Bankat pronare të 160 milionë euro pasuri të paluajtshme

Bankat në Shqipëri zotërojnë 22 miliardë lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar rolin primar të bankave në ndërmjetësimin financiar, duke kthyer një pjesë të funksioneve të tyre në “real estate”. Banka e Shqipërisë njoftoi dje se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë më 2012 zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar janë mëse katërfishuar në rreth 22 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë arsyeton se nga pikëpamja e autoritetit mbikëqyrës është e rëndësishme të vlerësohet ndikimi që ka mbajtja në bilanc e këtyre lloj kolateraleve mbi të ardhurat dhe kapitalin e bankës.
Tetë janë llojet kryesore të rrezikut që lidhen me veprimtarinë bankare: rreziku i kredisë; rreziku i normës së interesit; rreziku i likuiditetit; rreziku i çmimit; rreziku operacional; rreziku i përputhshmërisë; rreziku strategjik dhe ai reputacional. Ndërkohë që rreziku i çmimit përbën rrezikun kryesor që lidhet me pasuritë e paluajtshme. Një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës së mbajtjes në bilanc, mund të zvogëlojë si vlerën e aktivit në bilanc, ashtu edhe të ardhurat që mund të realizohen nga shitja e kolateralit pasuri e paluajtshme. Njëkohësisht, një shitje në masë e këtyre kolateraleve nga ana e bankave (fire sale) mund të dëmtojë rëndë tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar jo vetëm mbi të ardhurat e bankës, por edhe mbi vlerën e kolateraleve pasuri e paluajtshme të pranuar gjatë procesit kredidhënës, me pasoja në cilësinë e portofolit të kredisë dhe nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Nivelet e larta të këtyre lloj aktivesh në bilanc, shoqëruar me strategji jo të efektshme të marrjes në pronësi të tyre mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke. Banka e Shqipërisë theson se, politikat operacionale dhe procedurat që lidhen me këto lloj aktivesh mund të kontribuojnë në shtim të rrezikut operacional, duke rezultuar në të ardhura më të ulëta nga kolateralet në pronësi dhe shpenzime të larta; përpjekje joadekuate dhe joefektive shitjeje, prishje/shkatërrim të kolateralit/eve, humbje jo të njohura dhe norma më të ulëta rikuperimi. Në rastet kur këto kolaterale merren në pronësi, bankat marrin përsipër rrezik të qenësishëm përputhshmërie me kuadrin ligjor që rregullon administrimin e pronave.
Një bankë është ligjërisht përgjegjëse për sa i takon marrjes në pronësi, veprimeve dhe mirëmbajtjes së këtyre pronave, të cilat mund të rrjedhin në detyrime ligjore të caktuara. Rreziku i mospërputhshmërisë së bankës me detyrimet ligjore për administrimin e pronave, mund të shoqërohet edhe me cenim të reputacionit të saj në marrëdhënie me konkurrentët apo me klientët, lajmëron Banka e Shqipërisë. Të dhënat e mësipërme shprehin qartazi se deri në vitin 2008, pra para ndikimit të krizës financiare globale në Shqipëri, vlerat e pronave të marra në pronësi si ndaj totalit të aktivit të bilancit, ashtu edhe kapitalit rregullator janë në nivele të papërfillshme, ndjeshëm nën 1%. Ndërkohë që, gjatë katërvjeçarit të fundit (2012-2015), rriten ndjeshëm duke shënuar vlera mesatare historike përkatësisht 1.2% dhe 12.8%. Në dhjetor 2015, këto vlera qëndrojnë mesatarisht në 1.6% të aktivit dhe 16.2% të kapitalit rregullator.

Artikulli paraprakAhmetaj rimerr investimet publike
Artikulli tjetërUjësjellësi shton TVSH edhe mbi tarifën e shërbimit