5 arsye përse njerëzit do votojnë për Trump

The Indipendent

Kur Donald Trump qëndronte në podium tek Kulla Trump më 16 qershor vitin e kaluar dhe deklaronte kandidaturën e tij për presidencën e Shteteve të Bashkuara, zëri i një personi në veçanti dallohej nga të tjerët. “Trump! Trump!”, bërtiste ai në mes të turmës. “Ti je Presidenti që na duhet!”.
Zëri i tij – zëri i një personi, të cilit i ka ardhur në majë të hundës me sistemin politik – ka ushqyer një valë pakënaqësie me ndihmën e së cilës manjati i biznesit me seli në New York, ka arritur të fitojë zgjedhjet paraprake në muajin mars dhe është bërë kandidati zyrtar i Partisë Republikane në qershor.
Pavarësisht akuzave për ngacmime seksuale, të shfaqura në një video të publikuar së fundi të vitit 2005, ai përsëri ka një mbështetje të fortë nga zgjedhësit, veçanërisht ata të shteteve jugore, të cilët lavdërojnë mbështetjen që i ka shfaqur për ligjet e armëve, premtimet për ligjin antiabort dhe për bisedat e tij të ashpra në lidhje me Shtetin Islamik.
Rreth 120 milionë zgjedhës do të votojnë më 8 nëntor dhe ekspertët politikë thonë se të aktën 40 milionë prej tyre do të votojnë për kandidatin republikan, pavarësisht politikave që ai do të shpalosë gjatë këtyre ditëve të fundit që kanë mbetur. Çfarë ka ai për t’i ofruar zgjedhësve dhe përse arrin ende, në shumë sondazhe të mbesë vetëm pak pikë pas rivales së tij demokrate? Më poshtë janë renditur pesë faktorët më të rëndësishëm mbi të cilët ngrihet mbështetja për Trumpin, faktorë që mund ta ngjisin edhe në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Amerikanët mund të përfitojnë nga politika e tij ekonomike
Ai ka bërë shumë para, ka humbur para, ka negociuar marrëveshje dhe ndërtuar gradaçela të larta. Përveç faktit se konsiderohet si një person i papërlyer ende me politikën dhe faktit që e ka nisur fushatën duke investuar vetë paratë e tij dhe se përfaqëson të kundërtën e “realitetit politik” aktual, miliona amerikanë e perceptojnë “suksesin” e tij në biznes si pushtet, i cili në fund mund të sjellë avantazhe edhe për ta.
“Një nga elementët që shikojmë është projektimi i pushtetit që shumë amerikanë, të cilët mund të jenë duke menduar për të votuar për të, e kanë frikë dhe për dekada me radhë janë ndjerë në ankth nga ky pushtet”, thotë Sean Gailmard, profesor i shkencave politike në Berkeley. “Bëhet fjalë vetëm për rritjen e vendeve të punës, humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave. Të gjithë mendojnë vetëm se çfarë do të bëjë ekonomia për njerëzit e shtresës së mesme që punojnë në prodhim”.
“Megjithatë duket tepër e çuditshme, madje e pabesueshme, që një miliarder i aftë për të shitur nënën e tij për të fituar para, mund të kthehet në kampionin e kësaj shtrese”. Shumë votues besojnë se strategjia ekonomike e përforcimit të pushtetit të të pasurve do të sjellë pa dyshim edhe përfitime për ta, gjë që shprehet edhe përmes refuzimit të Trumpit për të deklaruar pagesat e taksave dhe rrëfimit të tij se përfiton nga vakumet ligjore të sistemit të taksave.
“Amerikanët e shikojnë suksesin si sukses në biznes. Edhe nëse ai ka ndërmend t’i mashtrojë ata, njerëzit përsëri e respektojnë suksesin”, thotë Gailmard. “Politikanët gjejnë miliona mënyra për ta mashtruar popullin që përpara se dielli të lindë në mëngjes. Më mirë të kemi në krye një person që flet me sinqeritet këtu për mashtrime apo jo?”.

Krijimi i marrëveshjeve më të mira për Shtetet e Bashkuara
Donald Trump ka thënë shpeshherë se NAFTA, marrëveshje e tregtisë e firmosur nga Bill Clinton kur ishte President, është një katastrofë e vërtetë. Ai propozon gjithashtu vendosjen e një tarife importi (shuplake, më saktë) prej 45 për qind për të gjitha mallrat kineze dhe është zotuar se nuk do t’i lejojë kompanitë amerikane që të transferohen jashtë vendit.
Diana Owen, profesore komunikimi, kulture dhe teknologjie në Universitetin Georgetown dhe autore e shumë librave rreth politikës, përfshirë edhe librin “Qeveria amerikane dhe politika në epokën e informacionit”, thotë se tregtia është një nga çështjet që i ka prekur më shumë zgjedhësit.
“Ai nuk është shumë konsistent përsa i përket politikës”, thotë ajo. “Por ai është duke i tërhequr zgjedhësit me çështjen e tregtisë. Nuk po diskutojmë faktin nëse ka të drejtë apo jo, por gjithsesi Trump është duke thënë se amerikanët po humbasin vendet e punës që po i ofrohen shteteve të tjera. Disa njerëz punojnë dy ose tre punë njëkohësisht dhe përsëri nuk fitojnë mjaftueshëm, kështu kur Donald Trump ngrihet dhe thotë se shtetet e huaja janë duke përfituar nga ne, çështja e marrëveshjeve të tregtisë fillon t’i tërheqë ata”.

