BERZH: Rreziqet për ekonominë

Për Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në këto kohë, qeveria duhet të tregohet e kujdesshme dhe të garantojë qëndrueshmëri, mosrritje të borxhit publik, si dhe mjedis të sigurt për sipërmarrjen. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është optimiste për ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe në vitin 2017.
Projeksionet e saj mbetën të pandryshuara. Shqipëria do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon gjatë këtij viti dhe atij pasardhës, së bashku me Kosovën. “Projeksionet ekonomike për rajonin mbeten të lidhura ngushtë me terrorizmin, tensionet gjeopolitike dhe krizën e refugjatëve”, thuhet në raport.

– Vetëm pak ditë më parë, BERZH publikoi raportin vjetor për parashikimet ekonomike dhe Shqipëria vlerësohet të ketë ecuri pozitive…
Ecuria ekonomike e rajonit të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me situatën politike. Janë disa vende që po vuajnë prej kohësh nga mungesa e stabilitetit politik dhe kjo sjell pasoja negative në perspektivën ekonomike. Por, aktualisht ky nuk është rasti i Shqipërisë. Ne parashikojmë rritje ekonomike me 3.5% për këtë vit, që është mbi nivelin e parashikuar në vitin 2016, ndërsa për 2018-n, rritja ekonomike mendojmë se do të jetë në rreth 3.7%.
Por, kjo do të varet nga situata politike, por edhe nga tranzicioni i butë i ndryshimit të qeverive. Çdo devijim nga kjo logjikë natyrisht do të ketë pasoja negative në performancën ekonomike të vendit. Shqipëria ka një pozicionim më të mirë ekonomik në krahasim me disa nga vendet e tjera të rajonit, për shkak të investimeve të mëdha në sektorin energjetik, që janë duke u zbatuar dhe që zënë një pjesë të madhe të Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Këtu e kam fjalën për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, por edhe për HEC-in e Devollit që po realizohet nga Statcraft. Në opinionin tim, këto projekte do të vazhdojnë ecurinë pa u ndikuar nga situata dhe do të ndikojnë në performancën ekonomike. Nga analiza që ne kemi bërë në sektorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike janë edhe turizmi dhe bujqësia.

– A duhet të tregohet sistemi bankar i kujdesshëm në këtë periudhë?
Në Shqipëri, sistemi bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe likuid. Ka një rënie të lehtë të kredive joperformuese (NPL), gjë e cila është një shenjë pozitive dhe e mirëpritur. Por, pesha që ato kanë vazhdon të jetë e lartë dhe kjo shihet si një pengesë për të rritur kreditimin. Megjithatë, performanca e këtij sistemi do të shihet edhe në muajt në vazhdim, duke qenë se ka shenja të rritjes së kreditimit.
Në raportin e BERZH-it, ndër të tjera për Shqipërinë nënvizohet se, “rreziqet do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në periudhën afatmesme”, çfarë nënkupton kjo?
Ne mendojmë se rreziku kryesor në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë është situata gjeopolitike. Për ne është e rëndësishme që si Shqipëria, ashtu edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë rrugën drejt integrimit europian, përfshi këtu edhe në fushën ekonomike dhe kjo është baza për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm. Çdo devijim nga rruga drejt integrimit do të ishte rreziku numër një për ecurinë e ekonomisë.

– Cila do të ishte këshilla kryesore e BERZH-it për qeverinë shqiptare për situatën aktuale që po kalon vendi?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që vendi të ruajë konsolidimin fiskal të arkivuar gjatë viteve të fundit. Ky është një zhvillim pozitiv, i cili duhet të vazhdojë me apo pa një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nga ana tjetër, unë nuk dua që të përsëris atë që thuhet nga të gjithë, por zbatimi i Reformës në Drejtësi është thelbësore për investitorët, të brendshëm ose të huaj.
Transparenca dhe një sistem i duhur ligjor për të zgjidhur mosmarrëveshjet është baza e sigurisë për zhvillimin e sipërmarrjes.

