Artan Fuga: Pse mbështes idenë e Republikës së re

“Të rinjtë duhet t’u bashkohen përpjekjeve dhe idealeve për zgjedhje të lira, të ndershme”. Kështu shprehet profesori i njohur Artan Fuga në një intervistë për dy të rinj, aktivë për zgjedhje të lira, ndërsa thekson se ka ardhur koha që më në fund shqiptarët të votojë të lirë e larg presioneve dhe shitblerjes së votës. “Shqiptari të votojë sikurse e meriton, i qetë, pa presione, pa e detyruar ta shesë votën nga varfëria, pa i hipur mbi kokë ministra dhe ministresha, drejtorë dhe drejtoresha, agallarë dhe agallesha që i bëjnë presione me vendet e punës sikur shtetin ta kenë pronë të tyre, zyrat sikur t’i kenë sipërmarrje private, t’u shurdhojnë veshin propagandistë të neveritshëm që të zezës i thonë të bardhë duke veshur qyrkun e administratorëve gjoja, e liberalëve gjoja, e ideologëve prej balte e bloze, duke u përdorur bashkë me lloj-lloj të korruptuarish si vemje. Këta të rinj dhe qindra si këta rreth idealeve për zgjedhje të lira janë shpresa e këtij vendi, dalë nga familje shqiptare të ndershme, të rinj seriozë, pa frikë, sepse u besojnë idealeve që vetëm liria na çon përpara!”, shprehet profesor Fuga.

– A duhet të angazhohen të rinjtë në politikë?
Rëndë. Sa më shumë në politikë, sa më shumë në shoqëri civile, në shoqata të pavarura, në aktivitete qytetare. Por do t’i hiqja një gjë, që me angazhimin politik nuk mund të bëjnë karrierë. Jashtë partitë nga politikat e burimeve njerëzore në administratë. Për mua, më e rrezikshme është blerja e vendit të punës sesa e thesit me miell. Pra, ti më jep votën unë të jap vend pune në administratë. Politika shqiptare do të emancipohet kur të rinjtë të futen në politikë, por duhen bërë tri reforma të mëdha. Punonjësi i administratës publike duhet të ketë vërtet status të nëpunësit civil, ku asnjë parti të mos ndërhyjë.
E dyta, asnjë parti politike të mos shpërndajë tendera. S’ka punë ministri (që është njeri politik) me tenderat, por sekretari i Përgjithshëm që s’ka lidhje me politikën. Tenderat duhen bërë transparent dhe të respektojnë barazinë e shanseve. Reforma e tretë e rëndësishme është që drejtësia të shkëputet nga kthetrat e politikës, në mënyrë që secili të gjejë të drejtën e vet. Pra, nga njëra anë po të rinj në politikë, nga ana tjetër zero privilegje. Atëherë po, që do të kemi të rinj që do të merren masivisht me politikë për idetë e tyre dhe për të përcaktuar fatin e Shqipërisë.

– Problemet e zgjedhjeve…
Mendoj se sistemi dhe ligji elektoral janë antikushtetues. Kemi dy norma të së drejtës, Kushtetutën dhe ligjin. Nuk mund të interpretohet Kushtetuta sipas ligjit, por ligji sipas Kushtetutës. Në Kushtetutë flasim për votim të drejtpërdrejtë çka do të thotë, unë zgjedh deputetin tim pa ndërmjetës. Çfarë bën ligji? Ai nuk ma lejon këtë, pasi zgjedhjen e bën kryetari i partisë.
E dyta, zgjedhjet duhet të jenë të barabarta, por ato nuk janë të tilla, sepse unë si individ nuk mund të kandidoj pa qenë anëtar partie. Vetë fakti që unë jam anëtar partie më jep më shumë të drejta për të kandiduar për deputet sesa një individi tjetër. S’janë të drejta sepse themi unë kam votuar për këtë parti sepse dua të zgjedh këtë njeri, por në varësi të emrit në listë votat i shkojnë dikujt tjetër. Një deputet që zgjidhet kështu nga do të orientohet? Po sigurisht nga kryetari sepse fati i tij nuk varet nga elektorati. Varet në radhë të parë nga vendi që zë në hierarkinë e emrave në listë. E kush e ka në dorë këtë? Kryetari. Pra, ne nuk kemi deputetin ligjvënës, por kemi deputetin orator dhe militant. Kryetarët janë kaq të mbrojtur nga ky ligj sa kjo sjell politizim të shtetit që është kundër shtetit ligjor.

