“Çështja” Higuain!

Tanimë është e qartë që Napoli po e humbet Higuain dhe këtë e ka shprehur edhe në konferencën për shtyp presidenti De Laurentiis. Në fakt, bosi i Napolit nuk ka folur më për shifra, kohë apo mënyrë, ai ka folur si tifoz, pas pyetjeve provokuese të gazetarëve. “Transferimi te Juve do të ishte tradhti, për Higuain. Askush nuk mund të shkojë të këndojë poshtë tribunave të tifozëve himnin e qytetit. Do ishte absurd. Të gjithë e dinë tanimë që Napoli dhe Juve janë si macja dhe qeni. Do të ishte absurditeti më i madh, nëse ai do të bënte një gjë të tillë”, u shpreh De Laurentiis, që pothuaj gjatë gjithë konferencës për shtyp ka përdorur ironinë në adresë të argjentinasit. Kreu i klubit napolitan e kishte edhe një përgjigje nëse Juventusi do të paguante klauzolën prej 94 milionësh që ai ka për Higuain. “Një manaxher i suksesshëm duhet që të bëjë pa Higuain. Riinvestimi i klauzolës do të ishte i rrezikshëm. Pse kjo shumë? Jam munduar të mbrohem. Edhe Cavani kishte një klauzolë për shitjen..”. Ndërkohë De Laurentiis ka zbuluar se e vetmja skuadër me një ofertë konkrete për Higuain ka qenë Atletico Madrid, që sipas tij ka ofruar 60 milionë euro dhe 2-3 lojtarë si kompesim.
Në asamblenë e radhës të ligës italiane të futbollit do të takohen nga afër drejtori i përgjithshëm i kampionëve të Italisë, Beppe Marotta dhe presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis. Juventusi prej disa ditësh është vëne në ndjekje të bomberit argjentinas dhe dëshiron ta transferojë me çdo kusht sulmuesin në Torino. Propozimet e Marottës për De Laurentis do të jenë dy, i pari, para plus kartonat e Zazës, Pereyras dhe Mandragorës për Higuan dhe nëse presidenti  i klubit të kaltër nuk pranon, atëherë duke qenë se Juventusi ka marrë tashmë ok-in e El Pipitas për një kontratë 4-vjeçare me një pagë prej 7,5 milionë eurosh, propozimi i dytë do të jetë që bardhezinjtë do të paguajnë kluazolën e largimit të lojtarit që kap shifrën e 94.7 milionë eurove.
Tifozët e Juventuasit kanë filluar tashmë të ëndrrojnë për një dyshe sulmuese të gjithën argjetinase të përbërë nga Higuain dhe Dybala. Te Napoli nuk dëshirojnë ta humbasin futbollistin, por kundër dëshirës së El Pipitas nuk mund të bëjnë asgjë. Madje drejtuesit e klubit të kaltër e kanë të qartë që argjentinasi mund të transferohet te Juventusi dhe kanë nisur që tani nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij. Në listë janë Mauro Icardi, Alvaro Morata, Arkadiuz Milik dhe Nikola Kaliniç.

Artikulli paraprakBarcelona negociata për rinovimin e Luis Suarez
Artikulli tjetërAnçeloti: “Nuk e shesim Lewandowskin”!