Analisti: Duhet të ikë Rama! Pas këtyre figurave që janë fasada, qëndron një tjetër…

Analisti Fatos Lubonja komentoi zhvillimet e fundit politike në rubrikën “Opinion”, në News24, duke u ndalur kryesisht te pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prill 2020.

Lubonja theksoi se në Këshillin Politik do të ketë sërish debate, politika dhe mospajtim mes palëve lidhur me disa çështje të nxehta kushtetuese.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, analisti theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të hapte rrugë dhe të ikte, pasi sipas tij, nuk ka çfarë ndryshon më.

Intervista

Çfarë pritshmërish keni për Këshillin Politik?

Pritshmëritë e mia janë që opozita veçanërisht të mos kufizohet thjesht me debatin në Këshillin Politik dhe lufta politike të mos kufizohet vetëm me këtë. Problemet që ka opozita për votën e lirë nuk varen vetëm nga ndryshimet kushtetuese, por një sërë faktorësh që ajo i ka ‘harruar’.

Pritshmëria është se do të ketë debat, polemika, mospajtime, ose dhe hiç fare kompromise, lidhur me disa pika të nxehta kushtetuese, siç është hyrja me koalicion në zgjedhje. Kjo ndryshon diçka, sa i përket ndarjes së votave, kryesisht për partitë e vogla. Duke mos hyrë partitë e vogla, votat e tyre që mund të mos kapin dyshemenë, do të shpërndahen dhe nuk do t’i shkojnë të gjitha opozitës. Ndryshon diçka edhe në strategjinë politike, që po luan Rama, që është mbajtja dhe përçarja e opozitës, me idenë se duke dalë parti e parë, mund të luajë me njërën ose me tjetrën, ose thjesht t’i mbajë të përçarë këta, duke vazhduar mosbesimi, që është karakteristik për klasën tonë politike. Moslejimi i koalicioneve do të ndikojë në fushatë, por edhe në rezultat.

A keni pritshmëri për ndryshime në këtë qeveri?

Kur Rama rifilloi tani politikën, ishte ai fjalimi që mbajti në Elbasan, ku dukej se do të mprehë edhe njëherë kuajt e vjetër, se të rinjtë ishin të lodhur. Ai iu kthye disa figurave, që kanë qenë dikur kryesorë në fushata elektorale dhe politikë, si Beqaj në Shkodër dhe raste të tjera. Ndoshta kjo ka të bëjë me atë që kërkon t’i motivojë dhe motivimi i tyre është i rëndësishëm, por mendoj se deri në njëfarë pike. Pas këtyre figurave, që janë fasada, qëndron një figurë tjetër pushtet, apo interesi, të lidhur me Ramën, dhe që lidhen edhe paratë që derdhen, si përfshirja e krimit, përfshirja e oligarkëve. Këta si fasadë kanë rëndësinë e tyre, por kryesore mendoj se është ajo që qëndron pas fasadës. Ikjet që kemi parë, ku më e bujshme ishte e ministres së Arsimit, ajo është një ikje që reflekton një lloj zhgënjimi, braktisje, të kësaj Rilindje, pikërisht për shkak të fasadës që thashë. Ka njerëz që nuk duan t’i shërbejnë më këtij sistemi. Mund të ndikojë në fushatën elektorale, nëse këta njerëz ikin dhe thonë disa të vërteta.

Çfarë do duhet të ndryshonte Rama?

Rama duhet të ikte në funksion të interesit publik. Duhet të hapte rrugën, sepse nuk mund të ndryshojë më Rama këtë sistem që ka ndërtuar vetë. Në funksion të interesit publik, Rama duhet të çbëjë ato që ka bërë në këto 7 vjet dhe këtë nuk e bën dot. Ai punon në funksion të interesit të partisë së tij.

Cila do të jetë oferta e mazhorancës për një mandat të tretë? Do vazhdojë opozita ta zgjerojë paketën ekonomike?

Unë dyshoj se iu kanë mbetur shumë gënjeshtra tashmë, por mazhoranca besoj se do të dalë me gënjeshtra të reja. Fabula e tyre e dytë është ‘se nuk jemi më të mirët, por jemi më të mirë se këta’. Besoj me këtë slogan do të dalin. Problemi i opozitës është shumë i kufizuar tek ajo që duhet të ikë Rama. Duhet edhe diçka më shumë se kaq, që lidhet jo thjesht me Ramën. Është produkti i gjithë sistemit që ka degraduar, kemi degradim të gjithë sistemit, që duke jetuar me vjedhjen dështon ekonomia, dështojnë gjërat. Të ndërrosh këtë sistem, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Opozita duhet të dalë me një premtim shumë modest, por shumë të rëndësishëm, që ne duhet të ndalojmë njëherë këtë, të krijojmë pluralizmin. Rindërtim për 48 orë e për 48 ditë nuk mund të ketë këtu. Këtu shoh që opozita ka mangësi dhe përqendrohet te heqja e Ramës. Rama në vend të ndryshimit të sistemit e çoi edhe më keq sistemin.

Sa të kërcënuar jemi nga koronavirusi?

Ne kemi kaluar nga ai lock down-i radikal në teorinë e sistemit britanik, por pa sistemin britanik apo suedez dhe pa kulturën apo sistemin e tyre shëndetësor. Është shumë e rrezikshme. Jemi në dorë të Zotit, sepse shteti e ka shumë të vështirë të mbyllet sërish, sepse ekonomia është katastrofë. Kështu që duhet t’iu bëjmë thirrje njerëzve të ruhen sa më shumë. Të kemi shpresë që virusi nuk do të egërsohet, se për ndryshe do të jemi në situatë shumë dramatike.

Artikulli paraprakKërcet arma në Durrës, plagosen dy persona
Artikulli tjetërKush është e majta e re që do të angazhohet Besa dhe çfarë i tha Rama