Përqafimi i vlerave republikane
Edhe pse ka qenë demokrat, Donald Trump ka arritur të adoptojë qëndrimet klasike të republikanëve gjatë kësaj fushate për sa i përket çështjeve si taksat, armët, aborti dhe emigracioni. Ai ka arritur gjithashtu të fitojë miratimin dhe pëlqimin e Këshillit të Kërkimeve Familjare dhe Shoqatës Kombëtare të Armëve.
Geoffrey Skelley, i qendrës së politikës në Universitetin e Vixhinias, thotë se kandidati republikan mund të jetë po aq i suksesshëm me zgjedhësit ungjillorë sa edhe Mitt Romney apo George W. Bush, duke qenë se shumica e këtyre zgjedhësve do të donin që ai të emëronte një kryetar të Gjykatës së Lartë të drejtësisë, i cili të mbështeste jetën dhe të refuzonte martesën homoseksuale.
“Zgjedhësve të tij nuk i pëlqen aspak ndryshimi, si në anën ekonomike, ashtu edhe në atë demografike, për të mos folur më pas për ndryshimin e normave sociale”, thotë ai. “Ata janë njerëzit që nuk duan të dëgjojnë frazën ‘shtypni një për gjuhën angleze’ kur bëjnë një telefonatë dhe janë tepër të pakënaqur me faktin se martesa homoseksuale është e ligjshme”.

Qëndrimi për çështjet e emigracionit dhe refugjatëve
“Duhet të ndërtojmë një mur, miq”, i thotë Donald Trumpi shpesh turmës që e brohoret. Këtë frazë e përsërit shpesh, duke inkurajuar zgjedhësit që të bërtasin bashkë me të: “Ndërtoni atë mur! Ndërtoni atë mur!”. “Sugjerimi i tij për të ndërtuar një mur dhe fakti që shprehet gjithmonë antiemigracionit, po e bën gjithmonë e më tërheqës për zgjedhësit”, thotë Skelley.
“Ka një histori të gjatë të retorikës antiemigracion të Shteteve të Bashkuara dhe shpesh dalin në sipërfaqe kandidatë që e ndjekin këtë strategji. Amerikanët filluan të kundërshtonin emigrantët aziatikë gjatë shekullit 20 dhe ata irlandezë gjatë shekullit 19. Të qenurit sot antiemigrant dhe antimysliman nuk është gjë tjetër veçse një shembull i një qëndrimi që është mbajtur nga amerikanët edhe në të shkuarën”.
Donald Trump nga ana e tij është zotuar se do t’i shtrëngojë tejmase kufijtë, do të kryejë verifikime ekstreme për myslimanët dhe refugjatët sirianë dhe gjithashtu do të ndalojë emgracionin e jashtëligjshëm. Këto premtime ai i ka shprehur gjatë gjithë fushatës së tij, por pa ofruar shumë specifikime konkrete se si do t’i realizojë.

Trump do të ofrojë diçka ndryshe
Donald Trump është i njohur si biznesmes dhe person i famshëm i televizioneve, duke qenë se është shfaqur si moderator i shout televiziv “The Apprentice” dhe pronar i kompeticionit të bukurisë Miss Universi. Ai është shfaqur në transmetime televizive tepër të ndjekura si seriali i famshëm “Sex and the City” dhe i ka ofruar këshillat dhe këndvështrimet e tij për gjithçka, që nga vrasja në Central Park në vitin 1989 e deri tek sulmet e 11 shtatorit.
Rezultati i aktivitetit të tij kryesisht televiziv ka qenë që ka fituar famë të jashtëzakonshme. Duke qenë se kandidati republikan për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë gjatë katër viteve të ardhshme është tejmase i distancuar nga imazhi tradicional i politikanit, Trump ofron një “rreze shprese” për zgjedhësit e pashkolluar, si dhe provokon nostalgjinë e zgjedhësve të moshuar.
“Slogani i tij ‘Ta bëjmë amerikën përsëri madhështore’, sugjeron se Amerika dikur ka qenë madhështore, por sot nuk është e tillë”, thotë Skelley. “Me anë të kësaj fraze ai i reflekton shqetësimet e zgjedhësve për sa i përket të ardhmes së tyre dhe pozicionit ekonomik të vendit”. Strategjia e përdorimit të imazhit të “politikanit ndryshe” ishte ajo që e ndihmoi të dilte fitimtar gjatë zgjedhjeve paraprake dhe e zyrtarizoi kandidaturën e tij.
“Donald Trump spikati në mes të kandidatëve të tjerë republikanë gjatë zgjedhjeve paraprake për shkak se ata nuk dalloheshin nga njëri-tjetri dhe kishin të njëjtën bazë zgjedhësish. Ted Cruz, Marco Rubio dhe të tjerët kishin për qëllim të tërhiqnin të njëjtin lloj zgjedhësish”, thotë Owen e Universitetit Georgetown. “Trump spikati për shkak se fliste pa doreza, ishte ndryshe nga kandidatët e tjerë dhe tërhoqi një grup zgjedhësish që nuk ishin tërhequr nga pjesa tjetër e kandidatëve”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakBE shtrëngon dorën me financat për Greqinë
Artikulli tjetërSituata e karburanteve, Shqipëria garë për taksim më të lartë direkt dhe indirekt