Betonizimi i Tiranës, miratohen dy kulla të reja 20 katëshe dhe pallate pa fund

Ndërtimi është kthyer në sektorin kryesor që po tërheq fondet e lira në ekonomi. Punimet janë rizgjuar vrullshëm në kryeqytet pas miratimit të planit të ri rregullues dhe zgjerimit të Tiranës në pjesën veriore.
Portali i Ndërtuesve prezantoi ndërtimin e dy kullave 20-katëshe “Projekti Vaqari” në mes rrugës “Jordan Misja” dhe Bulevardit të Ri. Kullat do të ndërtohen nga kompania Kontakt shpk, e cila gjithashtu e ka paraqitur zyrtarisht projektin.
Projekti i Bulevardit të Ri, i cili ka përfunduar në 500 metrat e para dhe shumë shpejt do të përfundojë tërësisht deri në Lumin e Tiranës e ka sjellë zonën përreth tërësisht në parametra të tjerë.
Pjesa veriore e Tiranës poshtë unazës, nga rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, “Jordan Misja”, “Don Bosko” dhe deri në Laprakë është përfshirë nga një valë e re ndërtimesh. Deri më tani kjo zonë është dominuar nga ndërtesa të ulta, ish-magazina, por projektet e Bashkisë së Tiranës sidomos me ndërtimin e Bulevardit të ri pritet ta sjellin atë në dimensione të tjera.
Tirana është duke zgjeruar me blloqe të mëdha banimi të organizuara brenda dy unazave.
Kompania Kontakt SHPK dhe OMA një kompani gjermane e arkitekturës e kanë shpallur zyrtarisht projektin e tyre për zhvillimin e një blloku banimi të madh në qytetin e Tiranës. Projekti është prezantuar nga Reinier De Graf, partner i OMA dhe përgjegjës për projekte ndërtimi dhe masterplane në Europë, Rusi dhe Lindjen e Mesme.
Projekti do të jetë një bllok i madh banesash me ngjyra dhe do të jetë vendosur ndërmjet lagjes “Ali Demi” dhe Qytetit “Studenti”, një zonë aktualisht e dominuar nga ndërtimet informale.
Masterplani i Tiranës në këtë zonë propozon zhvillimin në një zonë pa rrugë makinash, me 70% hapësirë të lirë. Përgjatë zonës kalon një aks qendror që e lidh me qytetin, që shërben si hapësirë publike për të lidhur oborret.
Por teksa Tirana është duke u zgjeruar me shpejtësi si në ndërtimin e kullave të larta dhe komplekseve të ulta më shumë ndërtesa, projeksionet demografike nuk janë shumë optimiste. Popullsia e vendit do të vijojë tkurrjen, duke shkuar në rreth 1.7 mln banorë në vitet 2100, teksa ecuria aktuale e popullsisë po ecën më keq se parashikimet. Në fillim të vitit 2017 ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031. Numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grup moshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi. /Monitor

Artikulli paraprakSpanja në stërvitje, fyerje dhe fërshëllima ndaj Pike
Artikulli tjetërShqiptarët, fluks aplikimesh për Lotarinë Amerikane