Basha tek Bari vlerëson De Biazin

Migjen Basha u prezantua nga Bari si një ndër afrimet më të rëndësishme në këtë verë. Mesfushori shqiptar, i cili gjatë pjesës së dytë të sezonit u aktivizua me Comon në formë huazimi nga Luzerna, premtoi se do të japë maksimumin për skuadrën, ku dëshiron të rikonfirmohet në futbollin italian.
“Nuk ju premtoj se do të shënoj 4-5 gola, por vetëm që do të jap maksimumin”, theksoi fillimisht Basha.
“Vij nga një sezon jo pozitiv dhe dëshiroj të bëj mirë. Kam luajtur disa herë këtu, me Riminin dhe Torinon. Kam një jetë në Itali dhe e di që Bari është një skuadër që më ka pëlqyer gjithmonë, sidomos për atmosferën që krijohet në stadium”.
29-vjeçari rezervoi fjalët më të mira për trajnerin Roberto Stellone e më pas vlerësoi punën e De Biasit në krye të kuqezinjve.
“Në Evropian bëmë diçka të bukur, nuk ishte aspak e lehtë të shkojë në Francë”.
“De Biasi? Arriti të rregullonte disa aspekte. Iu afruam kualifikimit për në botërorin e 2014-ës, por gabuam në një ndeshje kyçe, ndërsa në kualifikueset e Evropianit vendosi shumë fitorja e parë në Portugali. Askush nuk besonte, por ia dolëm, edhe pse nuk kishim fenomenë në përbërje. Me De Biasin në krye, luajtëm me shumë zemër, ky aspekt bëri diferencën”.
Në fund Basha i pyetur për objektivat e Barit theksoi se synimi është ngjitja në Serinë A, por skuadra sipas tij duhet të ruajë një profil të ulët, sepse Seria B mbetet një kampionat shumë i vështirë.

Artikulli paraprakDe Biazi gaboi me Rashicën
Artikulli tjetërBehrami, Xhaka e Shaqiri në dilemë për Kosovën