Assad, armikja e betuar e 9 presidentëve amerikanë

Takimi i parë i sekretarit të Shtetit amerikan, Henry Kissinger me Presidentin sirian, Hafez al-Assad në vitin 1973 vazhdoi me të shtyrë deri në orën 11 të mbrëmjes. Vazhdoi aq gjatë, raportoi revista “Time”, aq sa mediat nisën të spekulojnë për faktin se mos kryediplomati amerikan ishte rrëmbyer. Assad “negocionte në mënyrë kokëfortë dhe të guximshme si lojtar pokeri për t’u siguruar se kishte nxjerrë edhe grimcën e fundit të lëshimeve të mundshme”, kujton Kissinger në kujtimet e tij “Years of Upheaval”. Maratonat qenë tipike. Në vitin 1991 sekretari i Shtetit, James Baker në mënyrë demonstrative ngriti flamurin e bardhë “të dorëzimit” pas pothuajse 10 orësh për shkak se kishte nevojë për një vajtje në banjo. Baker i quajti negocitatat me Assad si “diplomacia e fshikëzës”.
Qysh nga grushti i shtetit pa gjak më 1970 që e solli familjen në pushtet, dinastia Assad – babai themelues Hafez dhe trashëgimtari e djali i dytë i tij Bashar – ka frustruar 9 presidentë amerikanë. “Harxhues kohe, nerva gërricës dhe i çuditshëm”, u shpreh Kissinger pas një prej takimeve të tij me Hafez al-Assad. Administratat republikane dhe demokrate njëlloj i kanë marrë me të mirë dhe i kanë mikluar, stimuluar e lavdëruar dhe më së fundmi, konfrontuar dhe dënuar Assad-ët që të bëjnë ndryshime politike.
Kissinger bëri 28 udhëtime në Damask – 14 vetëm në 1 muaj – për të menaxhuar dështimin nga lufta arabo–izraeliane e vitit 1973. Më së fundi siguroi një marrëveshje me Assad në vitin 1974 për të larguar trupat siriane dhe izraeliane përgjatë Lartësive Golan. Më pak se një muaj më pas, Richard Nixon u bë Presidenti i parë amerikan që vizitoi Damaskun. Ai u prit me 21 të shtëna topi dhe udhëtoi me një makinë të hapur bashkë me Assad nëpër qindra flamujt amerikanë të valëvitura nga një erë e fortë. Një poster i madh përgjatë rrugës lexonte: “Damasku revolucionar mirëpret Presidentin Nixon”. Por as Nixon, që u detyrua të dorëhiqet vetëm 2 muaj më pas, as Gerald Ford nuk qenë në gjendje që ta kanalizonin këtë lidhje gjatë viteve të para të Assad në pushtet në një paqe më të gjerë në Lindje të Mesme.
Assad do të thotë “luan” dhe ai e luajti rolin e tij si “Luani i Damaskut”. Siria kishte qenë e dobët dhe e paqëndrueshme pas pavarësisë nga Franca më 1946. Kishte përjetuar 20 grushte shteti në 21 vjet. Ai i Assad ishte i fundit, në vitin 1970. Fillimisht, ai u duartrokit. “Times” raportonte: “Admirues të Gjeneralit Assad e mirëpritën marrjen e pushtetit nga ana e tij brenda Partisë Ba’ath si një fitore të parashikueshme të pragmatizmit ndaj ideologjisë”. Por në mënyrë që ta fuqizonte dhe ta bënte shtetin sirian një fuqi rajonale, Assad u bë gjithnjë e më shumë mizor me kundërshtarët e tij në vend dhe kokëfortë me botën e jashtme.
Jimmy Carter u takua me Assad në Gjenevë në vitin 1977 për të eksploruar perspektivat e një konference sovjeto–amerikane për paqe në Lindjen e Mesme. Assad ishte i palëkundur. Kërkonte kthimin e territorit të kapur nga Izraeli dhe barazi strategjike për botën arabe. Ishte i gatshëm, kujton Carter më vonë, që “më mirë përballej me konfrontime serioze politike dhe ushtarake sesa të braktiste parimin”. Bile Carter e ftoi liderin sirian që të vizitonte Uashingtonin. Optika e një fotografie në Shtëpinë e Bardhë nuk e joshi Assad. “M’u përgjigj se nuk kishte ndonjë interes për t’i vizituar Shtetet e Bashkuara”, shkruan Carter. Një vit më vonë, kur Carter ndërmjetësoi Marrëveshjen e Kemp Dejvidit midis Presidentit egjiptian, Anwar al Sadat dhe Kryeministrit izraelian, Menachem Begin, Assad u kundërpërgjigj me thellimin e lidhjeve me Moskën.
Në mënyrë të përsëritur Assad luajti rolin e prishësit të paqes gjatë administratës Reagan. Në vitin 1981 mbuloja samitin e Lidhjes Arabe në Fez të Marokut ku Princi Trashëgimtar saudit Fahd do të prezantonte planin e tij prej 8 pikash, të mbështetur nga Uashingtoni, për të njohur të drejtën e Izraelit që të “jetonte në paqe” në shkëmbim të kthimit të territorit. 21 delegatë arritën në Fez dhe pritën për Assad. Isha në aeroport kur avioni sirian që transportonte badigardët dhe stafin e tij mbërriti. Assad nuk u shfaq asnjëherë. Samiti dështoi.
