Apeli: Arrestimi i Babasit i paligjshëm, PD: Urdhëruesit e terrorit para ligjit

Ndalimi me dhunë, me policë me maska, në mes të ditës i kryetarit të PD për degën 5, Ndriçim Babasi, më 28 mars, është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Ndriçim Babasi u grabit me forca speciale e të armatosura mesditën e 28 marsit në një bar të Tiranës, bashkë me një grup të rinjsh aktivistë të Partisë Demokratike, studentë, mjekë e dentistë, të cilët u tërhoqën zvarrë me dhunë, me një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht.
PD e konsideroi atë ditë arrestimin e tyre si një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht. Babasi dhe 12 anëtarët e tjerë të PD u mbajtën 3 ditë në qelitë e Drejtorisë së Policise së Tiranës, duke thelluar paligjshmërinë e arbitraritetin e policisë.
PD deklaroi dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ndalimi i 28 marsit, ishte një ushtrim terrori ndaj opozitës, dhe një kërcënim që qeveria i bënte qytetarëve përmes skuadroneve me maska që të mos ngrejnë krye ndaj projektit të saj të paligjshëm, korruptiv e klientelist tek Parku i Liqenit.
“Llogari të bëra gabim, pasi PD, opozita dhe qytetarët nuk tremben dhe nuk tërhiqen asnjë milimetër nga qëndrimi në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të pasurisë së përbashkët që është Parku i Liqenit. Partia Demokratike bën përgjegjës Saimir Tahirin dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, për urdhërimin dhe organizimin e këtij terrori të paligjshëm dhe i siguron ata se do të japin llogari para ligjit”, thuhet në një deklaratë të PD-së.

Artikulli paraprakGati projektet, Bashkia Kamëz kërkesë qeverisë për ndërtimin e 3 kopshteve të reja
Artikulli tjetërVeliaj, të tjera fatura shtesë për qytetarët e Tiranës