Loja “dridhe Like” nuk shkon me PD

Kryetari i opozitës Basha ka deklaruar sot se nuk do të ketë asnjë koalicion me LSI pas zgjedhjeve të PD. Ai i ka bërë thirrje të gjithë demokratëve që të mos çojnë asnjë votë në drejtim të LSI. “Loja dridhe Like nuk shkon më në PD”, tha Basha.
Kryetari i PD ka kujtuar se sjelljet e LSI janë tipike klienteliste. “Asnjëherë në këto katër vite nuk ka mundur LSI të ndalë Ramën në babëzinë e tij. Sa herë niste një proces e linte në mes dhe fillonte avazi dridhe Like dhe merrte tenderin apo koncesionin e rradhës për vete”, tha Basha. Basha paralajmëroi elektoratin se çdo votë për LSI do t’i çonte ata në haurin e Baftjarit.
LSI e ka humbur toruan se për herë të parë e kupton që nuk do të jetë në pushtet dhe LSI nuk do të jetë në pushtet, sepse ka abuzuar me pushtetin në 8 vite. Ka ndërtuar modelin e një partie klienteliste që ngjitet pas çdo koalicioni për të kapur vende pune. Ky model abuzimi do të marrë fund. LSI është bërë simbol i këtij pushteti, LSI nuk do jetë në pushtet pas 25 qershorit, kjo është 1000% e sigurt. Modeli i LSI do ndëshkohet dhe unë uroj që të gjejnë forcën t’i rikthehen një modeli parimor. Nuk do të qeverisim me LSI, mos bëni gabimin fatal se përndryshe do mbeteni si Baftjar në hauret e Republikës së Vjetër.

–  Ju e quajtët LSI–SHPK  dhe zoti Vasili menjëherë ju kujtoi SHPK-në tuaj që “vodhi 250 milionë euro nga Rruga e “Kombit”.
E kanë humbur toruan ata të LSI-së, për arsye se e kuptuan që për herë të parë nuk do të jenë në pushtet. LSI nuk do të jetë në pushtet.

– Pse kështu? Pse jeni të sigurt për këtë?
LSI nuk do të jetë në pushtet, sepse ka abuzuar me pushtetin. Jo vetëm në këto 4 vite, por në 8 vite ka ndërtuar modelin e një partie klienteliste, pa axhendë, pa program që ngjitet pas çdo koalicioni, vetëm për të kapur vende pune dhe i paraprin fushatave me para në dorë.
Ky model do të marrë fund, LSI-ja është bërë simbol i këtij modeli, LSI-ja nuk do të jetë në pushtet pas datës 25 qershor, kjo është 100% e sigurt. Koalicioni që unë drejtoj do t’i fitojë zgjedhjet dhe ne do të qeverisim sipas një modeli që kurrë më nuk do të ketë vend për aleanca klienteliste dhe matrapazllëqe.

– “Do ta  marrësh në telefon Petrit Vasilin pas zgjedhjeve” – ka thënë Meta.
“Dream on” thonë anglezët, vazhdo ëndërro.
Modeli i LSI-së po ndëshkohet dhe do ndëshkohet me votë dhe unë uroj që ata të gjejnë forcën t’i rikthehen një modeli me të vërtetë parimor. Në qoftë se janë të majtë, siç thonë, atëherë duhet të veprojnë si e majtë dhe jo si një parti që shkon nga fryn era vetëm për të kapur vende pune, për të kapur tendera e koncesione.

– Pjesë e marrëveshjes me zotin Rama është kjo, që ta lini LSI-në jashtë çdo pushteti?
Absolutisht jo. Kjo është pjesë e vendosmërisë time të shprehur prej 4 vjetësh si kryetar i opozitës. Demokratët e Shqipërisë kurrë më të mos kenë dyshim që unë, si kryetar i Partisë do të  bëj ndonjë pazar me LSI-në, sepse në qoftë se ky dyshim ekziston atëherë çdo demokrat s’ka pse të mos joshet nga shitblerja e votës me idenë se ne do jemi prapë në pushtet.
Sot dua t’i them çdo demokrati e demokrateje, ne nuk do të qeverisim me LSI-në, mos bëni gabimin fatal, përndryshe do të mbeteni si Baftjarë në hauret e Republikës së Vjetër.

– Patët një darkë me zotin Ilir Meta ndërsa ishit në çadër. Ia thatë këtë gjë?
Nuk kam pasur asnjë komunikim jashtë parimeve që i besoj fort, parimeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëndrimet e Ilir Metës, pastaj e keni parë se çfarë përfaqëson. Tha që nuk do shkonte në zgjedhje pa opozitën, u regjistrua pa opozitën dhe filloi t’i bënte thirrje demokratëve “votoni për LSI”.

