Baroni i drogës, numër celulari grek për t’i shpëtuar përgjimit

Klemend Balili, i cilësuar nga mediat greke si “Escobari i Sarandës” është ende në arrati. Nga institucionet shqiptare askush nuk di të thotë ku është ish-drejtori i Transportit në Sarandë dhe si mundi ai t’i shpëtonte policisë. Kjo e fundit një ditë më parë shkoi në banesën e Balilit në fshatin Stjar të Delvinës, por 46-vjeçari nuk ishte aty. Bashkëshortja dhe dy fëmijët thanë se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e kryefamiljarit. Dyshohet se “Escobari i Ballkanit” mund të jetë larguar nga Shqipëria, por jo në rrugë zyrtare pasi në sistemin Tims nuk rezulton që ai të ketë dalë jashtë vendit. Celulari i Balilit ka dalë i fikur, ndërsa një prej vëllezërve të tij ka thënë se Balili kishte shkuar në Tiranë.
Pak ditë pas shkarkimit të tij si kreu i Transporteve në Sarandë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nisur një letërporosi në Greqi, për të marrë më shumë informacion mbi Klemend Balilin. Burimet pranë organit të akuzës, bënë të ditur se ish-kreu i Transporteve gjatë gjithë kohës ka përdorur një numër celulari grek. Për këtë, autoritetet e Prokurorisë shqiptare nuk kanë kompetencë përgjimi, ndaj kanë dërguar letërporosi shtetit fqinj, për t’i vënë në dispozicion dosjen e hetimeve ndaj grupit ku përfshihet dhe Klemend Balili i njohur me pseudonimin “Keli”. Për këtë procedurë, 45-vjeçari, nuk është shoqëruar, por mbajtur në vëzhgim deri në mbërritjen e dosjes dhe letërporosisë së autoriteteve greke, të cilat mund të përfshijnë atë në linjën e narkotrafikut. Por edhe pse duhej të mbahej nën vëzhgim, mesa duket Klemend Balili ka arritur të gjejë një mënyrë për t’u ikur forcave të rendit.
Autoritetet greke e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, edhe pse në faqen në internet të Interpolit nuk figuron emri i tij. Prokuroria shqiptare ka thënë se nuk mund ta arrestonte Klemend Balilin, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për të lëshuar urdhër arrestin. Burime jo zyrtare thonë se, ai mund të jetë larguar drejt Amerikës Latine, sikundër nuk përjashtohet mundësia e fshehjes brenda territorit shqiptar.
Ndërkohë, Policia e Sarandës bëri të ditur se, ka kryer një kontroll në banesën e Klemend Balilit dhe nuk e ka gjetur aty. Ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, dyshohet se është larguar për t’iu fshehur hetimeve të nisura. Ky është sqarimi i Policisë së Shtetit, në lidhje me mosgjetjen e biznesmenit Balili në banesën e tij, të deklaruar në Sarandë. Por me çfarë urdhëri u krye kontrolli!?
Zyrtarë të Policisë së Shtetit i thanë ABC News se kontrolli i kryer në banesën e tij kishte si qëllim shoqërimin e tij për të kërkuar nga ai që mos të largohet nga banesa, pasi Prokuroria i kishte dërguar palës greke një letër-porosi, duke kërkuar të sjellin provat që implikon atë në trafik droge.  Por pavarësisht këtij arsyetimi, ligjërisht është Prokuroria e Krimeve të Rënda, ajo që duhet të japë urdhër ndalimi apo kontrolli për personin në fjalë, pasi dosja ndodhet në hetim nga ata. Sipas Prokurorisë, Policia duhet ta mbante në vëzhgim policor pas publikimit të fakteve se ai dyshohet si kreu i trafikut të drogës. Por mosmbajtja e tij në vëzhgim, nga Policia është arsyetuar se nuk është kërkuar një veprim i tillë hetimor nga Prokuroria. Këta të fundit, justifikohen se nuk mund të lëshonin urdhër ndalimi, pasi nuk ka urdhër-ndërkombëtar dhe prova që implikon atë në trafik droge.
Pavarësisht këtyre përplasjeve deklarative, ka qenë vetë drejtori i përgjithshëm Haki Çako që pak orë pas publikimit të lajmit nga mediat greke për implikimin e biznesmenëve shqiptarë të përfshirë në trafik droge, që tha se operacioni është ndërkombëtar bashkë me Policinë shqiptare. Por edhe pse Policia pretendon se ishte pjesë e këtij operacioni ndërkombëtar, rezulton që Klemend Balili është zhdukur nga sytë e efektivëve të Policisë.
Mediat greke, pretenduan se Balili ka mbrojtje nga politika shqiptare, çka u përgënjeshtrua nga ambasada jonë në Athinë. Klemend Balili nuk u gjet në banesën e tij dhe sipas sistemit TIMS, ai rezulton se nuk ka dalë nga territori shqiptar, por në drejtim të paditur për Policinë e Shtetit. Nga ana tjetër, Prokuroria thotë se presin provat nga drejtësia greke që të urdhërohet arrestimi i tij.
Më datën 9 maj Drejtoria e Policisë së Athinës i ka kërkuar Prokurorisë ndalimin për 15 të arrestuarit, anëtarë të një prej rrjeteve më të mëdha të trafikantëve të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi e më pas në vendet e Europës, i drejtuar dhe financuar nga i ashtuquajturi “baroni i Ballkanit”, Klemend Balili. Sipas dokumentit, 15 personat, prej të cilëve 3 shtetasit shqiptarë Petro Dalanaj, Kleanthi Palaj, të dy peshkatarë në Sarandë; dhe Stefan Zoto, shofer nga Himara, akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.  Me të njëjtën akuzë në të njëjtin urdhër shoqërimi akuzohen edhe katër të tjerë, dy prej tyre të ashtuquajturat shtyllat e këtij rrjeti, Dhimitër Poti, me banim në Bruksel dhe Klemend Balili, banor në Sarandë, emri i të cilit përmendet si organizator, por edhe si financier i grupit.
Policia greke zbardhi skemën e trafikut, sipas të cilit Balili ishte i ngarkuar me rolin e financuesit dhe transportin e drogës nga Shqipëria në Greqi, me bashkëpunëtor Jorgo Alifanti, që merrte në dorëzim ngarkesën dhe gjente shoferë për ngarkesat në Europë, si dhe specialistë për të krijuar në kamionët që përdornin xhepa të posaçëm për të fshehur lëndët narkotike. Dhimitër Poti dhe Aleksakis Thomas organizonin rrjetin në Europë, ose për të depozituar përkohësisht sasitë e drogës ose për t’i shitur atje. Rrjetin e furnizonte me kamionë kreu i grupit për Greqinë, Ksenofon Anagnostopoulos, nëpërmjet kompanisë Monoprosopi EPE në Kapandriti. Ai gjente ngarkesa të ligjshme për të mbuluar trafikimin e drogës.

