Anëtarësimi i detyrueshëm në dhoma: Taksa e fshehtë deri 22 milionë euro në vit për bizneset

Taksa e re e fshehtë e shtuar për bizneset për anëtarësimin e detyrueshmën në dhoma do të jetë sa rreth 12% e tatim fitimit që ata paguan më 2015-n
Janë rreth 151 mijë biznese që do të jenë të detyruara nga 1 janari, që të paguajnë për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë, pas miratimit të ligjit të ri të Dhomës së fundmi nga Kuvendi. Sipas të dhënave të INSTAT, për “Ndërmarrjet aktive sipas qarqeve dhe formës ligjore”, deri në fund të vitit 2015 ishin rreth 133 mijë biznese persona fizikë dhe juridikë të regjistruar në vend (përjashtuar fermerët). Duke shtuar dhe rreth 18 mijë biznese që janë hapur këtë vit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në total numri i tyre është në rreth 151 mijë. Rreth 121 mijë biznese janë persona fizikë, që do të paguajnë nga 1000 lekë në vit, sipas përcaktimit në ligjin e ri, pra rreth 900 mijë euro. Barrën më të lartë do ta kenë subjektet juridike, që do të detyrohen të paguajnë është jo më pak se 3. 000 (tre mijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqind mijë) lekë, pa dhënë një përcaktim të qartë se si do të bëhet ndarja, por duke ia lënë në dorë Asamblesë së Dhomës sipas kategorizimit. Janë rreth 30 mijë subjekte juridike në vend, sipas INSTAT, që do të duhet të paguajnë maksimalisht deri në 2.9 miliardë lekë apo rreth 21 milionë euro. Në total, nëse të gjitha bizneset do të paguanin për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomën e Tregtisë, ata do të shpenzonin më tepër maksimumi rreth 3 miliardë lekë apo 22 milionë euro në vit, krahas detyrimeve të tjera që i paguajnë shtetit. Gjysmën e kësaj shume për dhomat pritet ta paguajnë bizneset e Tiranës, ku janë të përqendruara 50% e subjekteve juridike dhe 37% e personave fizikë. Teksa sipas të dhënave të buxhetit 2015, rezulton se të ardhurat nga tatim fitimi ishin rreth 25 miliardë lekë (rreth 181 milionë euro), taksa e re e fshehtë e shtuar për bizneset për anëtarësimin e detyrueshmën në dhoma do të jetë sa rreth 12% e tatim fitimit që ata paguan më 2015-n.

Reagimi i ashpër i dhomave

Disa ditë më parë organizatat përfaqësuese të biznesit në Shqipëri si: Dhoma amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë italiane në Shqipëri, Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, Shoqata e Biznesit grek në Shqipëri, Dhoma britanike e Tregtisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, shprehën shqetësimin e tyre dhe të të gjithë anëtarëve të tyre, pjesë e komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit në vend lidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar gjatë seancës së fundit parlamentare në Kuvend. Organizatat theksuan se, rezultatet e indekseve të ndryshme të biznesit në vitet 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend ka qenë niveli i taksave. Edhe në Raportin Global të Konkurrueshmërisë, i cili u botua këto ditë, niveli i taksave zë vendin e dytë në listën e faktorëve më problematikë për biznesin. Pikërisht në këtë kohë, ky ndryshim i ligjit shton një pagesë më tepër për bizneset, e cila rrit barrën fiskale mbi biznesin dhe vepron për të frenuar rritjen ekonomike në vend. Ata shtuan se me gjithë përpjekjet nga biznesi për të shtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë e palëve, procesi dhe ligji i miratuar nuk pasqyroi konsultimet e zhvilluara në Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese. Organizatat përfaqësuese të Biznesit në Shqipëri shprehin shqetësimin e tyre dhe të të gjithë anëtarëve të tyre, pjesë e komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit në vendlidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar gjatë seancës së djeshme parlamentare në Kuvend. Ky ndryshim ligjor rikthen anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit në këto dhoma, pagesën e kuotës vjetore për të gjithë subjektet juridike. Organizatat bëjnë me dije se, këto ndryshime nuk kaluan asnjë fazë diskutimi publik pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes para se t’i dërgoheshin Kuvendit të Shqipërisë, në kundërshtim me angazhimin e shprehur qartë nga qeveria për diskutim dhe dialog me biznesin dhe grupet e interesit mbi aktet ligjore dhe nënligjore të cilat ndikojnë biznesin, si edhe në kundërshtim me detyrimin ligjor të përcaktuar në ligjin nr. 57/2014.

Ndryshimet ligjore

– Rivendosja e anëtarësimit të detyrueshëm pranë dhomave të tregtisë dhe industrisë të personave juridikë;
– Kuota e anëtarësimit në dhomë për të gjithë subjektet tregtare që regjistrohen për herë të parë në QKB është 100 (njëqind) lekë.
– Kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat fizikë është jo më shumë se 1000 (një mijë) lekë.
– Kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat juridikë është jo më pak se 3. 000 (tre mijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqind mijë) lekë.
– Anëtarët e dhomës paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë brenda datës 31 mars të çdo viti.
– Masa dhe procedurat e vjeljes se kuotës përcaktohen nga Asambleja e Dhomës sipas kategorizimit.
– Dhomat transferojnë pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë 25% të fondeve të mbledhura nga kuota e anëtarësisë brenda datës 15 prill të çdo viti.
– Dhomat e qarqeve janë të detyruara të dërgojnë pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, brenda datës 15 prill të çdo viti, listën e anëtarësisë dhe çdo 3 muaj përditësimin e kësaj liste për efekt të pagesës së kontributit.
– Të gjitha subjektet tregtare sipas përcaktimit të këtij neni, detyrohen të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në zbatim të pikës 3, të nenit 43, të Ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, edhe dokumentin që vërteton pagesën e kuotës vjetore të anëtarësimit në dhomë”.

Artikulli paraprak100 ditë pas referendumit Britania nuk del nga Bashkimi
Artikulli tjetërJuristët letër Presidentit: Mos dekreto ligjin e mbetjeve