Berisha denoncon Ramën: Do lirojë Aldo Baren javën tjetër

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi dje në Parlament se pas lirimit të anëtarëve të bandës Hakmarrja për Drejtësi, Edi Rama ka përgatitur lirimin e një tjetër kryekrimineli, atë të Aldo Bares. Ai tha se Rama ka urdhëruar dërgimin e dosjes së Aldo Bares në gjykatë me qëllim lirimin e tij në javët në vijim. Duke e cilësuar Ramën si kokën e krimit në vend, Berisha denoncoi marrëveshjen e Ramës me Hakmarrjen për Drejtësi për të liruar anëtarët e saj.
“Të vijë këtu t’u thotë shqiptarëve se cilat mesazhe merr nga burgu, nga Aldo Bare, Dritan Dajti, cilat janë sms-të që merrte nga burgu nga Lul Berisha, se cila është marrëveshja që bëri në Bruksel me Hakmarrjen për Drejtësi, grupi terrorist më i fuqishëm i Ballkanit, që e shpalli të pafajshëm një javë më parë. Vetëm për shoferin shqiptarët e kanë të freskët në memorie reagimin e fuqishëm që bëri në atë kohë përfaqësuesi i vendit më të madh të botës, ambasadori Xhefrey kur këta sikarë, këta terroristë vranë dhe ekzekutuan në mes të bulevardit shoferin e prokurorit të Përgjithshëm, që e keni dhe anëtar Asambleje sot (Sollaku).
Edi Rama është koka e krimit, e bandave, i denoncuar nga Dondollaku në Prokurorinë e Firenzes si njeri i Bandës së Lushnjës, i përkulet deri te këmbët Aldo Bares dhe i ka çuar dosjen për ta nxjerrë dhe atë të lirë javën që vjen. Gradualisht po përgatit lirimin e Zani Çaushit. A e dini more të mjerë, që jeni fund e krye skllevër të banditëve, se Hakmarrja për Drejtësi është dënuar në kohën kur Kondi ishte kryetar gjykate, i zgjedhur prej jush, si dhe anëtar i kryesisë së PS. Por prapë nuk ishte këlysh i Bllokut si Edi Rama, prapë nuk kishte bërë pazaret që ka bërë Edi Rama me Hakmarrjen për Drejtësi. A e dini apo jo se kur u dënuan vrasësit e Azem Hajdarit ishit ju në pushtet si parti dhe sot Edi Rama miraton vendime për shpërblimin e tyre sepse çon Hickën për të përfaqësuar shtetin në gjykatë ndërkombëtare”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri risolli në vëmendje denoncimet për lidhjet e Olsi Ramës me bandën e Hakmarrjes për Drejtësi, si dhe lidhjet me trafikun e drogës.
“Javën e kaluar denoncova këtu lidhjet direkte të Olsi Ramës dhe të ndrikull Jona Dervishit me grupin e Hakmarrjes në Drejtësi, me grupin e Xibrakës. Javën e kaluar solla fakte, data, fotografi të sistemit TIMS të shtetit ku faktohej se Olsi Rama dhe ndrikull Dervishi kishin kaluar disa herë kufirin me makinën e grupit të Xibrakës, grupit të Hakmarrjes vetëm e vetëm për të transportuar kokainë.
Edi Rama heshti si fije bari, Olsi Rama nuk thotë një fjalë. Të vijë t’u thotë shqiptarëve pse vëllai i tij përdor për të dalë jashtë shtetit pikërisht makinën e përshtatur për transportin e kokainës. Ka 4 javë që fshihet si mi dhe s’del dot! Të vijë këtu t’u thotë shqiptarëve se pse vetë ai, në emër të Hakmarrjes për Drejtësi u implikua direkt në hotel ‘Vollga’, duke nxjerrë në plan të parë kryebanditët Dabulla”, tha ish-Kryeministri.
Berisha tha se 18 shkurti është misioni historik i çdo shqiptari për t’i dhënë fund krimit në pushtet.
“18 shkurti është dita e fillimit të madh, është dita e fillimit të ri, është dita e misionit të ri të çdo shqiptari, misionit historik para vetes, fëmijëve, vendit dhe të ardhmes!
18 shkurti është dita e misionit të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që nuk duan kurrë që regjimi sundues i vendit të tyre të jetë një banditokraci, që nuk mund të tolerojë kurrë më tutje që Shqipëria, toka e Zotit, dheu i njerëzve që qëndruan shekuj e mijëvjeçarë, dheu i njerëzve më të vuajtur dhe më me sakrifica në Europë, të shndërrohet në një Banditistan.
18 shkurti është dita e misionit të atyre që vendosin për t’i dhënë duart njëherë e përgjithmonë kryebanditit Ervin Kristaq Rama, njeriut që në pushtet solli terroristët, solli bandat kryesore, solli krimin më të shëmtuar”, tha ish-Kryeministri.
“18 shkurti është dita e fillimit të madh të një misioni, më i madhi nga 20 shkurti i 1991, që do të thërrmojë dhe do të shkërmoqë Banditokracinë. Ky kryebandit rrethohet këtu në Parlament nga banditë të tjerë, nga ministra të pafytyrë, hajdutë që ndërtojnë parajsë dhe vila me paratë e të sëmurëve me kancer, që me paratë e drogës dhe të bixhozit ndërton parajsën e tij, që instaloi skafin dhe trafikun e drogës. Me përfaqësues në krye të diplomacisë një mashtrues dhe hajdut ordiner, një njeri i cili nën ligjin e Banditistanit i thotë komisionit parlamentar se kishte informuar presidentin dhe presidenti e nxjerr të pafytyrë siç është, ndërsa njoftimin ja dërgon presidentit dy ditë më mbrapa. Ja ky është diplomati i Banditistanit dhe i banditokracisë.
Dita e qytetarëve po vjen! 18 shkurti është dita e misionit të madh për çdo shqiptar sepse kryebanditi e ka mbushur Parlamentin me përdhunues, sepse kryebanditi e ka mbushur Parlamentin me trafikantë dhe mashtrues”, u shpreh ish-Kryeministri.

“Pulla e kuqe” të mos vijë më në Parlament!

Mungesën e Ramës dje në Parlament, Berisha e cilësoi si një burracak, i cili ka frikë të përballet me opozitën. Duke e cilësuar atë si “Pullën e kuqe” të Parlamentit, Berisha tha se do të ishte më e drejtë që Rama të mos shkelte më kurrë në Parlament.
“Në mbështetje të kërkesës së zonjës Topalli për mungesën e Kryeministrit, theksoj se ai nuk është më Kryeministër, ai është ‘pulla e kuqe’ e këtij Parlamenti! Ndaj mos të duket më në Parlament! Mos t’ia shohim më bojën në Parlament, ai nuk ka asnjë lidhje me këtë Parlament! Një burracak që nuk përballet dot, një burracak që lakuriqësinë e vet do t’ia përcjellë Parlamentit si ‘pullë të kuqe’ – pulla e kuqe është e cullakut, e lakuriqit, e dini – ndaj dhe të mos vijë më në Parlament!
Të marrim vendim që ta nxjerrin përfundimisht nga Parlamenti. Ky është vendimi që presin shqiptarët. Më mirë ta marrim ne sesa ta marrë nesër sheshi, do të jetë më e urtë kjo. ‘Pulla e kuqe’ të mos vijë më në Parlament!”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakSi këlyshi i Aldo Bares në Kuvend provokoi konfliktin
Artikulli tjetërVullnet mbarëpopullor për të ruajtur votën e lirë