Biba votoi me dhimbje pro shkarkimit: ”Kajmaku është i denjë, por”…

KQZ shkarkoi sot me 5 vota pro, nga të cilat 4 vota i përkasin përfaqësuesve të Rilindjes në këtë institucion, kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, mandati i të cilit u ndërpre.

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri, deklaroi se vendimi për ndërprerjen e mandatit të Kajmakut duhet t’i bëhet i ditur urgjentisht Kryeministrit Edi Rama, ndërsa avokati mbrojtës i kryebashkiakut që shkarkuar paralajmëroi apelimin e vendimit.

Edi Rama në anën tjetër ka shmangur komentet lidhur me rastin duke iu përgjigjur shkurt “institucionet janë institucione”.

Ndërkohë ajo që tërhoqi vëmendjen në vendimin e marrë nga KQZ ishte qëndrimi i mbajtur nga anëtarët, përfaqësues të Rilindjes.

Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së, tha se pavarësisht se Agim Kajmaku nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, ai penalizohet nga vendimi i Kuvendit që parashikon që në rast të fshehjes së dënimeve, funksionari publik shkarkohet nga funksioni.

“Jemi në një fazë shumë delikate. Morali i shoqërisë është duke u ndërtuar dhe nuk duhet harruar që dhe krimineli më i madh ka dinjitet. Organet shtetërore duhet të mbrojnë dinjitetin e çdo qenie.

Në rastin konkret zotëria që është subjekt i hetimit, dhe nga materialet që ka ardhur nga prokuroria është dyshuar, është arrestuar dhe ka pasur arrestim për të për qarkullim të monedhave të falsifikuara.

Ka një vendim gjykatë për të, individi Kajmaku është i pafajshëm. Kajmaku është i denjë si individët e tjerë.

Vendimi i Kuvendit që thotë se fshehja e të dhënave çon në shkarkimin e funksionarit. Ne nuk jemi Kuvendi i Shqipërisë, ne kemi detyrim ta zbatojmë këtë vendim. Paçka që ky vendim e ka tejkaluar ligjin.

Agim Kajmakun nuk e kap ligji, por vendimi i Kuvendit. S’mund të behet bishti më i rëndë se sqepari.

KQZ-ja kam frikë se mund të bëj, pak ose aspak. Ky ka qenë vullneti i legjislatorit, ky është një vendim i Kuvendit dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë veçse ta zbatojmë”, tha Denar Biba.

Kërkesa e Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se Agim Kajmaku është i njëjti person me Jorgo Toton, ndaj të cilit, në Greqi, në Gjykatën e Janinës ka pasur një procedim penal për përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara.

Megjithatë, sipas organit të akuzës, nga hetimet e kryera rezulton se më datë 13.09.2019 ka një vendim pafajësie ndaj Kajmakut. Bazuar në vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të dërguar në KQZ, pafajësia e tij e bën që Kajmaku të mos jetë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës së kryetarit të Bashkisë së Vorës.

“Subjekti deklarues Agim Ymer Kajmaku, me funksion kryetar i Bashkisë Vorë, nuk përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 të ligjit Nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose që ushtrojnë funksione publike’, thuhet në dokumentin e Prokurorisë. Por kryebashkiaku i ri i Vorës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, rrezikon të penalizohet për faktin se nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit që ka qenë në hetim apo i arrestuar ndonjëherë. Subjekti Agim Kajmaku përfshihet në përcaktimet e pikës 3 germa ‘ç’, kreu III i vendimit nr. 17/2016 i Kuvendit të Shqipërisë”.

 

Artikulli paraprakKur duhet t’i merrni suplementet që të kenë më shumë efekt
Artikulli tjetërÇmontohet çeta e Ramës, ikën edhe Kajmaku, rradhën e ka…