Basha: Rama u dorëzua me Marrëveshjen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha dje se, me firmosjen e marrëveshjes Republika e vjetër, ka firmosur kapitullimin e saj, duke dorëzuar gjysmën e ministrive ku sot drejtojnë ministrat teknikë të caktuar nga opozita. Në një intervistë për gazetaren Basha tha se në këtë fushatë, elektorale opozita vjen e bashkuar, ndërsa Republika e vjetër, sipas tij vjen e ndarë dhe copëzuar, ashtu siç dhe ka drejtuar gjithë këto vjet në bazë të interesave të pushtetit dhe korrupsionit. Basha tha se e gjithë kjo përpjekje erdhi si pasojë e imponimit që iu bë Ramës dhe qeverisë së tij nga lëvizja qytetare prej 90 ditësh, lëvizje, e cila sot garanton më së paku sipas standardeve minimale të zgjedhjeve. Më tej Basha flet dhe për programin e tij ekonomik, duke akuzuar Ramën, se ai nuk është se nuk i mbajti dot premtimet, por qëllimisht ju largua atyre. Kreu i PD tha se sot jemi përpara një realiteti, ku opozita ka një program të detajuar për pensionet, shëndetësinë, arsimin etj, Ekonomi të fortë, ndalim të abuzimeveve me fondet, dhe rritje pagash e pensionesh.
Kryetari i PD nuk dha një datë të saktë për një takim të mundshëm me Presidentin Trump, por tha se kjo do të ndodhë së shpejti, dhe ai do të shkojë atje si kryeministri i Republikës së re “Një fermer foli për Presidentin Trump, sepse unë e përmenda në kuadër të frymëzimit që kam nga akti i tregtisë së lirë dhe të ndershme, që do të thotë se nuk mund të ketë subvencione për fermerët e huaj dhe jo subvencione për fermerët vendas. Nëse kjo ndodh, atëherë do të ketë tarifa doganore proporcionale. Pa dyshim, Presidenti Trump ka qenë një frymëzim edhe për lëvizjen tonë popullore, për lëvizjen e 18 shkurtit, sepse ka treguar se është më e fortë se çdo kastë politike. Është frymëzim Presidenti Trump. Unë shpresoj që së shpejti të kem mundësinë t’i shtrëngoj dorën dhe t’i garantoj se si kryeministër i Republikës së re, do të forcojmë bashkëpunimin me aleatin tonë strategjik, SHBA, në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe investimeve amerikane në Shqipëri”, tha Basha. Më poshtë keni pjesë nga intervista e kreut të opozitës dhënë dje për gazetaren Rudina Xhunga

-Duke e krahasuar me vitin 2009, unë po shikoj një mënyrë të re të gjërave sot. Çfarë ka ndryshuar, dmth ka ndryshuar drejtimi i PD-së apo marrëveshja Rama Basha ka sjellë një frymë tjetër?
Së pari, ka ndryshuar drejtimi ska diskutim. PD ka një kryetar që prej vitit 2013. Së dyti, Shqipëria përjeton një fitore të qytetarëve të bashkuar, sepse marrëveshja e 18 majit është shumë më shumë se një pakt mes kryeatrit të opozitës dhe atij të mazhorancës. Eshtë më së pari, një garanci e madhe e qytetarëve për të granatuar së paku standardet minimale të zgjedhjeve që erdhi përmes largimit të gati gjysmës së kabitetit Rama, dhe ardhjes së ministrave teknikë që kanë besimin e opozitës. Me ndryshime të Kodit Penal, që ka ashpërsuar dënimet me të paktën një vit burg për këdo që shantazhon, blen josh apo me mënyra apo forma të tjera mundohet të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve për të votuar. Dhe së treti, vijmë me një klimë ku Republika e vjetër ka firmosur kapitullimin e saj, si dhe fundin e saj si realitet politik, duke i hapur rrugën Republikës së re që do të ketë si realitet politik Reformën Kushtetuese, një sistem të ri zgjedhor, duke përfshirë dhe votimin elektronik si garanci, për të cilat shqiptarët u çuan për 90 ditë dhe tashmë ky është një realitet politik. Ajo çka e karakterizon fushatën është gara e bilanceve dhe e platformave. Padyshim që opozita dhe unë si kryetar i saj vijmë në këto zgjedhje me bilanc opozitar, me programin e Republikës së re për një ekonomi të fortë, dhe nga ana tjetër kemi mazhorancën të shpërndarë në disa parti dhe të përçarë, siç e thonë dhe vetë nga tepsia e pushtetit. Të paaftë të bëjnë një bilanc përpara shqiptarëve, të pagatshëm për t’u përballur në debat me mua, ju jeni dëshmitar që e ka refuzuar zoti Rama debatin, dhe pa asnjë program realist për shqiptarët, por vetëm me preokupimin se kush do të ketë timonin se kush do të jetë ulur në prehrin e politikës. Kjo është një fushatë asimetrike, kemi kauzën opozitare të bashkuar me kauzën qytetare në një, numrin 6, dhe kemi Republikën e vjetër të shpërndarë në disa parti që preokupimin e vetëm kanë si ta mbajnë dhe katër vjet pushtetin.

