për litër vitin e shkuar, sivjet ka shkuar në tetë deri në dhjetë mijë lekë “

Sipas të dhënave zyratre në 8 muajt e këtij viti Shqipëria eksprtoi rreth 7500 tonë vaj ulliri që i përkaisn prodhimit të vitit të shkuar apo viteve më parë, në vlerën e mbi 26 milionë dollarëve.

Të dhënat e doganave shqiptare dëshmojnë se një litër vaj ulliri u eksportua mesatarisht me 3,5 dollarë një çmim i ulët krahasuar me kostot e fermerëve dhe fabrikave vendase.

Shqipëria është një nga vendet kryesore në Europë për kultivimin e ullirit me rreth 12 milionë rrënjë ullinj, nga të cilat rreth 11 milionë janë në prodhim.

Artikulli paraprakPunësimi pas pandemisë! Puna në distancë ka mbetur në disa kompani
Artikulli tjetërE hëna e parë e muajt, “betejë” për hallin e Berishës e jo për buxhetin e shqiptarëve