Basha me Europol: Gjurmim pasurive të zyrtarëve të lartë

Drejtori i Europol, Rob Wainright deklaroi dje gjatë një takimi me kreun e opozitës, Basha se institucioni që ai drejton do të hetojë dhe gjurmojë asetet e krimit të organizuar shqiptar dhe pasurive të fshehta të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni. Kjo është një nga deklaratat më të forta të drejtuesit të Europol, ndërkohë që ky qendrim vjen në një kohë që qeveria Rama konsiderohet nga Departamenti i Shtetit e korruptuar në çdo hallkë të saj. OSBE ka vlerësuar përmes një raporti konfidencial se pasuria e Ramës nga korrupsioni dhe trafiqet arrin në 200 milionë euro dhe është e fshehur në parajsat fiskale. Mekanizmat europianë të luftës ndaj krimit dhe pasurimit të parave po vihen në lëvizje jo nga qeveria që tani njehsohet me organizatën kriminale, por nga kreu i opozitës. Edhe mbështetja që Europol i bën projektit të Bashës është një tjetër dëshmi e kreut të opozitës po pritet në takime si Kryeministri i ardhshëm i vendit.
Organizmat europianë të luftës ndaj krimit kanë qenë mjaft aktiv në gjurmimin e deputetëve të krimit të qeverisë Rama. Rasti i Mark Frrokut solli një përplasje të ashpër mes Interpol dhe organizatës së krimit që kontrollon qeverinë në Tiranë, e cila mbronte Frokun, ndonëse ai ishte kërkuar të ekstradohej nga Belgjika. Në raportin e fundit të Europol mbi trafikun e drogës, ky institucion është mjaft kritik me qeverinë Rama, duke e konsideruar atë si furnizuesen kryesore të Bashkimit Europian me drogë.

Europol: Shqipëria burimi kryesor i drogës drejt BE

Tre vjet, pasi Shqipëria goditi Lazaratin, Europol e quan vendin si burimin kryesor të prodhimit dhe trafikut të kanabisit në Europë. “Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE”, shkruhet në raportin vitit 2017 mbi “Vlerësimin e Rrezikut të Krimit të Organizuar”, siç mund ta shihni në faqen e Europol.
Raporti i Europol tregon tre rrugët kryesore që përdorin trafikantët e kanabisit; atë drejt Italisë me mjete lundruese – skafe, gomone, peshkarexha, anije, kamionë – drejt Holandës e Gjermanisë nëpërmjet Mali të Zi e Bosnjes dhe atë drejt Greqisë.
Këto janë rrugët ku gjatë vitit 2016 dhe fillimit të 2017, janë kapur sasitë më të mëdha të kanabisit të prodhuar në Shqipëri, disa dhjetëra tonelata.
Raporti i Europol vjen pas deklaratës së kreut të Antimafias italiane, i cili tha në Tiranë se, prodhimi dhe trafiku i kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë është trefishuar.
I gjithë trafiku, sipas Europol, bëhet nga banda të krimit të organizuar.
“Prodhimi i drogës, trafikimi dhe shpërndarja: Tregtia e drogës mbetet një nga format kriminale më të përhapura në BE. Më shumë se sa një e treta e grupeve kriminale aktive në BE janë të përfshira në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e llojeve të ndryshme të drogës. Shkalla e prodhimit industrial të drogës sintetike brenda vendeve të BE është zgjeruar dhe çimentuar në BE, duke u kthyer në burim kryesor në shpërndarjen e saj në gjithë globin”, thuhet në raportin e Europol.
Për kanabisin, prodhues kryesor i të cilit mbetet Shqipëria, në raport shkruhet:
“Kanabisi mbetet, deri më tani, droga ilegale më e konsumuar në BE. Në vitet e fundit, kanabisi bimor ka pasur një rritje të madhe mes konsumatorëve, kjo ka çuar në rritjen e prodhimit të tij në vendet pranë BE-së si dhe përdoruesve brenda tregjeve të BE. Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE”.
Raporti është hartuar mbi bazën e të dhënave të shërbimeve të inteligjencës së disa vendeve, të cilat janë të prekura nga trafiku i drogës.
Në Shqipëri, kanabizimi i vendit është denoncuar me forcë nga PD në opozitë dhe LSI që është pjesë e mazhorancës.
Qeveria dhe Ministria e Brendshme në veçanti keqpërdorën një monitorim të Guardia di Finanza, duke thënë se kishin shkatërruar 98% të drogës së mbjellë, kur në fakt bëhej fjalë për 98% të 17% të sipërfaqes së Shqipërisë.
Në luftën e shifrave, qarqe të qeverisë ushtruan jo pak presion edhe ndaj ambasadorit të OSBE, Borchardt, i cili tha se 2 miliardë euro para të pista të ardhura nga kanabisi janë gati për t’u përdorur për zgjedhjet. Një ditë më vonë, ai u thirr në një takim nga Opozita thotë se paratë e kanabisit, që është kultivuar me leje të qeverisë dhe me implikimin e drejtpërdrejtë të policisë së drejtuar nga Saimir Tahiri, do të përdoren për të blerë zgjedhjet e 18 qershorit, ashtu siç u veprua në zgjedhjet e pjesshme të shtatorit 2016 në Dibër.
Raporti i Europol ngre shqetësimin se grupet e krimit të organizuar në fushën e narkotikëve vazhdojnë të jenë aktivë në trafikun e kanabisit. Tonelata me drogë raportohen çdo javë të kapura në Itali. Tonelata të tjera, dyshohet se kalojnë me gomone të fuqishme e kamionë.
Të ardhurat e këtij trafiku në të cilin është implikuar edhe qeveria e policia – thotë opozita – do të shkojnë për të blerë vota. Kjo është një ndër arsyet kryesore që ajo kërkon të shkojë në zgjedhje me qeveri teknike.

Takimi Basha-Wainright për paratë e krimit dhe qeveritarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi dje drejtorin e Europol, Rob Wainright, të cilin e falenderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer që çoi në liberalizimin e vizave me Europën në fund të vitit 2010, çka mundësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Basha dhe Wainright ndanë shqetësimin e thellë për prodhimin dhe trafikimin tronditës të marijuanës në Shqipëri, kthimin e vendit në portë për tranzitimin e heroinës si dhe një vend kryesor për pastrimin e parave. Fenomene që janë theksuar në raportin e fundit të Europol. Zoti Basha e njohu drejtuesin e lartë të Europol me planin e PD për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme për të ndaluar prodhimin e trafikimin e drogës. Kreu i opozitës diskutoi me shefin e Europol mundësinë e vendosjes së protokollit për bashkëpunim të shpejtë në lidhje me verifikimin e shenjave të gishtërinjve me qëllim zbatimin efikas të ligjit të dekriminalizimit, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikantëve të drogës. Wainright ofroi mbështetjen e tij për këtë projekt si dhe për hetimin dhe gjurmimin e aseteve të krimit të organizuar dhe pasurive të fshehura të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni. Wainright ishte i pranishëm në punimet e samitit të PPE sot, ku Europol mori çmim për merita në luftën ndaj krimit.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakKomandanti francez i KFOR-it: Unë e ndava Mitrovicën
Artikulli tjetërBerisha-Ramës: Fundi yt është burgu ose fataliteti!