Gjirokastra, me më shumë femra të papuna, Dibra më pak

Në Shqipëri, numrin më të lartë të femrave të papuna e ka qyteti i Gjirokastrës, ndërsa më të ulëtin, Dibra. Përkatësisht kjo shifër llogaritet në 60% dhe 49%. Ky tregues lidhet me mungesën e aktiviteteve sipërmarrëse që i përshtaten kësaj kategorie. Bëhet fjalë për ato femra që janë regjistruar si të papuna në Zyrën e Punës të qytetit të tyre, pra rezultojnë si punëkërkuese. Për vitin 2016, numri total i femrave që rezultuan si punëkërkuese të papuna ishte 49,735 ose rreth 53% e totalit. Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punës, pjesa më e madhe e kësaj kategorie përfiton ndihmë ekonomike (rreth 61%), ndërsa 6% merr pagesë papunësie. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 67% e punëkërkueseve të papuna janë kryefamiljare që do të thotë se ato mbajnë edhe peshën e familjes. Të dhënat tregojnë gjithashtu se femrat që janë pa profesion dhe që kërkojnë një punë janë më të shumta në numër, mbi moshën 40 vjeç dhe ato që kanë arsim 9-vjeçar. Shumë i ulët (23) është numri i femrave që kanë arsim universitar dhe nuk kanë asnjë burim të ardhurash. Një pjesë e tyre marrin ndihmë ekonomike. Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2016, numri i personave në forcën e punës është 1.365 mijë persona. Femrat përbëjnë 43,4% të forcës së punës dhe meshkujt 56,6%. Të punësuar janë 1.157 mijë persona, ku femrat përbëjnë 43,8% të të punësuarve dhe meshkujt 56,2%. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 208 mijë persona, ndër të cilët 41% janë femra dhe 59% janë meshkuj. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 66,2%. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 55,9%. Shkalla e punësimit për femrat është 49,7% dhe për meshkujt 61,9%. Hendeku gjinor në punësim për këtë grupmoshë është 12,2 pikë përqindje. Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2% dhe 40,4% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2016, rezulton se 41,2% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Artikulli paraprakAMF paralajmëron, kujdes kur investoni online në Fxlider
Artikulli tjetërAdministrimi i pallateve, pagesat mujore arrijnë deri në 20.000 lekë