– Duke qenë se jemi përpara një fushate elektorale, a duhet të tregohet e kujdesshme qeveria në investimet që mund të bëjë?
Qeveria është treguar e kujdesshme në menaxhimin e borxhit sovran në vitet e fundit. Në opinionin tim, qeveria duhet të maksimizojë zbatimin e projekteve brenda limiteve të huamarrjes së brendshme. Kjo është më e rëndësishme në projektet infrastrukturore që zhvillon qeveria. Huamarrja duhet të përdoret me efikasitet dhe në ato projekte që vendi realisht ka nevojë. Gjithashtu do të duhet një koordinim i ngushtë me institucionet ndërkombëtare financiare, por edhe me donatorët që financojnë projekte në Shqipëri.

– Si e vlerësoni politikën e prezantuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë për të frenuar euroizimin?
Mendoj se është një politikë e zgjuar kjo që po ndjek Banka Qendrore. Ne mbështesim përdorimin e monedhës lokale, por edhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Në Shqipëri ka pasur diskutime më të hershme sa i përket krijimit të Bursës, si një mjet për të zhvilluar tregjet kapitale, por ka edhe platforma të tjera që mund të merren në konsideratë siç janë platformat e tregjeve sekondare që mund të shërbejnë si një nisje e mirë për ngritjen e infrastrukturës së tyre. Ne, si BERZH do të vazhdojmë të jemi mbështetës dhe monitorues ndaj zhvillimeve të monedhës vendase, tregjeve të kapitaleve dhe do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë në këtë drejtim.

– Sektori i bujqësisë në Shqipëri karakterizohet nga informaliteti i lartë. A mendoni se kjo mund të përbëjë pengesë?
Kjo ka qenë historikisht një nga arsyet kryesore se përse ky sektor, i cili ka një peshë të konsiderueshme në PBB dhe në punësim, nuk ka qenë i aftë të tërheqë investime nga bankat. Natyrisht ky nuk është një problem që do të zgjidhet brenda një dite, por në fund të fundit, qëllimi i këtij projekti është që të lehtësojë kreditimin për bujqësinë. Ne shpresojmë që kjo të ndihmojë edhe në formalizimin e sektorit, por edhe në rritjen e gatishmërisë së bankave për ta financuar.
Por BERZH, përveç financimit, do të sigurojë edhe asistencë teknike. Do të jenë rreth 2 mln euro grant që do të jepen nga BERZH për këtë asistencë gjatë periudhës trevjeçare, në dy nivele: kundrejt institucioneve financiare për t’i ndihmuar ato që të përvetësojnë praktikat më të mira për kreditimin e bujqësisë. Kështu bankat do të mund të njohin më mirë huadhënien e këtij sektori, por edhe sesi të investojnë më mirë.
Pjesa tjetër e granteve do t’u jepet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në bazë të nevojave të veçanta, qoftë për konsulencë të huaj ose vendase. Qëllimi është që këto kompani të rriten, të bëhen më konkurruese, të dalin në tregje më të mëdha, të tërheqin investitorë të huaj apo edhe të eksportojnë. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me financimin, por edhe njohuritë (know how).

– Përse BERZH vendosi që të ndërmarrë këtë program? Çfarë vlerësuat te bujqësia shqiptare?
Bujqësia është një sektor me potencial, rreth 40-50% e popullsisë është e angazhuar në të, kontribuon me rreth 20% të PBB-së, si dhe favorizohet edhe nga kushtet natyrore.
Investimet kanë qenë modeste përgjatë viteve, për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e bankave për të dhënë hua. Tani mund të themi pa mëdyshje se është koha që vështrimi të kthehet nga bujqësia. Në fund të fundit, ka qenë edhe një vendim i marrë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, e cila do të kontribuojë me rreth 36 milionë euro gjatë periudhës 3-vjeçare.

