Barcelona negociata për rinovimin e Luis Suarez

Barcelona dhe Luis Suarez kanë nisur diskutimet rreth kontratës së sulmuesit, me mediat katalane që njoftojnë se marrëveshja e re do të zgjasë me një vit qëndrimin e parashikuar deri në vitin 2019 dhe përmirësojë përfitimet e lojtarit. Uruguajanit pritet t’i ofrohet një pagë në nivelin e brazilianit Neymar, e cila do të bënte që në radhët e “blaugranave” vetëm Lionel Mesi të ishte më i paguar se ai. Takimi i parë ndërmjet drejtuesve të klubit katalan dhe përfaqësuesve të sulmuesit është zhvilluar me sukses. Menaxheri Pere Guardiola siguroi rritjen e ndjeshme të rrogës për Luis Suarez, ndërsa palët vendosën të zhvillojnë të tjera takime për bisedimet formale.
Edhe pse sulmuesi nuk ka bërë asnjë kërkesë për rishikimin e kontratës, sipas gazetës “Sport” ishin drejtuesit e klubit ata që besojnë se pagesat e Neymar dhe Suarez duhet të jenë në të njëjtat nivele. Kjo pavarësisht faktit që me kontratën e re, përfitimet financiare e yllit brazilian janë dukshëm më të larta se ato të uruguajanit.
Aktualisht Luis Suarez përfiton njësoj si Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Andres Iniesta, por synimi i klubit është që paga e tij të ngrihet edhe më tepër, megjithëse në janar sulmuesi do të festojë 30-vjetorin e lindjes. Përmirësimi i kushteve të kontratës është mënyra sesi Barcelona vlerëson sulmuesin, që prej transferimit në “Camp Nou” nga Liverpool në vitin 2014 është kthyer në një element tejet të rëndësishëm të skuadrës.

Artikulli paraprakMagjia e Jovetiç i jep fitoren Interit
Artikulli tjetër“Çështja” Higuain!