Kokëdhima: PS është shndërruar në partinë e oligarkëve

Koço Kokëdhima ka lëshuar dje një mesazh fshikullues në 26- vjetorin e themelimit të PS duke e konsideruar atë si parti të oligarkëve. “Sot, anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, ndjehen të harruar dhe të nëpërkëmbur. PS-së që ëndërruan 26 vite më parë nuk i ka mbetur më as nam as nishan!” Janë fjalë nga një mesazh i ish-deputetit të PS-së Koço Kokëdhima në një mesazh në 26-vjetorin e kësaj force. Sipas Kokëdhimës PS është shndërruar në partinë e oligarkëve të korrupsionit.
“Në këtë parti nuk ka më zgjedhje e përfaqësim. Kjo është partia e kryetarit! Ju nuk mund të zgjidheni dhe nuk mund të zgjidhni asnjë përfaqësues, as në parti dhe as në parlament. Kandidatët për deputetë, kryetar bashkie, këshilltar dhe për gjithçka tjetër në Shqipëri i emëron kryetari, janë shërbëtorët dhe servilët e pushtetit të kryetarit. Në parti tani nuk ka më vend për ata që mendojnë ndryshe nga kryetari. Madje po e sfiduat mendimin e kryetarit ai do u hedhë në shpinë tërë shtetin, policët, hetuesit, gjykatësit, shefat, drejtorët, do u pushojnë nga puna, do u prishin shtëpinë, do u refuzojnë legalizimin dhe hipotekën, do u vënë gjoba, do u kthejnë edhe Zotin kundër, do u nxijnë jetën! Juve nuk u llogarit dhe nuk u respekton njeri, ju shfrytëzojnë për vota e për pushtet dhe ju përbuzin. Partia është autokratike, nuk ka demokraci të brendshme dhe as institucione, rregulla e kulturë funksionale” – shkruan Kokëdhima.
“Kështu e katandisi lidershipi këtë parti. Ju prisnit që ai ta ndante Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga trashëgimia berishiste, dhe ai si për inat të socialistëve të thjeshtë që u persekutuan, u dënuan, u përgjakën e u vranë, jo vetëm që ja kaloi Saliut në shumë nga bëmat e tij më të rënda në pushtet, por së fundi e ndau në tavolinë me PD-në qeverisjen e sotme dhe të nesërme të së majtës shqiptare. Lidershipi i PS-së nuk mund t’ju a marrë shqisat për të parë e dalluar qartë se çfarë ndodh në të vërtetë me ju dhe me punët e Shqipërisë edhe duke përdorur ish-liderin e partisë ose “Robert Çamçakizin” siç e quante kryetari i sotëm” -shkruan Kokëdhima që fton socialistët të bëhen pjesë e partisë së tij të quajtur “Zgjidhja” duke i bojkotuar zgjedhjet e 25 qershorit.

Artikulli paraprakBasha: Rama u dorëzua me Marrëveshjen
Artikulli tjetërPaditen koncesionarët e HEC-eve pse nuk i venë në punë