-Ndërsa preokupimi juaj është….
Ekonomia, që do të jetë objektivi kryesor dhe plani kryesor i Republikës së re, punësimi, vendet e punës rritja e rrogave dhe natyrisht dhe e nesërmja e sigurtë, ku mbizotërojnë, arsimi, shëndetësia pensionet dhe ndihma ekonomike.

-Folët për bukurinë që vret. Edi Rama mburret me faktin që ka bërë një rilindje urbane? Ju e quani një bukuri që vret, atë që ka mbjellë palmat të bukurën, si ka mundësi? Jeni kundër kësaj?
Jo unë s’jam kundër të bukurës. Unë kam pasur shansin fare i ri të jetoj në qytete të bukura, qendra të bukura disa qindra vjeçare. Por unë e quaj bukuri që vret, sepse reflekton dështimin total të Edi Ramës dhe të Rilindjes në katër vite për t’i shërbyer qytetarëve. Mos harro ky erdhi me premtimin e hapjes së 100 mijë vendeve të punës. Erdhi në pushtet, duke premtuar shëndetësinë falas. Erdhi në pushtet, duke premtuar uljen e taksave, për 97% të shqiptarëve. Erdhi në pushtet, duke premtuar pensionin e 13-të. Uljen e çmimit të naftës, uljen e çmimit të energjisë, rritjen e ndihmës ekonomike.

-Po janë premtime dhe ju i bëni?
Jo, jo premtimet në fushatën evropiane janë të bazuara në një plan, në një program, siç është programi im. Kur bëj premtime në
këtë fushatë kam një plan, kam një program…

-Të njëjtën gjë thotë dhe Edi Rama për ju…
Sepse ska një plan ska një program. Të vijë ta thotë këtu, të vijë të përballet me mua në debat. Kam një program kam një plan ekonomik, ka kaluar mbi bazën e konsultimeve, me qytetarët me pensionistët me fermerët me shëndetësinë, me arsimin. Eshtë konsultuar është përgatitur programi nga ekipi më i mirë. I buxhetuar në detaje për katër vite jo për një vit, dhe pasi është kaluar në nivelin politik, para një viti janë miratuar piketat, pasi është konsultuar dhe një herë me grupet e interesit, pas kësaj ka marrë dhe vulat e ekspertëve më të mirë të ekonomisë që janë këshilltarët e Konrad Adenauer në Shqipëri, dhe të Partisë së Kancelares Merkel që na ka ndihmuar jashtëzakonisht. Nga ana tjetër, Rama i braktisi premtimet. Nuk është puna se si mbajti, se të ndodh që të mos i mbash premtimet, diçka njerëzore, diçka natyrore politike, sociale, mund t’i ndodhë çdo qeverie. Por të mos punosh dhe t’i braktisësh premtimet me qëllim, sapo të ulesh në karrige të bësh diçka tjetër, kjo është shumë e rëndë. Ja më thoni ju mbajti premtimin për 300 mijë vende pune, apo çoi 300 mijë shqiptarë refugjatë. Mbajti premtimin për shëndetësi falas, apo u mori shqiptarëve 1.5 miliardë euro, dhe këto kanë shkuar të gjitha për koncesione, për tendera për klientët e tij. Po marr dy premtimet e mëdha.

-Ju keni marrë shërbime në shëndetësi….
Sigurisht që po, duke përfshirë herën e fundit me atë që na ndodhi në miting.

-Si ju duk?
Mizerabël.

-U sollën keq me ju?
Jo nuk po them që u sollën keq me mua, se me mua nuk mund të sillen keq, po me njerëzit. Problemi është se sa kanë në dorë për t’i ndihmuar njerëzit. Problemi është tek infrastruktura. Se po të jetë për mua u shkul dhe drejtori, por çmë duhet drejtori i QSUT-së mua, kur aty nuk kishte asnjë mundësi të ndihmonin njerëzit. Tani të kthehemi pak edhe një herë tek premtimet. Problemi është që i braktisi premtimet. Shqiptarët e dinë këtë, s’është vetëm se nuk i realizoi se kjo dhe mund të ndodhë. Ky nuk u përpoq fare. Përse? Sepse ka të tjera prioritete. Në vend të vendeve të punës, kishte prioritet rilindjen urbane. Unë e kam thënë edhe më parë, palma si pemë është e bukur, më pëlqen, pavarësisht se këto të Edit janë tharë të gjitha. Ja shikoi, Rinas-Tiranë i ke të gjitha të thara, në Kavajë të gjitha të thara. Megjithatë, puna është që palmat, pllakat, shatërvanet, kulla e Korçës të zënë sytë, fishekzjarret 200 apo 400 mijë euro fishekzjarre në Sheshin “Skënderbej”, të zenë fytin kur sheh hallet e shqiptarëve. Po të jesh me shqiptarët, të shikosh hallet e tyre e shikon se vendi nuk ka këllqe harxhoje 400 mijë euro për fishekzjarre. Se me ato 400 mijë euro t’i mund të dyfishosh ndihmën ekonomike për 1 mijë familje në vit. Kam takuar dje në Kurbin një çift, bashkëshorti ishte 27 vjeç, bashkëshortja 22 me dy fëmijë dhe kishin 33 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Imagjinoni ju katër veta, 33 mijë lekë të vjetra…33 mijë lekë për katër frymë dhe 400 mijë euro për fishekzjarre. Kjo është e papranueshme. Prioritetet e gabuara të Edi Ramës që çuan qindra milionë euro per Rilindjen urbane, por jo për ekonominë. Sot çmimi i naftës është më i larti në rajon, çmimi i energjisë gjithashtu. Kjo është arsyeja se përse Shqipëria është në krizë.