– Është hakmarrje, atëherë kjo e juaja?
Jo, jo, jo. Nuk jam natyrë hakmarrëse unë, nuk e kam pasur asnjëherë dhe nuk e kam, në karakter hakmarrjen.
Por kjo është e vërteta; LSI-ja nuk përfaqëson asgjë, asnjë shpresë për balancim të pushteteve, për frenim të egove.
Çfarë bëri me Edi Ramën? E frenoi Edi Ramën në marrëzinë e tij për shkatërrimin e themeleve të ekonomisë, për kanabizimin, për kriminalizimin? Jo. I bëri fresk, sepse i bënte presion dhe pastaj tërhiqej kur merrte koncesionin e radhës, punësimin e radhës, drejtorinë e radhës, tenderin e radhës. Pra, parti tipike klienteliste. I bënte fresk nga mëngjesi deri në darkë, bënte sikur po mbronte interesin publik, pastaj sapo mbyllte pazarin me Ramën, sapo merrte thelën e tepsisë, dridhe Like. Kështu ka ndodhur, për të gjitha aferat e mëdha.

– Meta qëndroi deri në fund, i palëkundur nga ideja që opozita të merrte pjesë në zgjedhje?
Tha nuk do marr pjesë, por pastaj u regjistrua dhe filloi t’i bëjë thirrje demokratëve “votoni për LSI”. Ky ishte projekt i atij dhe i Ben Blushit se ndryshe nuk shpjegohet sesi u hidhëruan kaq shumë kur u regjistrua opozita. Kishin bërë plan të kapnin deputetë qyl dhe me deputetë qyl t’i bënin presion Edi Ramës për tepsinë e pushtetit. E gjitha, Rudina, është llogari e Republikës së Vjetër, llogari pushteti.

– Ju kanë ikur njerëz tek LSI-ja, jeni i qartë besoj?
Po, LSI-ja ka përfituar nga qëndrimet e paqarta të Partisë Demokratike.

– Të paqarta të tuajat?
Edhe të miat, pse jo. Edhe unë kam përgjegjësinë time për fushatën e 2013-ës.
Ata thanë ne mund të qeverisim prapë me PD-në, hajt se me PD-në do jemi, jepni një votë këtej, jepni ndonjë votë andej. Kjo padyshim ka shkaktuar amulli dhe kjo amulli merr fund tani. Me Partinë Demokratike, me opozitën, me Republikën e Re, LSI-ja nuk ka më asnjë shans të hyjë në matrapazllëqe dhe pazare. Çdo demokrat i tjetërsuar, i skllavëruar me teserën e LSI-së, apo me vend pune nga LSI-ja, tani ka shansin të rikthehet në shtëpinë e tij, në shtëpinë e saj, e presim zemërhapur, nuk kemi asnjë zemërthyerje për çfarë ka ndodhur se edhe ne kemi përgjegjësitë tona që i pranojmë.
Por ama janë të paralajmëruar, ky është momenti të kthehen në shtëpinë e tyre, përndryshe në haur me Baftjarët e Republikës së Vjetër.

Basha: Votat vetëm për opozitën e Bashkuar PIU, një parti tezgash

Por kanë kauzë gjithsesi, janë çamët, ju me ata mund të qeverisni.
Zero kauzë, zero kauzë. Çfarë kanë arritur ata për të drejtat e komunitetit çam? Më thoni një gjë që kanë arritur. Drejtorinë e Sigurimeve Shëndetësore. Njëra Shpk, tjetra tezgë. Janë parti Shpk, janë parti tezgash. Ky është shansi, pas këtyre zgjedhjeve, se në këto zgjedhje duket që nuk reformohen dot, t’i futen një reforme të thellë nëse me të vërtetë duan t’i shërbejnë kauzave qytetare dhe duhet të pushojnë së qeni parti klienteliste.

As çamët nuk i doni në koalicion me ju?
Në mënyrë totale, të gjithë votuesit e djathtë, kanë shansin të votojnë për koalicionin e djathtë, për numrin 6 dhe të mos shpërndahen as të LSI-ja, as te PDIU-ja, se te PS-ja nuk ka shans të shkojnë votuesit tanë, por këto dy rreziqe, që në një farë mënyre i ngritëm me duart tona, duhet ta kenë të qartë, do të jetë një votë e humbur sepse opozita e bashkuar, numri 6, është e vetmja garanci për Republikën e Re, për republikën e qytetarëve. Këta janë parti tepsie, por edhe tepsia ka marrë fund, kështu që është harxhim total i votës, është hedhje e votës kot, të votoni për këto dy parti. Rikthehuni në shtëpinë tuaj, votoni për Partinë Demokratike, opozitën e bashkuar, numrin 6

Artikulli paraprakKush janë “porositësit” e vrasjes së komisarit Cuku
Artikulli tjetërBasha: Rama u dorëzua me Marrëveshjen