Në Durrës ndodh ndotja më e madhe e detit në prag sezoni

Ajo çfarë ka ndodhur në Portin e Durrësit mëngjesin e djeshëm është një situatë e paprecedentë. Nëpërmjet një tubacioni, i cili nuk dihet prej ku e ka pikën e nisjes, në det kanë përfunduar mijëra litra mbetje urbane duke krijuar ndotje masive brenda basenit ujor. Ishin peshkatarët, të cilët ngritën alarmin se gjatë mëngjesit të djeshëm ishin bërë shkarkime masive nëpërmjet tubacionit të kanalizimeve të ujërave të zeza brenda Portit të Durrësit, duke shkaktuar ndotje dhe një erë kutërbuese në të gjithë portin. Ujërat e zeza kanë vërshuar në Portin e Durrësit ndërkohë që ndotja është konstatuar paraditen e djeshme nga peshkatarët dhe nga punonjësit e kalatës lindore të portit. Peshkatarët e Durrësit kanë dhënë alarmin dje në mëngjes për një ndotje të madhe të detit për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza. Drejtoria e Mjedisit në Durrës ka monitoruar situatën dhe ka konfirmuar se kjo është ndotja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë. Ata kanë njoftuar autoritetet e mjedisit portual për situatën e krijuar nga një derdhje e dyshimtë e ujërave të zeza në kalatën lindore të portit, ku ndodhet dhe kalata e peshkimit. Menjëherë inspektorë të Mjedisit dhe Shëndetit Publik kanë nisur hetimet për të zbuluar burimin e kësaj ndotjeje me qëllim marrjen e masave ndaj personave përgjegjës. Shkak i ndotjes dyshohet të jetë një derdhje e dyshimtë e ujërave të zeza në kalatën lindore të portit, aty ku dhe ndodhet kalata e varkave të peshkimit. Dyshimet e para bien mbi shkarkimet e paligjshme të kryera nga gropat septike të hotelerisë në plazhin e qytetit. Sipas peshkatarëve në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë sipërfaqja e ujit të detit ishte e ndotur totalisht. Ndotja ishte shkaktuar nga rrjedhja e ujërave të zeza nëpërmjet tubacionit të ujërave të bardha që gjenden në këtë kalatë. Menjëherë kanë shkuar inspektorët e mjedisit, të cilët kanë konstatuar ndotjen e ujit. Shefi i mjedisit pranë Portit të Durrësit, Eno Hasa tha se ka kërkuar ndihmën e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve për të zbuluar shkaktarët e kësaj ndotjeje. “Sot në mëngjes kemi marrë informacione nga specialistët e terrenit që monitorojnë komplet kalatën numër 10, ka pasur një derdhje të ujërave të zeza për shkak të një tubi. Kemi njoftuar Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve, Inspektoratin Mjedisor të Durrësit, ku të gjithë bashkë po ngrejmë një grup pune për të evidentuar shkakun e këtij problemi dhe për të parë se nga vjen kjo ndotje”, u shpreh Hasa. Autorët e ndotjes mund të jenë disa, por nuk përjashtohet mundësia që ato të cilët pastrojnë gropat septike të hoteleve mund t’i kenë zbrazur autobotet në pusetën e tubacionit të ujërave të bardha që shkarkohen në det. Ndërkohë që një prej peshkatarëve, tha se shpeshherë ka patur shkarkime, por mëngjesin e djeshëm shkarkimet kanë qenë shumë të larta e të paprecedenta. Madje peshkatarët thonë se u është dashur të braktisin anijet për shkak të erës së rëndë dhe ndotjes së ujit të detit. Plazhet dhe cilësia e tyre janë një ndër problemet kryesore gjatë sezonit turistik, ku pushuesit shpeshherë shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me cilësinë e ujit dhe papastërtinë që mbizotëron.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBB: Si gënjen qeveria Rama për punësimet!