Behrami, Xhaka e Shaqiri në dilemë për Kosovën

Familjarët e Valon Behramit, Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, kanë folur nëse yjet e Zvicrës do t’i bashkohen Kosovës.
Të gjithë kanë deklaruar për një të përditshme, disa në kushte anonimiteti, se ende nuk kanë vendosur asgjë, madje dikush kërkon edhe garanci nëse është i lejuar ndërrimi i kombëtares.
Ragip Behrami, babai i Valonit, ka konfirmuar se është kontaktuar nga krerët e FFK-së, në lidhje me vendimin e mesfushorit të Watfordit dhe Zvicrës.
“Dua të them të vërtetën se ende nuk ka asgjë. Është një vendim i vështirë. Nuk di asgjë se çka do të bëhet. Me Valonin nuk është takuar askush. Takimi ka qenë vetëm me mua, por asgjë nuk është vendosur, Valoni aktualisht është lojtar i Zvicrës. Tash për tash nuk ka asgjë”, ka thënë Ragip Behrami.
Ndërkohë, kontaktin me familjen Xhaka e ka konfirmuar për gazetën një i afërm i familjes.
“Duhet që së pari Kosova të marrë një përgjigje definitive nga FIFA se a me të vërtetë mund të ndërrojnë mjedis”, ka theksuar ai.
Një burim tjetër i afërt me familjen Shaqiri, tha se po ashtu duan qartësi se a janë në FFK të sigurt se FIFA lejon ndërrimin e përfaqësueses evropiane në atë të Kosovës.
Vendimin nuk e ka marrë as Valon Berisha i Norvegjisë dhe Salzburgut. “Ende nuk ka asgjë, do të lajmëroj”.

Artikulli paraprakBasha tek Bari vlerëson De Biazin
Artikulli tjetërPrezantimi i Januzajt tek Sandërlendi