Bardhi: Zëvendësi i Ramës citime fëminore, raporti i OSBE/ODIHR skanon të gjithë shtetin që ka krijuar Edi Rama…

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi tha në një dalje për mediat se, të gjitha interpretimet e bëra nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj janë të gabuara dhe fëminore.

Bardhi tha se, citimet që bëri Cakaj janë të gabuara, pasi nuk gjendet absolutisht në raportin e OSBE/ODIHR.

“Në raport nuk thuhet se, u përmbushëm standardet, përkundrazi evidentohen problematikat e ndeshura në votimet monopartiake të paligjshme dhe anti-kushtetuese të 30 qershorit”, tha Bardhi.

Sipas tij, raporti evidenton presionet dhe kërcënimet ndaj administratës dhe qytetarëve që marrin ndihmë ekonomike.

“Raporti skanon të gjithë shtetin që ka krijuar Edi Rama, dhe jo thjesht një proces të organizuar nga Kryeministri.

Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi, por ka denoncuar kriminelët që vjedhin zgjedhjet, që shantazhojnë, shkelin ligjin, vetëm e vetëm që të arrihen disa objektiva për interes të qeverisë”, tha Bardhi.

Duke cituar pjesë nga raporti i OSBE/ODIHR, votuesve shqiptarë nuk u dha mundësia të zgjidhnin, dhe kjo jo sepse opozita bojkotoi zgjedhjet, por sepse opozitës nuk iu krijuan kushtet.

“Në Shkodër u vu si kandidat një trafikant droge dhe ne nuk jemi në politikë për t’u përballur me trafikantët e drogës, pasi ata nuk e kanë vendin në politikë, por në burg.

Reagimet pas raportit të OSBE/ODIHR tregojnë se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet dhe përgjegjshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Qeveria dhe zëvendësi i Ramës në Ministrinë e Jashtme, ia faturoi opozitës të gjitha përgjegjësitë, ndërkohë që është përgjegjësi e qeverisë që organizoi dhe mbajti zgjedhjet pa një dekret të Presidentit.

Raporti e thotë qartë se dekretet e Presidentit nuk i rrëzon dot as Denar Biba i KQZ, as gjyqtarët e Kolegjit që janë nën presion për shkak të parregullsive që kanë me pasuritë e tyre, por dekretet i interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha Bardhi.

Sipas tij, opozita tentoi të krijonte një opozitë “fake”, satelit të tij, duke e regjistruar në zgjedhje në kundërshtim me ligjin, dhe kjo evidentohet edhe nga ekspertët e OSBE/ODIHR.

Artikulli paraprakKryespekulimi i Ramës…
Artikulli tjetërMësuesja i përgjigjet ministres së Arsimit: Të paktën sigurohuni që shkollat të kenë drita që të mund…