Basha në Kosovë për shqiptarët, Rama te Pallati i Kongreseve për hallin e tij

Nga Gentian GABA

E hëna do të jetë një tjetër ditë atipike për politikën shqiptare. Në vitin e tridhjetë të tranzicionit, partitë politike do të takohen në një tjetër stacion të krizës politike. Për hir të së vërtetës është një stacion që dukej i tejkaluar në 5 qershor, por që kreu i vjollcëve, i dalë me duar në xhepa nga takimi në tokë Yankee (SHBA), po përpiqet ta zhbëjë.

Për miqtë e Shqipërisë, që për shumë gjatë i kanë dhënë indulgjenca të shumta kreut të qeverisë, ballafaqimi me ‘pengmarrësin’ e 5 qershorit është njëkohësisht një rizbulim, i cili u lejon të shohin në retrospektivë qëndrime të tjera të Ramës, të cilat e kanë tensionuar në mënyrë të tejskajshme politiken shqiptare. Faji, në disa raste, kishte mbetur jetim; ndërsa në të tjera atësia e tij i ishte dhënë opozitës. Por sot Rama është cullak në sytë e gjithë botës.

Në kohë pandemie, në mënyrë të përshpejtuar, me takime digjitale, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, më pak se një vit nga zgjedhjet e përgjithshme dhe në mënyrë të njëanshme, po përpiqet të ndryshojë Kushtetutën për të lehtësuar sadopak fobinë që ka nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Një sipërmarrje aspak e lavdishme, ndryshim i rregullave të lojës ashtu siç ia ka ënda, që e rreshton atë në grupin e politikanëve që nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë dhe vlerat që ajo ka në bazë dhe parësor kanë pushtetin e tyre.

Sakaq interesi publik është robëruar nga interesi personal i kryeministrit.  Jo vetëm sepse paqja e brishtë e 5 qershorit kishte krijuar një normalitet politik, por prishësi i kësaj paqeje nuk ka në refene çështje si ekonomia dhe pandemia, tashmë e dalë jashtë kontrollit, por lojën politike. Një lojë që po u kushton shumë rëndë shqiptarëve edhe në planin e integrimit.

Ngase fletërrufetë që vijnë në drejtim të Ramës për shkak të papërgjegjshmërisë që po tregon, rrezikojnë bllokimin e negociatave që, përtej dokrrave dhe cicërimave dyvjeçare të kreut të PS-së, nuk janë hapur dhe pritet të mos hapen për sa kohë ky i fundit do të mbajë një kurs anti-BE.

Një fatkeqësi shumë e madhe, sidomos duke pasur parasysh se prej 1 korrikut kemi hyrë në gjashtëmujorin gjerman të presidencës së BE-së, dhe lokomotiva europiane do të ishte më se e lumtur që Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Unionit, të mbahej brenda dhjetorit. Një momentum që Rama po tregon se nuk është i gatshëm të shfrytëzojë, për sa kohë që midis negociatave dhe pushtetit personal, po zgjedh të dytin.

Një shpërdorim i pafalshëm i vullnetit teutonik për të ndihmuar qytetarët shqiptarë, të cilët sot mund të shohin se si energjitë që mund të shkonin për të ngushtuar diferencën midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, që tashmë do të na presë në Bruksel, dhe për të përmbushur detyrat që u sanksionuan në mars nga Këshilli Europian, po çohen dëm në një tjetër përballje politike krejt të panevojshme dhe të kushtueshme në terma ekonomikë dhe të politikës së jashtme.

E kamufluar si për listat e hapura, por që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për t’i shpëtuar listës së gjatë të akuzave dhe dështimeve, me të cilën do të duhet të përballet në zgjedhjet e ardhshme.

Për këtë arsye Rama do të shkojë të hënën te Pallati i Kongreseve, jo për të përshpejtuar integrimin, por për hallin e tij. Krejt të kundërtën do të bëjë kreu i opozitës, që në njëfarë mënyre, për ta thënë me gjuhën e komunikimit elektronik, do t’ia lërë ‘seen’ (të parë) kryeministrit dhe duke u zhvendosur në Kosovë, për takime të rangut të lartë.

Paçka se loja e Ramës e pengoi disi ‘fushatën’ që Basha kishte nisur, takimet me sipërmarrës dhe qytetarë u ndërprenë kur kryeministri filloi avazin e vjetër prej hilacaku, duket se kreu i PD-së është i vendosur për të mos lejuar që agjendën t’ia përcaktojë frika e Ramës nga zgjedhjet. Ndryshe nga ky i fundit, që të hënën në të njëjtën kohë do të jetë duke negociuar për mbijetesën e vet me Gazment Bardhin, Basha do të pritet nga të gjithë përfaqësuesit e politikës së atyshme.

Turi dyditor vjen në një moment mjaft të rëndësishëm, në të cilin kërkohet një sinergji e madhe midis Prishtinës që është dhe Tiranës që do të jetë. Terreni i humbur kundruall Serbisë, edhe për shkak të protagonizmit aventurier të Edi Ramës që i mundësoi Vucicit të margjinalizojë Prishtinën, mund të rifitohet vetëm nëpërmjet shëndoshjes së partneritetit strategjik midis dy shteteve shqiptare.

Jo me propagandë dhe mbledhje qeverish pa bereqet sa andej e sa këndej Morinës, por duke i dhënë rëndësi të dorës së parë unifikimit dhe koordinimit të politikës së jashtme të dy vendeve. Diçka që është parë qartazi kur në qeveri ishte Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, dhe me një aktivitet diplomatik të ethshëm nga Basha, asokohe ministër i Jashtëm, jo vetëm në proceset integruese, anëtarësimi në NATO, por edhe me një rol të posaçëm të asaj qeverie në fatin e shqiptarëve në Ballkan.

I cili do të kulmonte me pavarësinë e Kosovës. Përvoja e atëhershme e kryediplomatit, me një dimension perëndimor dhe pa kurrfarë inferioriteti në përfaqësimin e Shqipërisë në tryezat jo të kollajshme ndërkombëtare, janë sot një aset i rëndësishëm për rikthimin e vendit tonë në sinoret e normalitetit edhe në sferën e jashtme.

Asete që, në këtë klimë toksike për politikën, duhen ritheksuar herë pas here, pasi jo të gjithë kanë ‘fatin’ e shqiptarëve të Kosovës, të cilët, kur kalojnë kufirin, e kanë të lehtë të kuptojnë diferencën midis Bashës dhe Ramës. Për ta, i pari do të mbetet ndër promotorët e ndërtimit të Rrugës së Kombit, ndërsa i dyti promotori i traut. Diferenca nuk është e vogël. Përkundrazi.

Artikulli paraprakMazhoranca rrëzon dekretin e presidentit, qëndrojnë në fuqi gjobat ndaj mediave
Artikulli tjetërReagimi i fortë i deputetit ndaj Ramës: I ke ditët e numëruara, hiq dorë nga…