– Por, kjo është hera e parë që BERZH ndjek një strategji të tillë, ku përfshihet edhe qeveria…
Po, kjo është hera e parë që qeveria shqiptare bëhet garantuese në një projekt të BERZH-it. Nuk ka ndodhur më parë. Gjithashtu është hera e parë që ne investojmë në një program ku ne ndajmë rrezikun e portofolit të kredisë. Pra, ne nuk jemi duke marrë përsipër rrezikun e institucioneve që janë pjesë e projektit, por ne i themi se këto janë kushtet dhe mbi bazën e tyre, bankat do të japin kredi dhe ne do të ndajmë 50 me 50 rrezikun e humbjeve potenciale. Me pak fjalë, ne po u besojmë aftësive të institucioneve financiare që janë pjesë e këtij programi për të marrë vendime të drejta. Gjithashtu ne po ndajmë rrezikun për huatë e ardhshme dhe kjo është një gjë që ne po e bëjmë për herë të parë si BERZH. Shqipëria po shërben si një “vend–test”. Ky do të jetë një projekt pilot. E nëse do të rezultojë i suksesshëm atëherë do të mund ta zbatojmë edhe në vende të tjera. Mund të themi se është një projekt inovativ për ne dhe Shqipëria është vendi i parë që po përfiton. Besojmë se vendi ka potencial.

Dora e shtrirë e BERZH për bujqësinë që nuk e bën qeveria

– Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka prezantuar një program krejtësisht të ri për financimin e sektorit të bujqësisë në të gjithë zinxhirin e tij. A mund të na njihni më në detaje me këtë nismë?
Kjo nismë quhet “Mbështetja për sektorin e bujqësisë” dhe do të zgjasë tre vjet në termat e financimit. Gjatë kësaj periudhe objektivi është që të disbursohen 180 mln euro për sektorin e bujqësisë në të gjithë zinxhirin e tij, duke filluar nga fermeri i thjeshtë e deri te kompanitë e shpërndarjes. Në këtë program përveç BERZH-it, do të angazhohen gjashtë institucione financiare vendase, katër banka dhe dy institucione të mikrofinancës. Pikërisht këto institucione do të shpërndajnë kredinë te sipërmarrjet të mbështetura nga BERZH-i, por edhe nga qeveria shqiptare.
BERZH do të ndajë 50% të rrezikut të portofolit për secilin prej gjashtë institucioneve financiare gjatë tri viteve të ardhshme.
Nga ana tjetër do të kemi edhe një garanci nga qeveria shqiptare, një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e këtij programi, pasi do të garantojë 20% e parë të humbjeve potenciale të kredive. Ndërsa pjesa tjetër e riskut do të mbulohet nga BERZH dhe institucionet financiare.

– Cilat do të jenë kushtet që biznesi të përfitojë nga ky portofol?
Duke qenë se në këtë projekt do të përfshihet edhe qeveria shqiptare, kjo tregon se është një inçentivë e rëndësishme për sektorin e bujqësisë, me qëllim që institucionet financiare të kreditojnë në mënyrë më “agresive”. Është në dorën e bankave apo të institucioneve të mikrofinancës që të përcaktojnë kushtet e kreditimit, si dhe normat e saj. Ato do të ndryshojnë sa nga njëra te tjetra dhe do të varen nga cilësia e huasë. Por, duke qenë se 20% i parë i riskut do të mbulohet nga shteti, atëherë kjo do të garantojë kushte të favorshme.

– A ka një parashikim se sa mund të jenë përfituesit?
Nuk ka një shifër për këtë. Institucionet e mikrofinancës do të mund të kreditojnë kryesisht sipërmarrje të vogla dhe/apo individë, pra do të ketë një numër të madh kredish që do të disbursohen nga ana e tyre. Ndërsa bankat do të kreditojnë shifra më të larta dhe kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ky është një program që mbështet kryesisht këtë target biznesesh dhe institucionet duhet ta respektojnë. Ndiqet logjika që nuk duhet të shpërndahen sasi të mëdha në një dorë të vogël subjektesh.
Ajo që mund të them është se në fund të muajit prill, ne kishim 1,068 kredi të shpërndara nën këtë program për një total prej 8.5 mln eurosh. Ka ende punë për të bërë për të arritur te vlera totale që është 180 milionë euro. Aktualisht, katër nga gjashtë institucionet po e zbatojnë, pritet që të nisin edhe dy të tjerat.

Artikulli paraprakShqipëria më e varfër edhe se Mali i Zi dhe Maqedonia
Artikulli tjetërEksportuesit, të shqetësuar për orarin e kufizuar për deklaratat doganore