Tensionet midis Reagan dhe Assad u bënë haptazi armiqësore pas pushtimit të Libanit në vitin 1982 nga ana e Izraelit, ku Siria kishte mijëra trupa të dislokuara. Sekretari i Shtetit, George Shultz ndërmjetësoi një traktat formal paqeje midis Izraelit dhe Libanit, por Assad praktikisht e hodhi në erë të gjithë marrëveshjen nëpërmjet refuzimit për t’i tërhequr forcat e tij – një kusht për largimin e Izraelit.
Assad lojëra të rrezikshme strategjike për të rritur peshën siriane në lojë. Gjatë pushtimit izraelian, ai mbështeti dislokimin e Gardës Revolucionare iraniane në Liban dhe krijimin e një milicie të re shiite që u rrit në atë çka njohim sot si Hezbollah. Në prillin e 1983 u akuzua për bombën në ambasadën amerikane në Bejrut, sulmi i parë vetëvrasës kundër një objekti amerikan kudo në botë. Kjo u pasua nga sulmet ndaj kazermave të forcave paqeruajtëse amerikane të vendosura në Liban, ku më shumë se 200 persona u vranë dhe nga një sulm i dytë ndaj ambasadës amerikane. Shtetet e Bashkuara bënë Assad përgjegjës po aq sa Irani dhe Hezbollahu për futjen e një lloji krejtësisht të ri të mënyrës së luftimit. 35 vite më pas, Hezbollahu është një prej milicive më të fuqishme në Lindjen e Mesme. Dhjetëra mijëra luftëtarë të tij po e ndihmojnë tani dinastinë Assad të qëndrojë në pushtet.
“Assad nuk hezitoi të përdorë dhunë apo terrorizëm për qëllimet e tij”, shkroi më pas Shultz tek kujtimet e tij “Turmoil and Triumph”. Megjithatë, administrata Reagan i mbajti marrëdhëniet diplomatike me Damaskun – dhe kontaktin me Assad. Shultz u rikthye në Siri më 1988 për ta takuar gjatë një raundi tjetër për paqen në Lindjen e Mesme. “Dija gjithashtu se ishte e rëndësishme për arabët e tjerë që konsultohesha me të”, shkruan Shultz. Sërish, gjithçka rezultoi e kotë. I pyetur nga shtypi që e shoqëronte në udhëtim nëse kishte ende ndonjëfarë shprese, Shultz u përgjigj: “Jam i habitur nga ndjenja juaj e humorit”.
Pushtimi i Kuvajtit nga ana e Saddam Hussein në gushtin e 1990 siguroi një ndërthurje të rrallë interesash midis Uashingtonit dhe Damaskut. Siria dhe Iraku qenë rivalë dhe Assad i bashkëngjiti mijëra trupa koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara në operacionin “Desert Storm” për ta larguar Irakun nga Kuvajti i pasur me naftë. Si pjesë të planit të tij për të modeluar një “rend të ri botëror” pas Luftës së Gjirit, Presidenti George H. W. Bush e takoi Assad në Gjenevë dhe fitoi dakordësinë e tij për një konferencë të përbashkët paqeje sovjeto-amerikane në Madrid. Por Assad nuk mori pjesë në të; gjithçka ngeci.
Rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991 i kushtoi Assad aleatin e tij më të rëndësishëm. Marrëveshjet e Oslos e 1993 midis izraelianëve dhe palestinezëve, pasuar nga Traktati i Paqes i 1994 midis Jordanisë dhe Izraelit, e bënë atë të dukej një njeri i çuditshëm në rajon. Presidenti Clinton u përpoq që ta shfrytëzojë aftësinë e reduktuar të manovrës së Assad. Midis viteve 1993 dhe 1996, sekretari i Shtetit, Warren Christopher bëri pothuajse 30 udhëtime në Damask, për të lidhur një marrëveshje për Lartësitë Golan. Unë qeshë në shumicën prej tyre. Shumë herë, Christopher i tregoi shtypit që udhëtonte me të se ai ishte afër, shumë afër. Clinton e takoi Assad në Damask- udhëtimi i parë presidencial qysh nga vizita e Nixon – më 1994. Por një marrëveshje nuk u arrit kurrë. Në një tentativë të minutës së fundit përpara se të largohej nga detyra, Clinton e takoi sërish Assad, kësaj radhe në Gjenevë. Assad e kaloi pjesën më të madhe të takimit duke i bërë leksion presidentit më të ri në moshë rreth historisë së kufirit të Sirisë me Izraelin dhe ripërsëritur kërkesën e tij për rikthimin e të gjithë Lartësive Golan si kusht për paqen.