– Vijmë te një problem tjetër, shitblerja e votës…
Shitja e votës ndodh kur populli shikon që vota e tij është e devijuar, nuk është e drejtë, nuk është e barabartë, nuk ndikon në zhvillimin e shoqërisë. Qytetari do të thotë unë këtë votë nuk e kam më fenomen politik, i ka humbur vlera politike. Në këtë moment ai përpiqet që ta kthejë në investim. Pra, në një letër me vlerë. Shto këtu frikën se ti ke një thes me miell nëse jep votën, por nëse nuk e jep do të kesh pasoja të tjera. Çfarë bën qytetari? Optimizon zgjedhjen e tij. Thotë, më mirë rri edhe në punë edhe marr thesin me miell. E treta, mos ia vini fajin kulturës së ulët politike të shqiptarit sepse këtë e kanë bërë të gjithë popujt e botës, kur janë gjendur në këtë situatë. Këtu emancipimin nuk e sjell vetë populli, e sjell elita, politikanët vizionarë, intelektualët që mendojnë ose bashkimi i këtyre të dyjave. Mendoj se duhen mbështetur ato parti e ata politikanë, që nuk duan të futen në zgjedhje me këtë ligj elektoral dhe me këtë situatë administrative që kemi sot. Po nëse nuk do të kisha zgjedhje tjetër? Atëherë në këto kushte unë nuk do e çoja kot votën time. Do të votoja për zgjedhjen time, por në asnjë mënyrë nuk do ta ndërroja me asgjë, jo për shkak të idealit, por sepse ajo çka fitoj në raport me atë çka humbas është e vogël. Nuk mundem ta ndërroj mundësinë time për një Shqipëri më të mirë për 5 lekë.

– Profesor Fuga jeni një nga mbështetësit më të zëshëm të idesë së Republikës së re. Por ç’nënkupton realisht kur kërkoni themelimin e një Republike të re?
Një zgjedhje të deputetëve nga populli, të drejta politike për qytetarin, ndarje të pushteteve që është elementi i parë, thelbësor i një shteti demokratik, status të vërtetë punonjësi civil, qeverisje që nuk bëhet nga parti politike, por të decentralizuar, demokraci dhe pushtet lokal shumë i fuqishëm, kthim të pushtetit lokal te qytetari, arsim të lartë të rinisë shqiptare derisa të vijë në nivel europian, jo shtet dypartiak siç është sot, por një shtet jashtë partiak, mbipartiak. Ne kemi kaluar nga një shtet njëpartiak i kohës së komunizmit te shteti dypartiak që është thuajse e njëjta gjë, madje më keq. Unë jam i mendimit se çfarë është e mirë për Europën, është e mirë dhe për Shqipërinë.

– Por a ka ëndrra e pritshmëri profesori në Republikën e re?
Unë ëndërroj një Shqipëri të zhvilluar mendërisht, një shqiptar dinjitoz, një Shqipëri dinjitoze. Nuk e dua Shqipërinë ku politikanët, ata që quhen shërbëtorët e popullit të jenë më të pasurit e një populli të varfër. Dua një Shqipëri të zhvilluar ekonomikisht, dinamike dhe konkurruese. A është e bëshme kjo? Po, absolutisht brenda dy dekadave mund të bëhet.
Intervistuan Ornela Zani & Marash Z. Logu

Artikulli paraprakHoffenheim mposht Bayernin e Mynihut
Artikulli tjetërFitore për Atletiko Madrid