BE shtrëngon dorën me financat për Greqinë

Ministrat e Financës së Eurozonës e dhanë dritën jeshile për disbursimin e këstit prej 1.1 miliard eurosh të ndihmës për Greqinë, por deklaruan se do të presin para se të shpërndajnë këstin tjetër. Ministrat, në takimin e tyre në Luksemburg, morën vendimin pasi Komisioni Europian tha se ka konsideruar se qeveria greke ka plotësuar të 15 kërkesat për të mbyllur të ashtuquajturin rishikimin e parë të programit të shpëtimit, i cili ka nisur që nga viti i kaluar.
Ata thanë se do të presin deri në publikimin e të dhënave të fundit për pastrimin e borxheve neto përpara se të autorizojnë dhënien e këstit të dytë të ndihmës prej 1.7 miliardë eurosh. “Greqia ka bërë një punë të madhe për të plotësuar kërkesat e rishikimit të parë”, tha komisioneri i BE-së për financat Pierre Moscovici. Vendimi për të dhënë 2.8 miliardë euro erdhi pas këstit prej 7.5 miliardë eurosh në qershor dhe do mbyllë rishikimin e parë të programit të ndihmës.
Që kur nisi programi në gusht të vitit të shkuar, Greqia ka marrë 28.9 miliardë euro. Që rishikimi i programit të përfundojë, Greqisë do t’i duhet të vazhdojë me kalimin e legjislacionit që ka të bëjë me shkurtimet e pensioneve, rritjes së TVSH-së, reformën e taksës mbi të ardhurat, privatizimet, reformën në sektorin e energjisë, shlyerjen e borxheve, rikapitalizimin dhe qeverisjen e bankave, si dhe falimentimin e pronarëve që kanë dështuar në shlyerjen e borxheve. Moscovici tha se masat e kursimit përbëjnë 3% të PBB-së për periudhën 2016-2018.
Rishikimi i dytë, i cili do të jetë në javët në vijim dhe do të pasohet nga një këst i dytë ndihme, do të jetë më shumë për sa i përket zbatimit të masave të ndërmarra në këtë fazë të parë. Zyrtarët e BE-së presin që ky rishikim i dytë të shkojë më mirë se i pari dhe se do të përfundojë plotësisht para fundit të këtij viti. Por, të gjitha palët pjesë e programit e dinë që ka një kleçkë në këtë histori; lehtësimi i borxhit. FMN-ja, e cila ka qenë pjesë e dy programeve të para të ndihmës, 2010 dhe 2012, nuk është zyrtarisht pjesë dhe e të tretit, ka thënë se do të marrë një vendim para fundit të vitit, bazuar nëse ajo do ta konsiderojë borxhin e Greqisë të qëndrueshëm.

Artikulli paraprakCEZ, 479 milionë euro dëmi në buxhet, zhduket dokumentacioni i marrëveshjes
Artikulli tjetër5 arsye përse njerëzit do votojnë për Trump