Avokatja ruse, e gatshme të bisedojë me ligjvënësit amerikanë

Djali i madh i Presidentit Trump, Trump Junior, ish-menaxheri i fushatës së tij Paul Manafort dhe Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, i cili është njëkohësisht dhëndër i presidentit, do të dëshmojnë javën e ardhshme lidhur me takimin e tyre vitin e kaluar me një avokate ruse. Lidhjet e mundshme të këshilltarëve të presidentit me Rusinë, janë objekt hetimi i prokurorit të posaçëm.
Një ndërmjetës i tha djalit të zotit Trump, përmes e-mail-it, se avokatja ruse kishte informacion të dëmshëm për Hillary Clintonin, ish-sekretaren e Shtetit dhe kandidate për presidente e Partisë Demokrate.
Donald Trump Jr., kohët e fundit tha se nga takimi nuk doli asgjë e re. Avokatja ruse tha se është e gatshme të bisedojë me ligjvënësit amerikanë lidhur me takimin.
“Nëse Senati do të dijë të vërtetën, jam e gatshme t’u tregoj gjithçka që doja t’u tregoja zotit Trump (Jr.) dhe Kongresit vitin e kaluar. Por programi ndryshoi. Gjithçka që unë di, se si miliona dollarë hynë në vendin tim, në Rusi dhe u kthyen pastaj mbrapsht në miliarda dollarë. Për këto para nuk u paguan taksa. Por se ku shkuan ato, kjo nuk është një pyetje për mua, për këtë referojuni sistemit të Shteteve të Bashkuara”, tha avokatja ruse.
Debati lidhur me takimin e Trump Jr., me avokaten ruse është mes çështjeve të shumta që po hetohen pas konkluzionit të komunitetit të zbulimit se presidenti rus Vladimir Putin e drejtoi personalisht fushatën për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, që ato t’i fitonte zoti Trump.
Një prokuror i posaçëm është caktuar për të hetuar lidhur me këtë çështje. Përveç shqyrtimit të kontakteve mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Moskës, prokurori i posaçëm Robert Muller është duke hetuar edhe nëse zoti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë, me shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey në fillim të vitit, kur zoti Comey ishte duke udhëhequr hetimet e FBI-së për Rusinë, para se zoti Mueller të emërohej prokuror i posaçëm.

Artikulli paraprakGjermania: Loja me “zjarrin” e Erdoganit
Artikulli tjetërIsh-shefi i FBI tentoi të intimidojë Trump