Benzema, “djali i keq” i futbollit francez

Karim Benzema, një emër që kohët e fundit në Francë ka prodhuar debat dhe polemika. Pak orë pas deklaratës së lojtarit, i cili akuzoi francezët për racizëm, duke e cilësuar këtë edhe si motivin më kryesor për përjashtimin nga Kombëtarja, “Daily Mail” futet më në detaje në jetën e sulmuesit, duke zbuluar disa anë të errëta të së shkuarës së tij. Benzema që në fëmijëri mbante nofkën “Coco” është rritur në një nga getot më të izoluara të Lyonit. Ai, ashtu si shumë të rinj të brezit të dytë apo të tretë të emigrantëve nga Afrika e Veriut e kaloi rininë në lagjen famëkeqe “Bron-Terraillon” ku bandat dhe krimi i armatosur bëjnë ligjin. Benzema është i apasionuar pas muzikës hip hop, adhuron Valentino Rossin dhe është i fiksuar me filmin “Gangsterët amerikanë”.
Talenti i madh e shkëputi atë nga llumi i lagjes së varfër dhe e katapultoi direkt në majën e futbllit botëror. Ai tashmë është pjesë e Realit të Madridit, ku përfiton 10 milionë euro në vit dhe luan përkrah futbollistëve më të mirë të globit. Gjithsesi, as me hapin e madh të jetës, ai nuk arriti ta ndryshonte karakterin e formuar që në rini që i nxjerr në pah limitet. Shembulli më i mirë është historia e shantazhit ndaj shokut të skuadrës Mathieu Valbuena. Tashmë e ardhmja e tij është kthyer në një nga çështjet më të mëdha të debatuara në Francë, që nga Eric Cantona apo edhe deri tek kryeministri Manuel Valls.
Për këtë arsye, Federata u detyrua ta përjashtonte nga Kombëtarja. Në këtë mënyrë lind pyetja: Si është e mundur që një nga lojtarët më të pasur dhe të vlerësuar të botës të dështojë në këtë mënyrë? E vërteta është që Benzema nuk është larguar asnjëherë nga getoja e tij në Lyon, pasi kjo nuk është hera e parë që ai ka telashe me ligjin. Në vitin 2012, bashkë me Ribery u akuzua për marrëdhënie seksuale me një minorene, por ia hodhi paq. Këtë herë, nëse rezulton fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria, 28-vjeçari rrezikon deri në 5 vjet heqje lirie dhe ky do të ishte fundi i karrierës së tij.
I përfshirë në çështjen e shantazhit ndaj Valbuenas, 28-vjeçari mori një goditje të rëndë, pasi nuk u grumbullua nga Franca për Euro 2016. Për të Reali i Madridit ishte streha e duhur për ta kaluar këtë periudhë të vështirë me një sukses të jashtëzakonshëm në turneun më të rëndësishëm për klube.

Artikulli paraprakMos e nëvlerësoni!
Artikulli tjetërFundi i qeverisë Rama