Mediat greke: Kur u kujtua Policia shqiptare, sigurisht që Balili nuk u gjet në shtëpi

Media greke shkruajnë sot se Klemend Balilit iu la koha e mundshme nga Policia shqiptare, që të arratisej. Pas lajmit se i quajturi “Escobari i Ballkanit” u zhduk pa lënë gjurmë dhe Policia dështoi në tentativën e saj për ta gjetur në banesë, EpirusPost.gr shkrun se, pak ditë pas paralajmërimeve të Policisë greke për të çmontuar rrjetin më të madh të trafikimit në Evropë, një nga organizatorët arriti që të zhdukej!
Në shkrim thuhet më tej se flitet pikërisht për kreun e Transporteve në Sarandë, ndaj të cilit policia greke ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Media citon se në presionin e krijuar, ai bëri një deklaratë publike, duke pretenduar se nuk ka lidhje me rrjetin e trafikimit të sasive të mëdha të drogës. “Disa orë më vonë u largua nga detyra dhe tani vendndodhja e tij ka humbur! Policia shqiptare, me vonesë të madhe bëri kërkime në shtëpi vetëm të premten. Dhe sigurisht që zbuloi se 44-vjeçari nuk ishte! Telefoni i tij është i fikur dhe kishte të gjithë kohën për të lëvizur lirisht dhe për t’i shpëtuar arrestimit”, thuhet në shkrim.
Shkrimi mbyllet me reagimin e kreut të PD-së, Basha që në një reagim për ngjarjen ka shkruar se: “Me bekimin e ministrit të Brendshëm Tahiri dhe mbrojtjen e Policisë u zhduk dhe nuk mund të gjendet”.
Ndërkohë, Dhimitër Poti i konsideruar si baroni i drogës apo “Escobari” Ballkanit nga mediat greke, është arrestuar 48 orë më parë në Belgjikë, bashkë me vëllain e tij Xhevahir Poti.
Dy vëllezërit Poti janë nën hetim dhe nga Policia e Prokuroria shqiptare prej 2015 ku në nëntor drejtësia greke kërkoi informacion për firmën CHIM PORD në pronësi të Dhimitër Potit. 4 transferta të dyshimta drejt Greqisë në afro 1 milion euro habitën Policinë greke, e cila kërkoi informacion për firmën, administratorin e saj dhe gjendjen gjyqësorë.
Në Belgjikë vëllezërit Poti janë prangosur në kushtet e flagrancës me 100 kg cannabis dhe afro 20 mijë euro bëjnë me dije burime. Por kjo nuk është akuza e vetme ndaj tyre, pasi dyshohet se nën kryesimin e Dhimitër Potit që shihni në këtë foto grupi i tyre kish krijuar kompani fiktive transporti me qendër në Bullgari dhe filial në Greqi e Belgjikë.
Këta dy shtetas janë të dyshuar si pjesë e një rrjeti narkotrafiku ku është hetuar dhe Kelmend Balili ish-drejtor i Transportit Sarandë që prej të premtes rezulton i shpallur në kërkim nga Policia shqiptare.

Artikulli paraprakProkuroria: Pajisja e përgjimit e policisë pa leje edhe në Itali
Artikulli tjetërKadare: E pafalshme nëse nuk kryhet dekriminalizimi