Droga shkarkoi Tahirin

-Zoti Basha, ju keni folur për hashashin gjatë. Unë në emisionet që nga koha kur ju nisët çadrën e deri sa dolët nga çadra, i kam bërë vetëm për hashashin e për luftën tuaj me hashashin. Ky hashashi u zhduk, mbaroi?
Jo, pse?

-Sepse askush nuk flet më.
Nuk është e vërtetë.

-Po mbyllet ndërkohë?
E ke fjalën për fushatën aktuale?

-Jo, po flas për fushatën e hashashit.
Po tani çfarë të bëjmë ne, të bëjmë edhe fushatë politike, të shkojmë të vrapojmë edhe mbrapa hashashit.

-Këta njerëz jetojnë me hashash, këta që e mbjellin edhe janë të majtë e të djathtë. Keni gjetur një mënyrë për ta zëvendësuar?
Nuk ka diskutim. Lufta kundër drogës është prioriteti ynë. Për shkak të luftës kundër drogës, sepse shqiptarët u ngritën, iku Saimir Tahiri i pari, iku Fatmir Xhafaj, do ikin të tjerë e po ikin të tjerë.

-Drejtori i policisë është aty.
Drejtori i Policisë ka sot një përgjegjësi nën ministrin teknik për zgjedhje të lira e të ndershme. Por, do të mbajë të gjitha përgjegjësitë e tjera, ai dhe çdokush tjetër, kjo është e sigurt.

-Se ju nuk kërkuat drejtorin e Policisë, ju kërkuat të OSHEE, të ALUIZNI-t.
Tani t’i kemi pak të qarta gjërat. Nëse do të kërkonim drejtorin e Policisë për katër javë, kjo do të ishte një iluzion. Për drejtorin e Policisë dhe për zgjedhjet do ta mbajë përgjegjësinë Edi Rama. Ministri ynë teknik është aty për të mbikëqyrur e për të bërë gardianin dhe atë po bën. Të tjerat pastaj janë diversione. Siç është diversion ideja që ne nuk po luftojmë hashashin në fushatë. Ne kemi rrëzuar gjysmën e kabinetit për shkak të hashashit. Kush e rrëzoi, lufta jonë kundër drogës, lufta jonë kundër krimit! Këto janë të gjitha broçkulla mediatike me një qëllim. Për të zhvendosur vëmendjen nga e vërteta për të cilën shqiptarët duhen të votojnë më 25 qershor. Platformën tonë ekonomike, të nesërmen e sigurt dhe Republikën e re apo katër vjet të tjera shfaqje, shpërdorime, vjedhje, kriminalizim dhe drogë.

Me 100 milionë eurot për fermerët zhduket hashashi

-Ndërkohë ne Shqipëri a po mbillet hashash? Se nuk di, ju e kishit hallin me hashashin apo me paratë e hashashit?
Tani po mbillet apo jo hashash në Shqipëri, kur të jem unë Kryeministër, të jesh e sigurt që kjo pyetje do të marrë përgjigjen negative. Sepse në vend të hashashit, fermerët do të kenë subvencione për të mbjellë dhe korrur djersën e tyre dhe frytet e djersës së tyre.

-Shafran, shalqinj, me çfarë do ta zëvendësoni?
Mos të pretendojmë që do të bëjmë këtu një debat bujqësor, se as ti e as unë nuk jemi ekspertë. Por, të garantoj që më 100 milionë euro subvencione nuk do t’iu shkojë mendja të mbjellin as hashash, as të braktisin tokën, por do të jetojnë me nder, me dinjitet, me punën e tyre. Shumë herë më mirë se çfarë jetojnë sot. Do të kenë gjithë shanset të jetojnë edhe më mirë se fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Malit të Zi. Me programin tim, fermat do të dalin nga kriza, fermerët do të kenë mundësi të zërojnë koston e mekanikës, të ulin dhe zerojnë koston e plehrave kimike. Me fundin e eksporteve të subvencionuara dhe tarifave doganore, ata do të kenë mundësi të shesin tregun tonë të padiskriminuar. Do të kenë edhe mbështetje për të eksportuar. Ky është programi ekonomik për fshatin, për fermerët, për blegtorinë, për peshkatarët, bletarët dhe për agrobiznesin.

Intervistoi: Rudina Xhunga

Artikulli paraprakLoja “dridhe Like” nuk shkon me PD
Artikulli tjetërKokëdhima: PS është shndërruar në partinë e oligarkëve