AMA shtyn sërish afatin për mbylljen e transmetimeve analoge

Autoriteti i Mediave Audiovizive AMA, njofton se afati për mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë–Durrës i parashikuar të ishte më datë 30 qershor 2017, shtyhet për një kohë të shkurtër. Shkak për këtë vendim është sasia e pamjaftueshme në treg e pajisjeve dekoder tokësorë, të cilët mundësojnë marrjen e sinjalit televiziv dixhital. Nisur nga numri i lartë i banorëve në qarqet Tiranë e Durrës vlerësohet si shumë i rëndësishëm sigurimi i sasisë së mjaftueshme të dekoderëve dixhitalë për t’u garantuar qytetarëve marrjen e programeve pa pagesë.
AMA, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë institucionet e përfshira në procesin e kalimeve nga analogu në dixhital tokësor, po vijon të ndërmarrë hapa nxitës në sigurimin e sasive të mjaftueshme të këtyre pajisjeve, si një mundësi për ecurinë dhe finalizimin e këtij objektivi në të dy qarqet. Me plotësimin e kushteve të domosdoshme dhe të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të dixhitalizimit, AMA do të njoftojë zyrtarisht për afatin e mbylljeve të transmetimeve analoge në qarqet Tiranë e Durrës.
Procesi i dixhitalizimit do të vijojë në Qarkun e Beratit, me fillimin e transmetimeve dixhitale në datë 3 korrik 2017, ndërkohë që transmetimet analoge do të vijojnë edhe për një periudhë njëmujore.
AMA kërkon nga publiku, i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset sa më parë me marrës dixhitalë (dekoder të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në Qarkun e Beratit mbas mbylljes së transmetimeve analoge.

Artikulli paraprakBlegtoria në ditë të vështira
Artikulli tjetërOligarkët shtojnë rezervat në banka