AMF paralajmëron, kujdes kur investoni online në Fxlider

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka paralajmëruar investitorët për rrezikun e investimit në platformën online http://www.fxlider.com! Mbështetur në Ligjin nr. 9879, datë 21.2.2008 “Për Titujt” dhe vendimin nr. 55, datë 30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, një shoqëri brokerimi e huaj lejohet të ofrojë shërbimet e saj përmes një “agjenti”, themeluar si shoqëri brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pas miratimit nga AMF. Platforma www.fxlider.com nuk ka një agjent të miratuar nga AMF për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye AMF u bën thirrje investitorëve të bëjnë shumë kujdes përpara se të marrin një vendim në lidhje me pranimin e një oferte të paraqitur në faqen e internetit www.fxlider.com ose një oferte nga kontaktimet nëpërmjet telefonit, pasi AMF nuk monitoron ligjshmërinë e aktivitetit të shoqërisë së brokerimit të huaj që zotëron platformën fxlider.com dhe AMF nuk mund të jetë në mbrojtjen e interesave të investitorëve, të cilët përballen me kompani apo persona, të cilët nuk kanë marrë miratimin nga AMF. Lista e shoqërive të licencuara nga AMF për ofrimin e shërbimeve për investime mund të gjendet në faqen zyrtare të AMF-së në linkun e mëposhtëm: http://www.amf.gov.al/tletrave.asp?id=1&s=1, përfundon njoftimi i AMF-së. Më herët, “Monitor” kreu një investigim për mënyrën e funksionimit të platformave online të palicencuara. Që nga janari, “Monitor” vendosi komunikim përmes email-it me një nga platformat e palicencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, FxLider, duke u shfaqur si një klient i interesuar për të investuar në platformën e tregtimit, që pavarësisht se nuk është e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vazhdon të operojë në treg. E.B., menaxhere llogarie në këtë kompani, për të cilën thotë se nuk ka zyra në Shqipëri, këmbëngul se nuk e kanë të nevojshme që të licencohen, për sa kohë nuk kanë një seli brenda territorit shqiptar, duke u mbrojtur me anë të ligjit të tregtimit online. Në komunikimin e datës 13 janar me anë të email-it, E.B., na dërgon një format kontrate me këmbënguljen tonë. Kontratës i mungonin elementet kryesore, pa një numër NIPT-i, pa vulë institucioni, pa logo, e pafirmosur, në gjuhë të huaj dhe për më tepër në rast mosmarrëveshje nuk përcaktohej se cilës gjykate (apo gjykatë arbitrazhi) do t’i drejtohen palët. Në përgjithësi, platformat online funksionojnë me anë të kontratave elektronike, ku individi pranon të gjitha termat dhe kushtet (shpeshherë dhe pa i lexuar fare ato). Gjatë gjithë kësaj periudhe, nga janari deri në mars, vazhdimisht vinin email-e dhe telefonata ku menaxherja në emër të FxLider na ftonte që të bëheshim pjesë si investitorë. Të interesuar për ecurinë e tregtimit në platformat online, kërkojmë që të aksesojmë në faqen fxlider.com, ku më parë ishim regjistruar si përdorues demo. Kjo faqe, në prill rezultoi e bllokuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në zbatim të Ligjit nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për Titujt”, transaksionet me titujt, si veprimtari tregtare, të cilat mund të ushtrohen në territorin e Republikës së Shqipërisë vetëm pas miratimit të AMF-së dhe AMF nuk ka licencuar/miratuar asnjë subjekt për të operuar me anë të kësaj platforme (fxlider.com). Megjithëse AMF-ja ka bllokuar aksesin në FxLider-i nga shfletuesi elektronik “Google Chrome”, menaxherja sjell instruksione të sakta se si të aksesosh në faqe nëpërmjet një browseri tjetër. Nëse ndjek instruksionet faqen mund ta hapësh nga Shqipëria, pavarësisht se AMF e ka bllokuar.

Artikulli paraprakMe sytë nga Lotaria Amerikane, si të shikoni nëse jeni fitues a jo
Artikulli tjetërGjirokastra, me më shumë femra të papuna, Dibra më pak