BB: Si gënjen qeveria Rama për punësimet!

Banka Botërore ka rrëzuar dje pretendimet e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, i cili deklaroi se në vend janë hapur rreth 200 mijë vende pune. Mirëpo në raportin e publikuar dje mbi punësimet, BB shprehet se vetëm Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë pasur rritje të të punësuarve në rajon. “Njëfarë rimëkëmbje ekonomike ka shtuar punësimin prej vitit 2014, më shumë për gratë sesa burrat. Më 2016 rreth 5.8 milionë njerëz janë punësuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, afërsisht 300,000 më shumë se 2010, përsëri me numër më të madh vendesh pune për gra sesa për burra. Punësimi është rritur në të gjitha vendet përveç Shqipërisë dhe Bosnjës”, thekson raporti. Nga ana tjetër aty është bërë i ditur dhe fakti se punësimet në Shqipëri bëhen politikisht. Raporti thekson se Shqipëria është vendi kryesor ku ka të punësuar individë pa arsim dhe të pakualifikuar. “Përqindja e punonjësve me arsim të lartë është rritur në përgjithësi në rajon në vitet 2010 e 2016. Ndërsa Shqipëria paraqiste një rast të veçantë me numrin më të madh të punonjësve pa arsim apo kualifikime dhe me numrin më të vogël të njerëzve me aftësi të larta në Ballkanin Perëndimor”, thuhet aty. Banka Botërore shprehet në raportin e saj se në Shqipëri ka pasur rritje të punësimit në radhët e personave mbi 64 vjeç, ndërsa për të rinjtë niveli është shumë i ulët. “Çuditërisht punësimi u rrit më shumë për punonjësit më të vjetër 55 deri në 64 vjeç në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo grupmoshë pati rritje mesatare 20 për qind në shumicën e vendeve dhe rreth 67 për qind në Shqipëri. Shifra shpjegohet pjesërisht me rritjen e popullatës së kësaj grupmoshe. Ndërsa për grupmoshën parësore (25-54 vjeç), punësimi është rritur në përgjithësi (përveç Bosnje-Hercegovina), por ka pasur stanjacion të rritjes së punësimit për të rinjtë, veçanërisht në Shqipëri, por dhe në Bosnje e Maqedoni. Kjo mund të shpjegohet dhe nga numri i vogël i të rinjve në përgjithësi, ose nga zgjatja e periudhës së arsimimit. Kjo e fundit konsiderohet si pozitive, pasi papunësia dhe mungesa e aktivitetit te të rinjtë është më e madhe te të arsimuarit më pak”, thuhet aty.

Arritja e objektivave

Në raportin e Bakës Botërore për punësimin në Ballkan, thuhet se vetëm Shqipëria dhe Kosova janë mbrapa me përmbushjen e planeve. Aty deklarohet se synimi është të kapë shifrën e 44.4 për qind, por kjo është shumë larg. “Rritja e punësimit është një nga objektivat kryesore të agjencisë së Evropës Juglindore dhe në vitin 2015 punësimi në rajon qëndronte në 39.9 për qind, sipas shifrave të popullatës së aftë për punë, por ende larg objektivit prej 44.4 për qind. Serbia e Maqedonia janë më afër objektivave kombëtare, ndërsa Shqipëria dhe Kosova mbeten shumë prapa”, thuhet aty. Nga ana tjetër janë dhënë dhe arsyet se përse ka pasur ndryshime të të punësuarve. Nga ana tjetër theksohet se mbështetja për të rinjtë është modeste. “Rastet e punësimit për të rinjtë me aftësi të larta e të mesme mbeten gjithashtu larg atyre të vendeve evropiane. Një shikim më i detajuar tregonte se punësimi i të rinjve me aftësi të larta ishte rritur në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi ndër vitet 2010 e 2016. Përqindja e marrjes në punë të punonjësve me aftësi të mesme është rritur ndër vitet 2010 e 2016, më shumë në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Maqedoni. Në Bosnje e Hercegovinë, përqindja kishte mbetur e pandryshuar”, thuhet aty.

Artikulli paraprakNë Durrës ndodh ndotja më e madhe e detit në prag sezoni
Artikulli tjetërKosovë, investimi i parë strategjik në sektorin minerar