Alitalia zhytet në kaos pas votës kundër të stafit

Stafi është rebeluar ndaj uljes së pagave dhe shkurtimeve të vendeve të punës. Alitalia, linja ajrore italiane, ka hyrë në kaos pasi punonjësit u rebeluan kundër marrëveshjes së 10 ditëve më parë nga drejtuesit dhe bashkimet tregtare për ta shpëtuar atë nga kolapsi, duke ulur pagat dhe duke shkurtuar stafin. Vota kundër marrëveshjes kërcënon financimet që do të mund t’i siguronin Alitalia-s aftësi paguese, do të thotë se linja ajrore tani do të përballet me likuidimin. U mendua se Alitalia gjeti shpëtimtarin e saj, kur kompania e Emirateve të Bashkuara Arabe, Etihad, bëri një investim të madh rreth tri vite më parë, duke blerë 49% të aksioneve. Por përpjekjet e saj për të rikthyer përfitueshmërinë e kompanisë u goditën nga konkurrenca e linjave ajrore me kosto të ulët, si dhe nga ndikimi i terrorizmit në transportin europian. Alitalia u përpoq që të rimëkëmbej përsëri me një plan që do të shkurtonte rreth 1 miliard euro kosto në tre vitet e ardhshme, si dhe do të shkurtonte rreth 2000 vende punë dhe do të ulte rrogat me 30%. Megjithëse më 14 prill u arrit një marrëveshje që pagat do të uleshin vetëm me 8%, stafi prej 11,400 punonjësish përsëri refuzoi zgjidhjen në referendumin e së hënës. Në thelb, pilotët kanë refuzuar një marrëveshje që kishte mbështetjen e shumicës së stafit. Rreth 80% e stafit votoi kundër, ndërsa në total morën pjesë 87% e tyre (10,101 nga 11,602). Ndërsa numëroheshin votat, kryeministri Paolo Gentiloni u takua me ministrin e Infrastrukturës Graziano Delrio, ministrin e Ekonomisë dhe të Zhvillimit Carlo Calenda dhe atë të Punëve Giuliano Poletti për të gjetur zgjidhje në varësi të rezultatit. Me fitoren e votës “jo”, kompania do të vendoset nën një administrim special, takimet për kushtet e së cilës filluan që dje. Likuidimi i kompanisë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 1 milion euro. Gjatë fundjavës, ministri i Infrastrukturës u dha fund spekulimeve se mund të kishte shtetëzim nëse punonjësit e refuzonin planin e shpëtimit. Bankat financuese të Alitalia-s, Unicredit dhe Intesa Sanpaolo, kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e ndonjë rikapitalizimi të ri pa një plan të besueshëm industrial.

Plani

Plani që u refuzua kërkonte shkurtimin e 980 punonjësve logjistikë dhe shkurtimin e 1338 të tjerëve me kontrata të përhershme. Shkurtimi i vërtetë do të prekte 558 punonjës me kontrata të përkohshme dhe 141 punonjës që punojnë jashtë. Kërkesa fillestare e kompanisë bënte fjalë për rreth 2037 shkurtime në total. Ndërkohë që stafeve të ekuipazheve po ju kërkohej që të pranonin ulje të rrogave. Rritjet vjetore të vjetërsisë do të bëheshin trevjeçare (e para është në vitin 2020) dhe do të vendosej një tavan rritës pagash prej 25% në rastet e promovimit në detyrë. Për kompensimin në orë të fluturimit, kompania kishte kërkuar një ulje prej 21.6%, e barabartë me një ulje të përgjithshme të pagës prej rreth 8%. Pas negociatave, 369 milionë euro në shkurtimet e kërkuara në lidhje me ekuipazhin e fluturimit gjatë planit kishin rënë në 258 milionë euro.

Gara e kompanive ajrore në Shqipëri

Në vitin 2002, rreth 50% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, e zinte kompania Belle Air, që kishte fluturime të shumta direkte drejt qyteteve italiane. Por, pas falimentimit të saj në fund të vitit 2013, tregu u rikonfigurua. Në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga TIA, Blue Panorama, operatori italian që zëvendësoi Belle Air, kishte 30% të tregut total të fluturimeve, nga 25% vitin e mëparshëm. Pas saj renditet AlItalia, me 21% të tregut. AlItalia ka lëshuar terren më 2016-n, pasi aplikoi rritje të çmimeve, si dhe shkurtoi numrin e destinacioneve direkte me disa qytete të Italisë. Në vitin 2015, kjo kompani zinte 31% të tregut. Më pas renditen Austrian Airlines dhe Turkish Airlines, të cilat në vite kanë pasur një pjesë tregu të qëndrueshëm prej 7-8% secila. Listën e vijojnë Adria Airways, me 5% të tregut, Aegean Airlines me 4% dhe më pas me nga 3% secila janë Mistral Air, British Airways, Lufthansa, Pegasus Airlines. Në tre muajt e parë të vitit 2017, të dhënat e TIA-s tregojnë se Blu Panorama ka vijuar të fitojë terren, duke e rritur pjesën e tregut në gati 34%. Ndërsa Alitalia ka vijuar të humbë terren, dy operatorë të rinj po rriten në tregun e Italisë, Mistral Air (Fly Ernest) me 8% të tregut dhe Albawings, me rreth 12% të tij. Operatorët e tjerë kanë mbajtur pothuajse të njëjtat pozicione.

Artikulli paraprakFondet e investimeve ngecin, individët pakësojnë depozitat me 45 milionë euro
Artikulli tjetërRama në panik nga revolta, kërcënon me burg opozitën