Ahmetaj rimerr investimet publike

Kur Kryeministri Rama krijoi rishtaz Ministrinë e Ekonomisë në vitin 2013 dhe në krye të saj emëroi një nga personat më të besuar të tij, Arben Ahmetajn, fill më pas e pajisi atë me funksione të rëndësishme, që deri atëherë i kishin pasur ministritë e tjera.
Një ndër këto funksione ishin investimet publike, të cilat iu hoqën Ministrisë së Financave dhe i kaluan asaj të Ekonomisë. Kështu çdo projekt investimi publik nuk mund të financohej pa vulën e Ahmetajt. Por kjo hallkë e re në zinxhirin e investimeve e ka penguar realizimin e tyre dukshëm dhe kjo është evidentuar edhe në raportet e monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Por, dyshimi që çelësat e investimeve nuk mund t’i mbajë askush tjetër veç Ahmetajt, u vërtetua së fundmi. Në ditën që Arben Ahmetaj ka nisur drejtimin e Ministrisë së Financave pohoi se do të merrte me vete edhe strukturën e investimeve publike. Kjo është bërë fakt tashmë. Zv/ministrja e Financave, znj. Irena Beqiraj ka konfirmuar për “Monitor” se tashmë struktura e investimeve publike i ka kaluar sërish dikasterit të Financave.
Kalimi i funksioneve më të rëndësishme publike në varësi të një personi është një rast i paprecedent në historinë e ndarjes së funksioneve qeveritare shqiptare.
Ministria e Ekonomisë nën drejtimin e Ahmetajt u shndërrua në një dikaster hibrid ku u bashkuan funksione që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, si investimet publike, turizmi, inspektimi i karburanteve etj. Tani që Ahmetaj drejton një dikaster tjetër dhe ka marrë me vetë edhe strukturën e investimeve nuk është çudi që edhe turizmi dhe koncesionet të kalojnë tek Ministria e Financave.

Artikulli paraprakMallkim i trofeut dhe “fikja” e Mesit
Artikulli tjetërBankat pronare të 160 milionë euro pasuri të paluajtshme