Një i dërguar arab tha për “Times”: “Ai më mirë do të vdiste sesa të mos siguronte largim të plotë. Nuk kish ndryshuar mendje në 30 vjet dhe nuk do ta ndryshonte për disa orë në Gjenevë”. Assad vdiq vetëm 3 muaj më pas. “Ai ishte një njeri mizor, por brilant, që dikur asgjësoi një fshat të tërë si leksion për kundërshtarët e tij”, shkruan Clinton tek “My Life”.
Qëllimi i Assad ishte që djali më i madh i tij, Basil, do të merrte pushtetin, por ai humbi jetën në një aksident automobilistik. Bashar, që ishte oftamolog, zuri vendin e tij. Sipas të dërguarve amerikanë që e njihnin, babai dhe djali përfaqësonin një familje, por Assad plak ishte më i rrahur me botën reale dhe realpolitikë. I nënti i 11 fëmijëve, Hafez al-Assad vinte nga një fis malësor i egër dhe i varfër. Ai qe i pari në familjen e tij që ndoqi arsimin 8-vjeçar. Më pas shkoi në Alep – një qytet të cilin i biri më pas do ta shkatërronte – për të ndjekur Akademinë e Forcës Ajrore. Në moshën 35-vjeçare qe ministër Mbrojtjeje. Në moshën 40-vjeçare, falë dinakërisë, u bë president.
Djali i Hafez u soll në pallatin presidencial, në një kryeqytet kozmopolit, i mbuluar me privilegje dhe iu dhanë frenat e pushtetit. Fillimisht Bashar u portretizua si reformator, në pjesën më të madhe për shkak të pëlqimit që kishte nga ana e rinisë, një bashkëshorte plot stil që kishte qenë bankiere investimesh tek JPMorgan dhe interesit të tij ndaj internetit dhe teknologjisë së shekullit XXI. Megjithatë, pas pothuajse 2 dekadash në pushtet, Assad ka provuar se nuk i ka instinktet e zgjuara të të atit apo edhe shumë nga urtësia politike e tij.
George W. Bush eksploroi për mundësi me liderin e ri të Sirisë. Ai dërgoi 3 herë në Damask sekretarin e Shtetit, Colin Powell, por pas pushtimit amerikan të Irakut më 2003 Assad lejoi mijëra xhihadistë të huaj të kalonin kufirin e tij prej 375 miljesh me Irakun për të luftuar trupat amerikane aty. Më 2007, CIA konfirmoi një raportim të inteligjencës izraeliane se Siria, me projekte dhe teknikë koreanoveriore, po ndërtonte një reaktor sekret bërthamor në qytetin e largët Deir Ezzor. Avionët luftarakë irzaelianë e sulmuan pozicionin. “Durimi im ndaj Presidentit Assad u sos shumë kohë më parë”, tha Bush në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë më 2007. “Arsyeja është sepse ai strehon Hamasin, ndihmon Hezbollahun, ata që vetëvriten me bomba futen në Irak nga vendi i tij dhe destabilizon Libanin”.
Pak kohë pasi Presidenti Obama erdhi në detyrë më 2009, John Kerry, në atë kohë senator dhe bashkëshortja e tij Teresa darkuan me Assad dhe bashkëshorten e tij në një restorant shik në qytetin e vjetër të Damaskut. Në një konferencë për shtyp Kerry tha se administrata e re e konsideronte Sirinë “një lojtar thelbësor në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”. Edhe pasi “pranvera arabe” u përhap në Siri në marsin e 2011, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi në emisionin “Face the Nation”: “Kemi një lider të ndryshëm tani në Siri. Shumë anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë që kanë shkuar në Siri gjatë muajve të fundit kanë thënë se besojnë që ai është reformator”.
Nuk ishte i tillë. Teksa Assad lëshonte forcat e tij të sigurisë ndaj protestuesve paqësorë, duke vrarë mijëra, Obama ndryshoi kurs. Ju bashkua liderëve europianë që bënin thirrje për dorëheqjen e Assad. “E ardhmja e Sirisë duhet të përcaktohet nga populli i saj, por Presidenti Bashar al-Assad e pengon në rrugën e saj”, u shpreh Obama në një deklaratë. “Ka ardhur koha për Presidentin Assad që të largohet”. Gjithashtu, administrata alokoi dhjetëra milion dollarë për të armatosur dhe asistuar rebelët sirianë, të cilët deri më atëherë kishin pasur impakt të kufizuar.
Ashtu si tetë paraardhësit e tij, Trump erdhi në detyrë i gatshëm që të konsideronte një rol për Assad me qëllim që t’i jepte fund luftës më të fundit në Siri, pavarësisht faktit që Assad më i ri kishte vrarë, plagosur apo përzënë miliona sirianë më shumë nga sa kishte bërë babai i tij dhe në një kohë shumë më të shkurtër. U deshën më pak se 100 ditë për Presidentin Trump që të zbulojë se dinastia Assad mund të jetë gjithashtu armiku i përbetuar i tij.

(Robin Wright për “New Yorker”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMisteri i strategjisë detare të Kinës
Artikulli tjetërÇfarë shkoi keq me Korenë e Veriut?