Avionët me drogë fluturojnë mbi Vlorë dhe Kavajë

Një tjetër avion me drogë është parë të fluturojë mbi zonën e Poros, në Vlorë. Denoncimin e ka bërë një qytetar nga Vlora, i cili i ka dërguar një mesazh të dielën ish-Kryeministrit Berisha. Berisha ka publikuar mesazhin e “qytetar dixhital” në rrjetin social Facebook. “Qytetari dixhital denoncon: Avionët e drogës që fluturojnë nga zona e Poros me ngarkesë droge! Sb”, shkruan Berisha. “Përshëndetje zoti Sali! Jam një çun nga Vlora, sapo pashë tani një avion fuga 8 vendësh që u ngrit nga ana e detit të Delisufit ishin dy foristrada Rand Rover një furgon blu i nbyllur ikën në drejtim të Poros, ju lutem mos më publikoni për informacionin mos më trathtoni kam familje, kam frikë nga këta rilindasit mafioza”, shkruan qytetari nga Vlora.
Një avion me drogë ka fluturuar dje edhe mbi qiellin e Kavajës. Ky është denoncimi që vjen nga një qytetar, raporton portali “Jeta Osh Qef”, teksa përcjell edhe një video ku duket një avion i vogël mbi qiellin e Kavajës.
“Përshëndetje Jeta Osh Qef! Kjo “mushkonjë” ka pothuajse gjithë pasditen që qarkullon mbi fshatrat e Kavajas”, është mesazhi që ka dërguar qytetari, sipas portalit. “Sipas raportuesit, ka mundësi që avioni të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Nuk është hera e parë që në vendin tonë shihen të tillë avionë të dyshimtë, prandaj dhe qytetarët janë bërë mosbesues kur Kryeministri deklaron se avionët përdoren për të eliminuar mushkonjat”, shkruan portali.
Para pak kohësh policia italiane zbuloi një avion me drogë që ishte nisur nga Vlora. Një avion i vogël ishte nisur nga fshati Akërni i Vlorës dhe ka fluturuar drejt Pulias. Lajmi u bë i ditur nga mediat italiane dhe ato shqiptare dhe më pas u konfirmua edhe nga Policia e Shtetit. Mediat e shtetit fqinj bënë të ditur se, autoritetet italiane janë vënë sërish në alarm të rikthimit të trafikut të drogës me avion nga Shqipëria në Itali.
Nga baza ushtarake ajrore e Gioia del Colle, në jug të Italisë janë ngritur menjëherë dy avionë Eurofighter, të cilët e kanë ndjekur avionin e vogël, duke e shoqëruar deri jashtë kufirit ajor italian. Më pas, janë humbur gjurmët e destinacionit të tij. Sistemi i sigurimit ajror italian dyshon se në bordin e këtij avioni udhëtonin trafikantë droge me ngarkesë lëndë narkotike.

Artikulli paraprakArrestohet në Zvicër për mashtrim biznesmeni Rezart Taçi
Artikulli tjetër700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro nga Shqipëria kapen në Greqi